Që prej muajit qershor, një pjesë e mirë e bizneseve po përballen me kërkesat e inspektorëve të tatimeve për parapagimin e tatimit mbi fitimin në këste marramendëse. Situata është bërë më problematike këtë vit, pasi ndryshimet në ligjin e procedurave në fund të vitit të kaluar sanksionuan një gjobë prej 15% të këstit, në rast se ai nuk parapaguhet brenda afatit (që tashmë është ulur në 10%). Shtrëngimi për të paguar në vlerë të konsiderueshme këtë taksë është reflektuar edhe në treguesit fiskalë të 9-mujorit, ku tatimi mbi fitimin rezultoi me një realizim 20% më të madh se vetë plani i financave
Nga Ola Xama
Shpresa Ismaili është një kontabiliste, e cila prej vitesh ka një zyrë që ofron shërbime për sipërmarrësit. Kryesisht puna e saj lidhet me biznese të vogla familjare, por Shpresa tregon se ka dhe një grup prej 20 sipërmarrësish, të cilët klasifikohen si të mesëm dhe 4 të tjerë të mëdhenj. Ajo vëren se që prej muajit qershor ka hasur shumë vështirësi me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për mënyrën se si ndërmarrjet paguajnë këstet e tatimit mbi fitimin. Shpresa tregon se tatimfitimi paguhet në këste mujore ose 3-mujore, në mënyrë që të lehtësojë sipërmarrësit që të mos paguajnë në fund të vitit shuma të mëdha. Pagesat zakonisht bëhen në bazë të vetëdeklarimeve të biznesit, të cilat kanë si referencë librin e shitblerjeve dhe fitimet sipas bilanceve të dy viteve të fundit. “Nuk kemi pasur ndonjëherë pengesa apo mosmarrëveshje me inspektorët e tatimeve, lidhur me deklarimet që bëjmë për tatimin mbi fitimin. Kontradikta dhe interpretime të ndryshme ka gjithnjë, por jo që të jenë penalizuese. Për ne kontabilistët është e vështirë, sepse dhe vetë bizneset me të cilët punojmë, na kërkojnë llogari ne për konstatimet e inspektorëve. Mendojnë se nuk kemi bërë si duhet rakordimet shpenzime – të ardhura”, thotë ajo.
“Që prej qershorit kemi pasur disa raste sporadike, ku bizneset na kanë thënë që pretendimet e inspektorëve janë që tatimfitimi të paguhet më i madh se deklarimet që ata kanë bërë, por kemi menduar se janë të veçuara. Në shtator, kërkesat për të derdhur më shumë këtë taksë janë në masë, për të gjithë bizneset! Problemi më i madh që kemi është me bizneset e mëdha të cilat, nëse japin këste kaq të fryra, rrezikojnë të mbyllen të falimentojnë, ose të ikin nga Shqipëria”, sqaron Shpresa Ismaili. Ajo veçon një rast me një biznes italian, i cili shet impulse telefonike. Shpresa thotë se nuk mund të tregojë dot emrin e biznesit për arsye konfidencialiteti, por ajo sqaron se sipërmarrësja po mendon të largohet nga Shqipëria. “Ky biznes nuk është një ndërmarrje çfarëdo, është një ndërmarrje që tregton impulse, ka disa kompjuterë dhe shet. Çdo gjë e ka me regjistër dhe çdo shitje lë gjurmë në sistem se bëhen nga interneti. Nuk ka shanse që të bëjë evazion fiskal. Tani po mendon të largohet nga Shqipëria, tatimfitimi u rrit, shkoi në 15%, por kërkojnë edhe që të paguajë më tepër, përse duhet ta bëjë këtë?” shprehet e shqetësuar ajo.
Rasti i këtij biznesi italian është më shqetësuesi për kontabilisten, pasi bëhet fjalë për një parapagim të tatimit mbi fitimin në vlerën e 5 milionë lekëve. Shpresa tregon se në katër vite që ky biznes operon në Shqipëri, tatimi vjetor që gjeneron, dhe jo ai vetëm i një muaji që kërkojnë tatimet të derdhë, nuk e ka kaluar ndonjëherë vlerën e 2 milionë lekëve. “Në vitet më të mira, në vit, nuk ka paguar ndonjëherë më shumë se 2 milionë lekë tatimfitim, si historik mesatar ka 1.5 ose 1.7 milionë. Tani i thonë që në bazë të librit të shitblerjeve duhet të paguash 5 milionë lekë tatim vetëm për një muaj. Por shpenzimet që ka ky biznes nuk janë reflektuar te libri. Ka shpenzime qiraje, ka sigurime punonjësish, ka shpenzime amortizimi dhe shumë lloje të tjera të pallogaritura. Shumë biznese me të cilat ka marrëdhënie nuk i sjellin në kohë faturat dhe pagesat po ashtu bëhen në bazë të kontratave që ka ky biznes. Atëherë si i bie? Përse duhet t’i paguajë këto para? Bilanci përfundimtar mbyllet më 31 mars të 2017-s. Nëse kanë dyshime, tatimet le të shkojnë dhe të bëjnë rivlerësim, nëse pretendojnë apo konstatojnë se ka fshehur detyrimet, le të vendosin gjobë, por jo të marrin taksa me kërcënim se ne do të vendosim gjobë, këtë nuk mund ta bëjnë”, thotë kontabilistja Ismaili. “I kemi sqaruar disa herë që nuk mund të pretendojnë të paguajmë kaq shumë, se nuk janë llogaritur shpenzimet kryesore. – Thonë mirë në rregull, na i jep tani se kur të dorëzoni bilancin vjetor, do t’iu kthejmë sërish paratë. – Kjo nuk mund të bëhet, pasi biznesi del pa likuiditet dhe shkon në faliment. Si do ta paguajë në fund të vitit qiranë? Do të marrë kredi në bankë?”, shprehet ajo.
Shpresa tregon se refuzimi i këtij biznesi për të paguar tatimfitimin në një këst kaq të madh, ka bërë që inspektori të marrë masa për të vendosur mbi të gjobë, e cila është në vlerën e 15% të shumës së detyrimit që pretendohet. “15% e shumës i bie 750 mijë lekë. Çfarë të bëjë ky biznes? Detyrohet më mirë që të paguajë. Ne po mendojmë t’i drejtohemi gjykatës. Është shkelje e hapur e ligjit”, shton ajo.
Situata është bërë më problematike këtë vit, pasi ndryshimet në ligjin e procedurave në fund të vitit të kaluar sanksionuan një gjobë prej 15% të këstit, në rast se ai nuk parapaguhet brenda afatit (që tashmë është ulur në 10%). Ky ishte një nga nenet që nuk u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kur hodhi të ashtuquajturat supergjoba.
Më parë, bizneset nuk merrnin gjoba, në rast se nuk parapaguanin tatimfitimin, thjesht nuk merrnin dot vërtetim në tatime që kishin paguar detyrimet. Mosmarrja e gjobës u mundësonte bizneseve që, edhe nëse këstet të ishin të larta e penalizuese, të mos i paguanin ato. Me vendosjen e gjobës, presioni për t’i parapaguar këstet po kthehet në falimentues për ta. Ekonomistët tregojnë dhe raste të tjera, kur biznesi, edhe pse ka paguar një pjesë të këstit të tatimfitimit, për arsye të mungesës së likuiditetit, është penalizuar me gjobën 15%, të llogaritur për të gjithë këstin, jo pjesën e papaguar të tij.
Gjoba falimentuese
Gjoba prej 15% të shumës së këstit për t’u paguar në rast të mospagimit në afat të kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose kësteve paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, u vendos në dhjetor të vitit të kaluar dhe ishte një nga nenet që nuk u rrëzua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kur hodhi të ashtuquajturat supergjoba.
Gjoba dhe për bizneset në mbyllje
Kërkesat e inspektorëve të tatimeve për të paguar këste më të mëdha janë bërë dhe në raste të tjera. Shpresa Ismaili thotë se ato janë nga më absurdet, pasi kërkohet të paguhet tatimfitim për muajin korrik dhe gusht 2016, edhe në kohën kur biznesi ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit kërkesën për çregjistrim. “Kam një rast të pakuptimtë dhe flagrant. Është një ndërmarrje e vogël që ka bërë kërkesë për t’u mbyllur në muajin qershor dhe ka kërkuar të bëjë mbylljen e bilanceve deri në datën e kërkesës. Në bazë të bilanceve, kërkon të bëjë dhe pagimin e taksave. Por inspektorët e tatimeve i kërkojnë të parapaguajë tatimfitimin dhe për muajin korrik dhe gusht. Për sa kohë që nuk e ke zyrtarisht të mbyllur biznesin, pasi nuk të ka ardhur shkresa përfundimtare nga QKB-ja, unë do të të tatoj dhe je i detyruar të paguash tatimin ose do të penalizohesh me gjobë. Çfarë kuptimi ka kjo? Nëse ky biznes është mbyllur, atëherë nuk ka përse të vlerësohet për të gjeneruar tatim. Tatimet thonë që, kur të vijë shkresa për mbylljen e aktivitetit, do të disbursojmë këstin e tatimit, por në ç’mënyrë? Biznesi nuk do të ketë më një NIPT të aksesueshëm dhe rrjedhimisht nuk mund të marrë dot paratë mbrapsht”, deklaron znj. Ismaili.
Tatimet kërkojnë që biznesi të paguajë nivelin e taksës që njohin inspektimet e tyre, pa bërë ende mbylljen e bilancit. Përveç kësaj, mungesa e kësaj pagese jashtë afatit penalizon biznesin me kamatë, e më pas me gjobë. Në shkresën e çuar qindra bizneseve, tatimorët thonë se nëse nuk paguhet brenda datës, atëherë do të fillojë llogaritja e kamatëvonesës. “Vlera e detyrimit është e vlefshme për datën e nxjerrjes së urdhër-pagesës. Për pagesa më vonë, kjo shumë mund të rritet me detyrime të tjera”, thuhet në këto shkresa. Po ashtu, penalizimin për mungesë të parapagimit të tatimit mbi fitimin, Drejtoria e Tatimeve e konsideron si evazion fiskal. “Gjobë inspektori për evazion fiskal dhe fshehje detyrimi” cilësohet motivacioni i penalizimit në gjobat e vëna. “Nuk mund të kërkojnë dot kamatë për tatimin e fitimit, pa bërë më parë mbylljen e vitit e për më tepër gjoba. Nuk na ka ndodhur asnjëherë kjo! Kësti i tatimfitimit të 2016-s del çdo muaj ose tremujor, pasi i paraprin tatimit vjetor. Kur të bëhet bilanci i biznesit, i zbriten këstet e parapaguara. Por çudia është se të penalizojnë për mospagesë në afat, duke e vendosur motivimin “Gjobë inspektori për evazion fiskal dhe fshehje detyrimi”. Ndërkohë penalitete të tilla ka pasur pasi dorëzohej bilanci dhe kishte të ngarkuar edhe vendimin e asamblesë së ortakëve për vitin, pra biznesi kishte përfunduar bilancin dhe ishte i sigurt që nuk ka ndryshime. Në këtë rast, nëse inspektori konstatonte ndonjë fshehje fature që ndryshon rezultatin financiar, të penalizonte me këtë motivacion”, përfundon Shpresa Ismaili.
Tatimfitimi “shpëton” buxhetin
Për 9-mujorin e parë të këtij viti, taksa e cila “shpëtoi” thellimin e gropës së të ardhurave në buxhetin e shtetit, ishte pikërisht ajo e tatimit mbi fitimin. Kjo taksë u realizua me 20% më shumë se sa plani. Në njoftimin për shtyp që shoqëron të dhënat fiskale në buxhet, Ministria e Financave ia delegon meritat përmirësimit të zinxhirit të shitjeve. “Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 21.7 miliardë lekë ose 19.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 20% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka pasur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dytë të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësinë e proceseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë”, thuhet në komentin e financave.
Ndryshimi vjetor i të ardhurave nga TVSH e tatim fitim (mln lek)
Mbledhja e taksës së tatimit mbi fitimin është më e larta në vite (për periudhën 9-mujore) që prej 2005-s. Gjobat për këstet e parapagimit kanë shtrënguar bizneset që të derdhin para në arkën e shtetit pa ditur më parë se sa tatim kanë gjeneruar. Nëse argument kryesor që jep Ministria e Financave është rritja e deklarimeve në import dhe te zinxhiri i shitjeve të biznesit, kjo bie ndesh me shpjegimin që ata bëjnë lidhur me mbledhjen e taksës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. TVSH-ja ka një mosrealizim në masën 3.9% ose afro 40 milionë dollarë krahasuar me planin. Kjo lloj takse është zëri kryesor që tregon konsumin dhe shitjet te një biznes. Nëse shitjet me pakicë të deklaruara janë në rritje, atëherë dhe TVSH-ja automatikisht është në rritje. Nëse këto shitje bien, atëherë biznesi gjeneron më pak të ardhura dhe për pasojë, edhe tatimi mbi fitimin bie (në një kohë që nuk llogariten shpenzimet, pasi nuk është bërë mbyllja e bilancit. Mund të ketë rritje të tatimit mbi fitimin në rastin që bien blerjet dhe po ashtu biznesi ul shpenzimet.)
Projeksionet për mbledhjen e tatimfitimit
Edhe në projektimin e realizimit të të ardhurave, Ministria e Financave sheh një rritje të mbledhjes së kësaj takse deri në fund të vitit me rreth 27 milionë dollarë më shumë. Në relacionin shoqërues të buxhetit 2017, ajo shprehet se ky zë tatimor do të arrijë mbledhjen në masën 270 milionë dollarë deri në fund të vitit. “Për vitin 2016, ky zë përbën zërin me ecurinë më të mirë të administratës tatimore. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimi pritet të realizohen në masën 27 miliardë lekë, pra rreth 2.6 miliardë lekë ose 11% më shumë sesa plani”, shkruhet në relacion.
Nëse deri në fund të vitit parashikohet se afro 70 milionë dollarë taksa nuk do të realizohen, deficiti në të ardhura do të shkojë në 50 milionë dollarë mosrealizim vetëm si pasojë e shtimit të mbledhjes së tatimfitimit dhe taksës së tatimit mbi të ardhurat. Por pavarësisht kësaj, vlerat e konsiderueshme të kësaj takse që po mblidhen në 2016-n nuk perceptohen si të kthyeshme nga financat se biznesi mund të ketë parapaguar më shumë, pasi dhe në 2017-n, realizimi që parashikohet është më i madh se ai i këtij viti.
————
Gjoba për parapagimine kësteve ulet nga 15 në 10%
Pas debateve javën e kaluar në Komisionin e Ekonomisë, ky I fundit ka miratuar uljen e gjobës për mospagimin e kësteve të tatimfitimit nga 15% në 10%.
Masa prej 15% u cilësua e lartë dhe penalizuese për biznesin nga vetë anëtarët e komisionit, si dhe u diskutua legjitimiteti i saj.
Deputeti i opozitës Florion Mima tha se kjo gjobë nuk duhet të ekzistojë fare dhe se ne jemi i vetmi vend në botë që aplikon një gjobë të këtij niveli për sa i përket kësteve të parapagimit të tatimfitimit dhe i kërkoi ministrit të financave Arben Ahmetaj që të sjellë një shembull në botë që përdor të njëjtën praktikë.
Kryetari i komisionit, Erion Braçe, tha se nuk është legjitime vendosja e gjobës për parapagimet dhe duhet të rishikohet. Ndërsa zëvendëskryetari i komisionit, Ridvan Bode, tha se gjoba prej 15% është e lartë pasi rëndon biznesin.
Edhe në një sondazh të kryer nga ‘Monitor’ pak javë më parë, në lidhje me shkaqet se pse po mbylleshin bizneset në kryeqytet, një prej arsyeve kryesore që raportuan disa biznese ishte dhe gjoba për këstet e tatimfitimit. Bizneset kanë deklaruar se nuk e përballojnë dot gjobën prej 15% të shumës për vonesat në pagimin e kësteve të tatim fitimit. Këstet e përllogaritura në bazë të xhiros së një viti më parë, kanë vënë në vështirësi biznese, të cilët në vitin aktual gjenden në vështirësi financiare, pasi po shohin rënie të xhiros dhe fitimeve, por duhet të parapaguajnë këstet në bazë të fitimeve të vitit të kaluar.
Ahmet Gjinishi, kontabilist, tregon se kjo masë po i detyron bizneset të kalojnë në statusin pasiv dhe të pezullojnë aktivitetin. “Në vend që likuiditetin biznesi ta përdorë për të mbijetuar, është i detyruar të parapaguajë detyrimet, të cilat në rast se nuk paguhen në kohë, ngarkohen me një gjobë prej 15% të shumës së detyrimit”, thotë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.