Si e presin ecurinë e aktivitetit sipërmarrjet kryesore në vend. Cilat janë parashikimet sipas sektorëve, nga optimizmi i industrisë minerare e asaj të metaleve te pesimizmi i fasonit, prodhuesve, ricikluesve dhe agroindustrisë.
TAP, projekti drejt fundit, 95% e segmentit në tokë ka përfunduar
Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) është projekti më i madh i zbatuar ndonjëherë në Shqipëri, me një investim total prej rreth 1.5 miliardë eurosh për ndërtimin e seksionit shqiptar, i gjatë 215 km, duke përfshirë kostot e tubave, stacionin e kompresorëve dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.
Por, edhe këtij projekti po i vjen fundi. Burime zyrtare nga TAP thanë se punimet për ndërtimin e gazsjellësit janë drejt përfundimit dhe në vitin 2020, TAP do të transportojë sasinë e parë të gazit nga kufiri turko-grek, nëpërmjet Shqipërisë drejt Italisë.
Në Shqipëri ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe rreth 99% e tubave janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë dhe toka, pasi i është kthyer të zotëve, po kultivohet përsëri, thanë burimet zyrtare. Pra me përafërsi, deri në fund të vitit 2018, mbi 95% e gjithë punimeve për seksionin tokësor të TAP në Shqipëri ka përfunduar.
Gjatë vitit 2018, TAP nisi edhe punimet për seksionin detar. Pika e daljes së TAP në detin Adriatik është pranë qytetit të Fierit dhe punimet po zhvillohen sipas kalendarit të paracaktuar, duke parë drejt perëndimit. Segmenti detar i gazsjellësit në detin Adriatik është i gjatë 105 km dhe rreth 15% e punimeve kanë përfunduar.
TAP pohon se është mbase kompania private me fondin më të madh kushtuar investimeve sociale dhe mjedisore. Rreth 14 milionë euro po investohen në Shqipëri nga TAP në përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve pranë gjurmës së gazsjellësit.
“Nga përllogaritjet tona janë mbi 200’000 persona që po përfitojnë drejtpërdrejt nga investimet e TAP në përmirësimin e rrugëve, të infrastrukturës së shkollave dhe kopshteve, ujësjellësve, kanaleve kulluese dhe vaditëse, gjelbërim, turizëm, kulturë, etj.”, thanë burimet zyrtare të TAP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.