Prej disa vitesh tashmë po debatohet në lidhje me përdorimin e robotëve në fushën e punës. Makineritë e robotizuara u japin mundësinë kompanive të përshpejtojnë procesin prodhues dhe njëkohësisht të ulin koston e prodhimit.
E gjithë kjo është në dëm të punonjësve që zëvendësohen nga makineri që nuk shkojnë kurrë me pushime dhe nuk kërkojnë rritje page. Nëse deri më sot problemi është ende i menaxhueshëm, në vitet e ardhshme, automatizimi i proceseve të prodhimit do të sjellë në humbjen e milionave vende pune në të gjithë botën.
Këta njerëz të papunë me vështirësi do të gjejnë një punë tjetër, nëse nuk fillohet që tani gjendja e një zgjidhjeje.
Mbi këtë temë ka shprehur mendimin e tij edhe Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe njeriu më i pasur në botë, duke propozuar vënien e taksave të reja që do të shkojnë në një fond të përbashkët që do të përdoret për të luftuar varfërinë.
Rritja e taksave
Në një intervistë për Quartz, Bill Gates fton qeveritë e gjithë botës të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për të shmangur problemin e papunësisë dhe varfërisë. Përdorimi i robotëve në proceset e prodhimit do të vërë në vështirësi të mëdha sistemet financiare të shteteve industriale kryesore, me një numër gjithnjë e më të madh personash që do të përjashtohen nga bota e punës.
Për këtë arsye, presidenti i Microsoft propozon krijimin e një fondi shpëtimi të financuar nga taksat e reja ndaj kompanive që përdorin robotët. Këto para duhet të shkojnë në financimin e aktiviteteve ku nuk kërkohet përdorimi i inteligjencës artificiale: për edukimin apo për kujdesin ndaj të moshuarve.
Bill Gates u bën thirrje qeverive të veprojnë shpejt: themelet mbi të cilat sistemi është mbajtur deri më sot janë duke u shkatërruar për shkak të automatizimit të vazhdueshëm në fushën e punës dhe është e nevojshme gjetja e një zgjidhjeje që të luftojë me të vërtetë varfërinë.