Bizneset që monitorojnë punonjësit, në rritje

17/03/2018 10:05 PM 0 komente

Flet Nertil Lilo, administrator Elektrosek

 

Ligji “Për masat shtesë të sigurisë” ka ndikuar në rritjen e kërkesës për instalimin e sistemeve të sigurisë. Për administratorin e kompanisë Elektrosek, Nertil Lilo, ka një rritje të dukshme në fund të vitit 2017 dhe gjatë janarit të 2018. Ai nënvizon se kërkesa vjen për sisteme komplekse që kanë të integruara edhe sisteme të tjera dhe kanë cilësi shumë të mirë.

Por gjithmonë e më shumë bizneset, sipas Lilos, po investojnë edhe te sistemet që lidhen me monitorimin e punonjësve. Janë sisteme aksesi me kartë apo njohje fytyre, përmes të cilave matet koha e qëndrimit në punë. Lulëzimi i tregut të makinave me qira ka sjellë një erë tjetër edhe për sistemet e GPS, kurse tek individët kjo mbetet e zbehtë.

Si është interesi i biznesit për të instaluar një sistem sigurie me kamera, në rritje apo ulje?

Fundi i vitit 2017 pati rritje të konsiderueshme të kërkesës për të instaluar sisteme sigurie me kamera. Gjithashtu dhe viti 2018 ka filluar me rritje të jashtëzakonshme nga biznese të ndryshme për të instaluar kamera, si në tregun e shumicës edhe në atë të pakicës ka kërkesë të lartë për blerje. Qytetet kryesore me kërkesë të lartë blerje nga ajo që konstatojmë ne janë Tirana, Korça, Shkodra, Durrësi, Vlora, Saranda.

A është ndikuar kjo nga ligji që kërkonte vendosjen e një sistemi sigurie pranë bizneseve deri në fund të dhjetorit 2017 në kuadër të masave shtesë të sigurisë?

Masat që ka marrë policia kanë ndikuar shumë në kërkesën për vendosje të sistemeve të kamerave. Përmes një shkrese pak kohë më parë, Policia i dërgoi biznesit edhe kërkesën për marrjen e masave shtesë të sigurisë, që ka rezultuar me rritje të numrit të kamerave në një objekt, si dhe që kërkesa të jetë për një sistem profesional dhe jo një sistem ekonomik.

Çfarë sistemesh sigurie kërkojnë në përgjithësi bizneset, parametrat më tipike?

Në përgjithësi, bizneset e konsoliduara kërkojnë sisteme profesionale me kamera IP. Duke parë që kamerat janë një produkt specifik, bizneset marrin sugjerimin e një kompanie që bën instalimin e kamerave. Këto sisteme profesionale janë IP 4 Megapixel dhe 8 Megapixel, që janë niveli më i lartë i cilësisë.

Duke u bazuar në ligjin e masave shtesë të sigurisë, problem kryesor në zgjedhjen e një sistemi është koha e regjistrimit, qëështë 2 muaj. Kjo mund të zgjidhet në mënyra të ndryshme, por ne nëpërmjet trajnimeve për rishitësit, kemi sugjeruar që të instalohen sisteme të teknologjisë H265+, që ka një kompresim të lartë figure dhe kursen hapësirën e regjistrimit.
Bizneset e vogla dhe të mesme orientohen më shumë nga çmimi dhe ajo që këshillohet përgjithësisht janë sistemet TURBO HD nga 2 megapixel deri në 5 megapixel, të cilët janë sisteme ekonomike por që janë brenda parametrave të kërkuara nga ligji për masat shtesë të sigurisë.

Sa është kostoja minimale e instalimit të një sistemi me kamera te një biznes i madh dhe te një biznes i vogël?

Kostoja, kryesisht varet nga sasia e kamerave që do të instalohen në objekt. Kostot e instalimit fillojnë nga 400 euro për një sistem me 4 kamera analoge FULL HD. Në rastet e instalimeve profesionale, me kamera IP, çmimet variojnë nga 150 euro për 1 kamerë deri në 350 euro/copa.
Përgjithësisht kemi orientuar klientët që të instalojnë kamera smart, që bëjnë të mundur detektimin automatik të targave, njohjen e personave nga fytyra, apo numërimin automatik të njerëzve.

Çfarë profili kanë bizneset që kërkojnë më shumë elemente sigurie, për shembull fabrika, karburante, supermarkete, apo me radhë? Për çfarë arsye e kërkojnë?

Viti 2017 dhe fillimi i vitit 2018 ka detyruar instalimin e kamerave në të gjitha karburantet me opsionet për leximin automatik të targave dhe mbulimin e objektit me cilësinë FULL HD.
Bizneset, që kanë të punësuar një staf të madh, përveç sigurisë perimetrale, instalojnë kamera edhe për kontrollin e punës dhe stafit të tyre. Kryesisht objektet që instalojnë sisteme sigurie janë magazinat, karburantet, supermarketet, vilat, rezidencat, restorantet dhe baret.

Po nga individët, a ka kërkesë për instalim të sistemeve të sigurisë në banesë?

Kërkesat nga individë janë më të pakta se bizneset në këtë periudhë të vitit. Në rastet e banesave, apartamenteve, operojmë më shumë me instalimet e sistemeve të alarmit që monitorohen nga individët nëpërmjet telefonit. Po kështu, ka edhe disa zgjidhje smart, me sistem kamerash inteligjente që vendosen te dera e apartamentit (tek syri magjik) dhe monitorohen nga smartphone.
Në rastet e vilave, ka kërkesë të madhe për pajisje me sistem kamerash në perimetrin e jashtëm të objekteve.

Po sistemet ekstra, për shembull ato të aksesit me shenja gishti apo me njohje të fytyrës, a kërkohen nga biznesi? Si ka qenë kërkesa për vendosjen e GPS? Cilët i vendosin më shumë?

Monitorimi i punonjësve me akses kontrolli ka pasur rritje të konsiderueshme këto vite. Opsionet e monitorimit janë me anë të kartave të aksesit, me anë të shenjave të gishtit apo detektimit automatik të fytyrës. Përgjithësisht rekomandohet integrimi i të gjitha sistemeve në një të vetëm (kamera, alarm dhe akses kontroll). Sistemet GPS për gjurmimin e automjeteve janë gjithashtu të kërkuar. Viteve të fundit, rritja ka ardhur si efekt i kompanive të makinave me qira. Kompanitë që kanë një numër të madh automjetesh gjithashtu janë një klient potencial në këtë fushë. Tek individët, kërkesa për vendosje GPS është në një nivel më të ulët.

Cilat janë avantazhet që sjell instalimi i një sistemi sigurie për biznesin dhe për individin?

Instalimi i një sistemi sigurie te bizneset, së pari sjell rritjen e sigurisë nga vjedhjet e jashtme. Me anë të sistemeve të kamerave, mund të bëhet evidentimi në raste thyerjesh apo vjedhjesh gjatë ditës apo natës. Gjithashtu, sistemet e kamerave ndihmojnë bizneset për kontrollin e stafit të brendshëm, duke rritur dhe rendimentin në punë.
Instalimet e sistemeve të akses-kontrollit ndihmojnë në menaxhimin e stafit të kompanive, duke dhënë raporte për oraret e hyrje-daljeve dhe orëve të punës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of