Bizneset vijojnë të raportojnë rënie të nivelit të shitjeve, por me ritme të ngadalësuara në krahasim me pjesën e parë të vitit. Rënia e shitjeve është shoqëruar me ulje të rezultatit financiar dhe tkurrje të investimeve për të gjithë sektorët…
Banka e Shqipërisë, për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes në vend, në sektorin e biznesit ka vrojtuar një zgjedhje prej 728 ndërmarrjesh, të cilat shtrihen gjeografikisht në të gjithë vendin.
Situata financiare
Në reflektim të situatës ekonomike, bizneset vijojnë të raportojnë rënie të nivelit të shitjeve, por me ritme të ngadalësuara në krahasim me pjesën e parë të vitit. Rënia e shitjeve është shoqëruar me ulje të rezultatit financiar dhe tkurrje të investimeve për të gjithë sektorët. Gjithsesi, shitjet vijojnë të mbeten burimi kryesor i financimit të veprimtarisë, kryesisht për sektorin e shërbimeve. Ndërkohë, sektorët e industrisë dhe të ndërtimit, kanë përdorur një kombinim të të ardhurave nga shitjet me huamarrjen për të financuar veprimtarinë gjatë pjesës së dytë të vitit 2013.
Huamarrja
Nga ndërmarrjet aktive në këtë vrojtim, 58.9% (ose 47.4% e zgjedhjes total, gjithsej 345 ndërmarrje) pohojnë që kanë aktualisht një hua për të paguar, duke e rritur përqindjen e ndërmarrjeve huamarrëse me 5.2 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2013. Huamarrja është përdorur kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra (kapital qarkullues) dhe më pak për qëllime investimi. Huaja për ndërmarrjet vijon të mbizotërohet nga ajo në lekë. Ndërkohë, 78.2% e tyre raportojnë huamarrjen në 5 vitet e fundit. Pesha e bizneseve që kanë përdorur pasuri të paluajtshme si kolateral për garantimin e huasë është në nivelin 71.6%, shumë pranë nivelit të mesatares afatgjatë. Për sektorin e industrisë, peshën më të madhe e zënë ndërmarrjet, të cilat raportojnë vlerë të kolateralit mbi 120% të vlerës së huasë, ndërsa në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit kryesojnë ndërmarrjet me vlerë kolateralit deri në 50% të vlerës së huasë së kolateralizuar.
Në përgjithësi, për 89.1% të ndërmarrjeve, vlera e huasë nuk e kapërcen vlerën e kapitalit të firmës. Për rreth 91% të bizneseve, pagesa e huasë zë deri në 50% të të ardhurave të tyre. Për ato ndërmarrje që kanë konstatuar ndryshim të madhësisë së pagesës së huasë, ky ndryshim ka reflektuar kryesisht rritje të vlerës së pagesës, e cila është përballuar duke ulur shpenzimet e tjera, duke përdorur rezerva të ndryshme ose duke rritur çmimin e produkteve për shitje. Për gjashtëmujorin e ardhshëm, ndërmarrjet në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit presin rritje të vlerës së pagesës së huasë, ndërsa ato në sektorin e shërbimeve presin rënie të saj.
Marrëdhënia me bankat
Në marrëdhënien me bankat për përfitimin e një huaje, më shumë se gjysma e ndërmarrjeve konsiderojnë nivelin e lartë të normës së interesit si elementin më të vështirë.
Elementë të tjerë si kushtet e garantimit të kredisë, përshtatshmëria e strukturës së kredisë me ciklin e zhvillimit të veprimtarisë, dhe mungesa e transparencës në mënyrën e miratimit dhe monitorimit të kredisë nga banka konsiderohen nga bizneset si elemente të një vështirësie mesatare. Gjithsesi, pavarësisht nga sektorët ku veprojnë, rreth 95% e ndërmarrjeve e konsiderojnë marrëdhënien me bankën si të rëndësishme ose të domosdoshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.