Flet Hysen Çela, President i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar
Kontabilistët vlerësojnë se rasti i kërkesës së qeverisë për vetëm një bilanc nuk është një nismë e re, por thjesht një koordinim më i mirë i roleve që secili prej institucioneve luan. Por në kushtet kur kemi ende një informalitet të lartë të “mishëruar” në më shumë se një pasqyrë financiare për çdo biznes pikëpyetja që ngrihet është: A i kanë luajtur gjithë hallkat rolet e tyre ashtu siç duhet dhe siç i kërkon ligji.
Presidenti i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar, Hysen Çela, në një intervistë për “Monitor” nënvizon se ka pasur ngërçe si tek pjesa e strukturave të monitorimit dhe kontrollit, ashtu edhe tek ato që duhet të mbikëqyrin punën e këtyre të parave. Ai nënvizon se të paktën tek raportimi financiar ka nevojë për ndërhyrje ligjore. “Për të rritur cilësinë e raportimit financiar, mendoj se duhet të ndërhyhet në ligjin ‘Për kontabilitetin’, duke e bërë përgjegjës për pasqyrat jo vetëm drejtimin, por edhe hartuesin (kontabilistin). Nga ana tjetër, duhet të rregullohet, brenda lirisë së veprimit te tij, ushtrimi i profesionit të kontabilistit, veçanërisht kur ai realizohet në mënyrë të jashtme, dhe të rritet monitorimi nga organizmat profesionale dhe të përforcohet mbikëqyrja nga Bordi i Mbikëqyrjes publike” nënvizon Çela.
Qeveria ka deklaruar se nga 1 janari 2018 bizneset duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos operojnë me dy bilance, sikurse ndodh sot në raste të veçanta. Ju si e gjykoni këtë nismë?
Me sa kam unë informacion, nuk kemi të bëjmë me një nismë, por më tepër me një koordinim më të mirë të roleve që kanë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nga njëra anë, dhe Banka e Shqipërisë nga ana tjetër. Ministri i Financave është autoriteti që shpall standardet e raportimit financiar që duhet të zbatojnë entitetet e biznesit për raportimin e informacioneve financiare. Këto raportime bëhen për qëllime të përgjithshme dhe si të tilla, iu shërbejnë shumë përdoruesve. Në këtë kuptim, dikasteri i Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, përmes strukturave të veta dhe institucioneve të tjera, garanton përdoruesit se informacionet financiare të përgatitura në pajtim me këto standarde janë të besueshme dhe se përdoruesit mund të mbështeten në to për vendimmarrjet e tyre.
Përdorues të informacioneve financiare janë edhe bankat, të cilat i përdorin pasqyrat financiare në procesin e vendimmarrjes së tyre për t’i akorduar kredi entiteteve të biznesit. Banka e Shqipërisë, në cilësinë e rregullatorit, mbikëqyr bankat e nivelit të dytë dhe në këtë kuptim, ajo vlerëson të gjithë procesin e kredidhënies, ku padyshim vlerësohen edhe pasqyrat financiare që entitetet e biznesit paraqesin për kredimarrje. Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizojmë se, në procesin e vendimmarrjes, bankat e nivelit të dytë përdorin jo vetëm pasqyrat financiare, por edhe një mori analizash dhe informacione të tjera perspektive dhe të përllogaritura nga analistët e kredisë, të cilat janë pjesë e të dhënave të plota të dosjeve të kredidhënies.
Ajo çka konsiderohet vërtet pozitive në këtë nismë apo mirërakordim, është fakti që Bankat të mos kenë nevojë të përdorin informacione financiare të ndryshme, të cilat nuk kanë ndjekur rrugën e duhur ligjore të përgatitjes dhe miratimit të tyre. Me fjalë të tjera, theksi vendoset tek fakti që pasqyrat financiare të një entiteti biznesi duhet të jenë ato që depozitohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, prej së cilës mund të merren e përdoren nga shumë përdorues, përfshirë bankat, organet e tatim-taksave, media, statistikat, publiku, etj.
Pse kemi ende sot biznese që operojnë me dy bilance dhe cilat janë pasojat e këtij fenomeni në ekonomi?
Në pyetjen tuaj evidentohet fakti që kemi entitete biznesi, të cilat operojnë me dy bilance. Ekzistenca e dy palë pasqyrave financiare është në të vërtetë dëshmi e informalitetit të përhapur në ekonominë tonë, dhe ka për synim të mos deklarohen të gjitha të ardhurat apo të gjitha aktivitetet që realizohen nga entitetet e biznesit. Unë mendoj se një situatë e tillë, nuk ka asnjë arsye të ekzistojë, po të kemi parasysh se strukturat kontrolluese, monitoruese, detyruese dhe të penalizimit ekzistojnë.
Nëse do t’i përgjigjesha pyetjes pse një fenomen i tillë vazhdon ende, unë do të thosha se shkaqet kryesore janë dy. Në radhë të parë, strukturat e sipërpërmendura të kontrollit, monitorimit e mbikëqyrjes së bizneseve, nuk e kryejnë rolin e tyre, dhe në radhë të dytë nuk funksionon sa duhet mbikëqyrja e monitorimi mbi strukturat e kontrollit e të monitorimit. Fakti që fenomeni është zgjatur shumë në kohë (gati 3 dekada) dhe sot paraqitet mjaft i përhapur, ka ndikuar që të zhvillohet në mënyrë galopante korrupsioni.
Pasojat mendoj se janë tejet negative, pasi korrupsioni dhe paratë e padeklaruara, stimulojnë rritjen progresive të veprimeve korruptive, konkurrojnë në mënyrë të padrejtë bizneset që respektojnë kërkesat ligjore e rregullatore dhe për më tepër, favorizojnë aktivitete biznesi të paligjshme dhe janë premisë deri edhe për veprime me natyrë terroriste.
Në zinxhirin ku kalon një bilanc përfshihen hallka të tilla nga ekonomisti, kontabilisti, audituesi, bankat apo tatimet. Çfarë rregullimesh mund të bëhen në forcimin e rolit të njërit apo tjetrit për të pasur një raportim financiar sa më të drejtë?
Sikurse e theksova edhe më lart, mendoj se ka një moskuptim në lidhje me rrugën që ndjek procesi i hartimit të pasqyrave financiare apo siç quhet ndryshe në zhargonin përditshëm, të bilancit. Hartuesi i pasqyrave financiare është kontabilisti (person fizik ose firmë), i cili mund të jetë i punësuar në një entitet biznesi, ose ky shërbim mund të ofrohet në mënyrë të jashtme. Në të gjitha rastet, kontabilisti zbaton standardet e raportimit financiar dhe gjithashtu, mbështetet në vendimmarrjen e drejtimit për shumë aspekte të pasqyrave financiare, të cilat në të gjitha rastet duhet të jenë në pajtim me kërkesat ligjore e rregullatore në fuqi. Pasqyrat financiare, për të qenë të besueshme duhet t’i nënshtrohen një auditimi të pavarur, i cili realizohet nga profesionistë të pavarur të certifikuar (audituesit ligjorë).
Edhe pse ligji 10091, vendos disa kritere për entitetet që detyrohen të kryejnë auditimin ligjor, kjo nuk i ndalon entitetet e tjera të kryejnë auditim në mënyrë vullnetare, në funksion të rritjes së besimit tek pasqyrat e tyre financiare. Rregulli bazë është që pasqyrat financiare, pas miratimit të organeve drejtuese të entiteteve të biznesit, të depozitohen në QBK, e cila në mënyrë të lirë i vë në dispozicion të përdoruesve të ndryshëm. Pra, nga pikëpamja ligjore, pasqyrat zyrtare janë pasqyrat që depozitohen në QKB. Organet tatimore, edhe pse kërkojnë pasqyrat financiare, qëllimi është marrja e informacioneve për mënyrën e llogaritjes dhe pagesës së taksave e tatimeve dhe nuk kanë si të kenë ndonjë rol të veçantë në aprovimin apo mosaprovimin pasqyrave financiare.
Për të rritur cilësinë e raportimit financiar, mendoj se duhet të ndërhyhet në ligjin “Për kontabilitetin”, duke e bërë përgjegjës për pasqyrat jo vetëm drejtimin, por edhe hartuesin (kontabilistin). Nga ana tjetër, duhet të rregullohet, brenda liri-veprimit të tij, ushtrimi i profesionit të kontabilistit, veçanërisht kur ai realizohet në mënyrë të jashtme dhe të rritet monitorimi nga organizmat profesionalë dhe përforcohet mbikëqyrja nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.
Ministria e Financave aktualisht po zhvillon disa trajnime pjesë e të cilave jeni edhe ju? Cilat janë këto standarde të përmirësuara mbi të cilat po trajnohen kontabilistët dhe ekonomistët me përvojë mbi 3 vjet?
Trajnimi i këtyre ditëve ka në fokus ritrajtimin me një masë të gjerë kontabilistësh të punësuar ose jo, të SKK-ve të përmirësuara, të cilat kanë nisur me zbatimin tyre qysh me pasqyrat financiare të ushtrimit të mbyllur më 31.12.2016.
Ky trajnim i gjerë, me natyrë edhe sensibilizuese për standardet, realizohet në kuadrin e një projekti të Bankës Botërore për përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së raportimit financiar, i cili po zbatohet në Shqipëri nga AARC Ltd, Irlandë. Pra standardet e përmirësuara janë 14 SKK-të, SKK 15, për mikroentitetet dhe një standard për raportimin financiare nga Organizatat jofitimprurëse.
Është për të theksuar se interesi për të marrë pjesë në këto trajnime është mjaft i madh.
A është i përforcuar sa duhet profesioni i kontabilistëve në vendin tonë dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar më tej pozitat e tyre si një nga hallkat kyçe në zinxhir?
Në drejtim të zhvillimit profesional në fushën kontabël, natyrisht ka ecuri e përmirësim. U bënë gati dy dekada që këto profesione ekzistojnë në Shqipëri. Audituesit këtë vit festuan 20-vjetorin, dhe pothuaj kaq kohë ka kaluar edhe për profesionin kontabilistit të miratuar. Natyrisht, në këto dekada që nuk janë shumë por që nuk janë as edhe pak, ka pasur zhvillime të shumta. Nga rregullimet e para me urdhëresa e udhëzime të Ministrave të Financave, sot jemi në kushtet kur profesioni rregullohet me një ligj të veçantë dhe mbikëqyret nga një Bord i mbikëqyrjes publike, i cili ka në përbërje profesionistë të pavarur. Megjithatë, asnjëherë kjo ecuri nuk është sa duhet. Mangësitë që vërehen më shpesh lidhen me mungesë në kapacitetet profesionale, me mosnjohje të standardeve teknike e profesionale dhe veçanërisht me mosrespektim të kërkesave etike, çka ka bërë që interesi publik që qëndron në themel të profesionit të mos mbahet parasysh sa duhet.
Çfarë duhet bërë. Mendoj se ka shumë për të bërë, përpara se të kërkohen rregullime të forta ligjore apo rezervime të së drejtës për ushtrimin e profesionit, është e nevojshme që organizmat profesionale të fushës kontabël të ezaurojnë të gjitha mundësitë që i jep legjislacioni aktual apo praktika më e mirë ndërkombëtare dhe të bashkëpunojnë për të larguar nga profesioni, individët apo firmat që nuk janë në pajtim me ligjin, dhe të rrisin rolin e tyre në edukimin vijueshëm të anëtarëve. Sidoqoftë, kjo kërkon një harmonizim më të mirë të përpjekjeve edhe me organet shtetërore, përfshirë, QKB, Administratën Tatimore, Mbikëqyrësit, Bankat, etj.
Në kushtet e sotme duhet të mbahet mirë parasysh edhe zhvillimi i vrullshëm në teknologjinë e informacionit, i cili do të mbulojë shumë nga veprimtaritë klasike të kontabilistëve. Kjo kërkon një ridimensionim të strukturave të organizimit të profesionit tonë (kontabilist, auditues), një diversifikim të shërbimeve, duke synuar shtim të vlerës për biznesin. Duhet që për këtë të mendojmë sot, në të kundërt do të jemi në periferi të zhvillimeve nesër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.