Tashmë dihet publikisht që i gjithë sektori i energjisë është përfshirë në një situatë të vështirë financiare dhe funksionale, si rrjedhojë e akumulimit të detyrimeve të ndërsjella midis aktorëve të këtij tregu (KESH, OST, CEZ, prodhuesit e pavarur të energjisë).
Teksa kompanitë e mëdha të energjisë po publikojnë bilancet e tyre, po del në dritë dhe situata e rëndë e kompanive. Monitor publikoi dje bilancin e CEZ Shpërndarje, ku rezultonte që kompania ishte në një gjendje të mjerueshme financiare me humbje të mëdha. http://www.monitor.al/bilanci-skandaloz-i-cez-per-2013-ne-dy-vite-humbje-prej-450-milione-eurosh
Ndërkohë, nga bilanci i KESH për vitin 2013 rezulton se zëri i llogarive të arkëtueshme (të ardhurat që kompania duhet të mbledhë nga të tretët që i detyrohen) është në total 95 miliardë lekë, apo 680 milionë euro.
Në shumën e llogarive të arkëtueshme, 53.9 miliardë lekë (385 milionë euro) përfaqëson detyrimin e shoqërisë CEZ Shpërndarje. Gjithsesi, audituesit e pavarur theksojnë në raportin e tyre se ata nuk kanë marrë konfirmim nga kompania CEZ Shpërndarje për këtë detyrim.
Nga vlera totale e llogarive të arkëtueshme, pjesa tjetër është shuma prej 40.6 miliardë lekë përfaqëson detyrimet e klientëve familjarë të vjetër dhe pa shpresë arkëtimi dhe një vlerë minimale janë njësi të kontrolluara nga shteti.
Mospagimi i faturave nga të tretët rrezikon 235 milionë euro kredi
Këto llogari të arkëtueshme janë vënë si kolateral në kreditë e marra në bankë, që llogariten në 33 miliardë lekë (235 milionë euro), nga të cilat 20 miliardë lekë hua nga bankat dhe 13 miliardë lekë nga qeveria.
KESH thekson në raportin e tij se rreziku i kredisë është i lartë për shkak të llogarive të arkëtueshme nga kompanitë e tjera, që mund të dështojnë në shlyerjen e detyrimeve të tyre financiare.
Detyrimet e vjetra rrezikojnë zhvlerësimin e të ardhurave që pret të marrë KESH
Audituesit e pavarur, theksojnë në raportin e tyre se balancat e vjetra mbartin risk për mosarkëtim dhe përbëjnë një tregues për zhvlerësimin e këtyre llogarive të arkëtueshme.
Audituesit theksojnë se për balancat e vjetra të llogarive të arkëtueshme KESH ka llogaritur në vitet e kaluara vetëm një provigjionim për zhvlerësimin në shumën 23 miliardë lekë.
Sipas raportit të audituesve të pavarur, në shënimet e pasqyrave financiare të konsoliduara të KESh SHA në 31 dhjetor, është paraqitur gjendja e llogarive të arkëtushme me vlerë 75.9 miliardë lekë (nga shuma prej 95 miliardë lekësh është zbritur zëri i provigjionimit të letrave me vlerë prej rreth 23 miliardë lekë.
Ndërkohë, që llogaritë e pagueshme, që CEZ u detyrohet të tjerëve janë 18 miliardë lekë.
Të ardhurat 24 miliardë lekë
Kompania ka deklaruar të ardhura prej 24 miliardë lekë në vitin 2013, pothuajse në të njëtin nivel me një vit më parë. Ajo ka raportuar një fitim para tatimit prej 9.3 miliardë lekësh.
Si u krijuan detyrimet
Agron Hetoja, Drejtori i KESH ka shprejuar në një intervistë pak kohë më parë për Monitor, si u krijuan këto detyrime. “Sipas modelit aktual të tregut, CEZ Shpërndarje është partneri/klienti kryesor në aktivitetin e shoqërisë KESH. Detyrimet e prapambetura janë akumuluar që nga viti 2011 dhe përfshijnë faturat e papaguara për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve tariforë, për mbulimin e humbjeve dhe importin e realizuar për CEZ Shpërndarje si dhe penalitetet për vonesat në pagesë.
Edhe pas kalimit të CEZ Shpërndarje në administrim shtetëror në janar 2013, vetëm për periudhën janar-shtator 2013, detyrimet e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH janë rritur dhe me afro 27% të totalit të detyrimeve të akumuluara deri në dhjetor 2012. Gjatë periudhës mars-shtator 2013, pagesat e CEZ Shpërndarje kundrejt KESH kanë qenë mesatarisht në nivelin 44% të vlerës së faturës korrente. Detyrimi i vendosur nga ERE (në cilësinë e tij si rregullator i tregut), që minimumi i pagesave mujore të bëra nga CEZ Shpërndarje të ishte jo më pak se fatura korrente e furnizimit me energji nga ana e KESH, deri në shtator 2013 nuk është zbatuar.Secili prej operatorëve të licencuar për të ushtruar veprimtaritë përkatëse në sektorin e energjisë elektrike është pjesë integrale e këtij sistemi, i cili furnizon me energji elektrike konsumatorin vendas dhe bashkëvepron me vendet e tjera të rajonit nëpërmjet linjave të interkonjeksionit në operacionet e import-eksportit.
Kjo do të thotë se, nëse njëra nga hallkat e zinxhirit të sistemit energjetik nuk funksionon, i gjithë sistemi bëhet jofunksional. Mosarkëtimi i faturave të energjisë elektrike krijon probleme për operatorët e tjerë të sektorit si KESH dhe OST dhe një pjesë e problemeve të këtyre të fundit u transferohet prodhuesve të vegjël dhe të pavarur të energjisë elektrike”, ka pohuar Hetoja.
Hetoja shton: “Përgjithësisht dhe në vartësi të eksportit të realizuar, 80-90% e të ardhurave të veta vjetore KESH i siguron nga shitja e energjisë elektrike për CEZ Shpërndarje, për rrjedhojë veprimtaria e KESH është shumë e varur nga performanca teknike dhe financiare e CEZ Shpërndarje. Në kushtet kur situata aktuale financiare e KESH vazhdon të jetë kritike dhe nuk normalizohet (pa u rritur niveli i pagesave nga CEZ Shpërndarje minimalisht në nivelin e vlerës së faturës korrente), KESH e ka shumë të vështirë – për të mos thënë të pamundur – për të përballuar aktivitetin e shoqërisë, çka do të thotë nuk do të mund të shlyejë detyrimet ndaj buxhetit të shtetit, ndaj bankave të nivelit të dytë, ndaj donatorëve për projektet që ata kanë financuar dhe KESH është kredimarrës, ndaj furnizuesve të vegjël të energjisë elektrike (HEC-e privatë/koncesion), ndaj kontraktorëve për kontratat e investimeve apo shërbimeve, si dhe përballimin e një importi të mundshëm për periudhat që vijnë, pavarësisht nga situata e mirë hidroenergjetike që paraqitet aktualisht”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.