Filantropia është pak e njohur për shqiptarët, pak e aplikuar nga bizneset dhe aq më pak, me një strategji të mirëpërcaktuar nga shumica e tyre. Në vitin 2017, shuma e dhuruar në formë filantropike ka qenë rreth 64 milionë lekë, me rënie 25 % nga 2016. Aktorët e tregut tregojnë se në vendin tonë, problem është kuadri ligjor që do të rregullonte këtë fushë, si dhe lehtësitë fiskale për bizneset që zbatojnë strategji të mirëfillta me projekte të përgjegjësisë sociale, jo vetëm me dhurime sporadike…
Nga Deada Hyka
Bizneset nuk mund të jenë të suksesshme kur shoqëria rreth tyre ka probleme. Për shumë kompani, nuk është e mjaftueshme thjesht të fitojnë para dhe të kënaqin klientët. Këto kompani shpesh fokusohen edhe për të dhënë diçka të vogël te punonjësit e tyre, komunitetin dhe botën në përgjithësi. Ne jetojmë në një epokë të artë të dhurimit filantropik nga korporatat kudo në botë, por në Shqipëri, të paktë syresh e kanë si pjesë të filozofisë së tyre të biznesit.
Kompani të shumta në mbarë botën dhurojnë shuma të mëdha parash për organizata dhe shkaqe të ndryshme bamirëse, ndërsa në Shqipëri, Përgjegjësia Sociale e Korporatave (PSK) është term i cili zbatohet kryesisht nga kompani ndërkombëtare. Megjithëse prej vitesh ka edhe përpjekje për t’u përgëzuar, edhe nga biznese të vogla. Qoftë për të përmbushur programin e përgjegjësisë sociale, apo si përpjekje për të përmirësuar imazhin e korporatës, e rëndësishme në këtë mes është se në fund të fundit, paratë të adresohen për qëllime filantropike, në të mirë të komunitetit.
Përgjegjësia Sociale e Korporatave ka të bëjë me bizneset që janë përgjegjës dhe të qëndrueshëm dhe që kanë ndikim pozitiv te punonjësit, klientët, bashkësia lokale, aksionerët dhe aktorë të tjerë. Kur Milton Friedman shkroi për herë të parë në 1970 për përgjegjësinë sociale, ishte një temë për të cilën ishte folur pak. Shumë njerëz supozojnë se PSK është praktikë vetëm për bizneset e mëdha dhe se nuk është rëndësishme për biznesin e vogël. Shpesh, drejtuesit e shohin përgjegjësinë sociale të korporatës si një burim tjetër presioni ose modeli kalimtar.
Juliana Hoxha, drejtuese e Partnerët Shqipëri, thotë për “Monitor” se, ndonëse përgjegjësia sociale është shpesh një mjet i përdorur për të përmirësuar imazhin nga kompani kryesisht telekomunikacioni apo industri ndotëse, mbetet një strategji, e cila duhet zbatuar më tepër. “Në Shqipëri, solidariteti njerëzor dhe i grupit, ka filluar të zbehet shumë vitet e fundit. Tani sheh ekstreme sociale dhe njerëz që nuk bëjnë asgjë në këtë drejtim. Fillimisht, ne studiuam sa njihet dhe sa aplikohet filantropia në vend.
Në studimin e parë vumë re se për çudinë tonë, biznesi dhuronte dhe jo pak. Si pjesë e grupit të studiuar prej 140 kompanish, nga të gjitha industritë, rezultonte se prej tyre dhurohej 3 milionë euro. Sa i përket natyrës së aktivitetit filantropik të bizneseve, dhurimet shkojnë kryesisht për çështje sociale”. Znj. Hoxha thekson se në Shqipëri, sidomos bizneset me kapital shqiptar, kanë mungesë strategjie të mirëfilltë në sektorin e PSK, çka bën që aktiviteti i tyre të jetë jo i strukturuar dhe me dhurime sporadike, në varësi të eventeve, përmirësimit të imazhit në kohë krize etj.
Aktiviteti filantropik në Shqipëri
Gjatë vitit 2017 janë dhuruar rreth 64 milionë lekë. Sipas raporteve të monitorimit të Partnerëve Shqipëri, me mbështetjen e Catalyst Balkans, platformë monitoruese në të gjithë Ballkanin, aktiviteti filantropik në vendin tonë, ndonëse ka pasur nxitje në përfshirjen e më shumë aktorëve, si biznese apo individë, në vlerë monetare ka rënë.
Nga viti 2015 në 2016, vlera e dhurimit ka pësuar rënie 52%, ndërsa janë shtuar rastet e përfshira në aktivitetet filantropike, me rreth 30%. Në vitin 2017, vihet re sërish një tendencë rënëse, e cila krahasuar me vitin paraprak, thuajse ka rënë me 25 %. Vlen për t’u theksuar se një nga arsyet pse vlera e raportuar ka pësuar ulje është sepse pjesa më e madhe e donatorëve nuk e raporton atë dhe parapëlqejnë të mbeten anonimë.
Sipas monitorimeve të bëra, tendenca e pandryshuar në tre vitet e fundit mbetet se Individët dhurojnë më shumë, ndjekur nga bizneset dhe më pas organizatat jofitimprurëse. Ndërsa Qarqet ku kryhet më tepër aktivitet filantropik janë Tirana, ndjekur nga Shkodra dhe më pas, Durrësi.
Në vitin 2016, muaji ku është dhuruar më tepër ka qenë gushti, ndërsa në vitin e kaluar, dhjetori. Kjo lidhet kryesisht me ardhjen e emigrantëve në Shqipëri, si dhe me festat, që janë motiv për aktivitete të tilla, qoftë individual, qoftë nga bizneset për imazhin e tyre. Gjetje të tjera nga raportet e monitorimeve ndër vite tregojnë se dhurimet janë kryesisht në formë monetare, mbi 50% për të tria vitet e analizuara, ndjekur nga shërbimet dhe më pas, mallra. Fushat për të cilat dhurohen janë ndihmë ekonomike, ndjekur nga aktivitete filantropike në fushën e shëndetësisë dhe më pas, në arsim.
Raportet e Partnerëve Shqipëri tregojnë se në 8 vite monitorim, fusha e mjedisit nuk është e prekur fare në aktivitetet filantropike, tendencë e cila në botë është e lëvruar, kryesisht nga industritë ndotëse. Sipas raporteve të Partnerëve Shqipëri, pjesa më e madhe e dhuruesve zgjedhin të dhurojnë direkt te përfituesi, ose nëpërmjet institucioneve publike. Dy vitet e fundit, rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe fushatat e ngritura në median vizive dhe sociale, si dhe eventet e bamirësisë.
Sa i përket një tjetër raporti të publikuar vitin e shkuar, nga Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Catalyst Balkans, në një monitorim të 108 ndërmarrjeve në Shqipëri në vitin 2016, 83% e tyre pohojnë se kryejnë aktivitet filantropik.
Ky përfundim u arrit pavarësisht natyrës, madhësisë dhe shpeshtësisë së aktivitetit filantropik të bizneseve. Në të gjithë sektorët ekonomikë, mbi 67% e ndërmarrjeve të intervistuara kryejnë aktivitet filantropik, përveçse në sektorin “arte, argëtim dhe çlodhje” (konkretisht loto sporti), ku asnjë ndërmarrje e intervistuar nuk kryen aktivitet filantropik. Ajo çka evidentohet është se 100% e ndërmarrjeve në sektorin e telekomunikacionit, aktivitetit financiar dhe sigurimeve, si dhe në industrinë nxjerrëse, kryejnë aktivitet filantropik.
Të dhënat e studimit tregojnë se origjina e kapitalit nuk është përcaktuese në kryerjen e filantropisë, pasi përqindja e ndërmarrjeve me kapital të huaj dhe atyre me kapital shqiptar që kryejnë aktivitet filantropik është pothuajse e njëjtë. Nga raporti vërehet se ka një lidhje midis qarkullimit mesatar vjetor dhe aktivitetit filantropik, pasi mbi 80% e ndërmarrjeve me qarkullim mesatar vjetor mbi 8 milionë lekë kryejnë aktivitet filantropik. Një tjetër gjetje nga raporti tregonte se shumica e ndërmarrjeve me kapital të huaj (69%) kanë një kuptim të saktë të filantropisë. Ndërkohë që 49% e ndërmarrjeve me kapital shqiptar e barazojnë filantropinë me bamirësinë, 5% e tyre e barazojnë me sponsorizimin.
Nga vjen bamirësia
Vullneti personal i CEO-s/pronarit rezulton si arsyeja kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik nga 49% e ndërmarrjeve, e ndjekur nga mbështetja e grupeve shoqërore në nevojë, e zgjedhur si arsyeja kryesore nga 31% e ndërmarrjeve. Vërehet se arsyet që lidhen me interesat e biznesit (përmirësimi i imazhit të biznesit, përputhja me strategjinë e biznesit, tradita e kompanisë) janë më pak të zgjedhura si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik.
Përfitimi nga lehtësitë fiskale, një ndër arsyet e renditura në pyetësor, nuk është përzgjedhur nga asnjë ndërmarrje si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik. Nga 130 ndërmarrje të marra në studim, 22 nuk kryejnë aktivitet filantropik. Arsyeja kryesore për moskryerjen e aktivitetit filantropik për 59% të ndërmarrjeve është mungesa e buxhetit. Dy ndër arsyet e tjera që u përzgjodhën nga ndërmarrjet janë: mungesa e informacionit mbi grupet në nevojë (9%) dhe konsiderimi i filantropisë si një aktivitet që kërkon mobilizim burimesh njerëzore (9%).
Nga sondazhi vihet re se mbi 70% e aktivitetit filantropik nga ndërmarrjet në sektorin e ndërtimit, industrinë nxjerrëse dhe sektorin e aktivitetit financiar, kryhet në formën e mbështetjes financiare, ndërkohë që mbi 50% e aktivitetit filantropik në sektorin e tregtisë dhe akomodimit e shërbimit ushqimor kryhet në formë mallrash dhe produktesh. Ndërmarrjet në sektorin e transportit dhe sektorin e aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike, e kryejnë mbi 55% të aktivitetit të tyre filantropik në formën e shërbimeve. Pra, vihet re një lidhje midis sektorëve dhe formës së kryerjes aktivitetit filantropik.
Zbutja e varfërisë nëpërmjet ndihmës ekonomike (49%), rezulton të jetë fusha kryesore e kryerjes së aktivitetit filantropik nga ndërmarrjet, e ndjekur nga arsimi (14%), shëndetësia (12%), arti/kultura (8%). Përveç fushave të renditura, të intervistuarit kanë përmendur dhe fusha të tjera, si: strehimi (agjencitë e pasurive të patundshme) dhe turizmi (agjencitë e udhëtimit).
Vetëm 19% e ndërmarrjeve që kryejnë aktivitet filantropik shprehen se kanë një punonjës përgjegjës të PSK. 55% e ndërmarrjeve që kanë një person të PSK shprehen se ky pozicion është pjesë e departamentit të marketingut, marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin, ndërkaq në 15% të ndërmarrjeve punonjësi i PSK është pjesë e departamentit të burimeve njerëzore.
Rrjeti shqiptar i PSK
Në Shqipëri, Rrjeti i PSK-së u krijua si një përgjigje ndaj nevojës në rritje që kompanitë t’i bëjnë pjesë të praktikave të tyre, por edhe për ta promovuar në Shqipëri. Rrjete të ngjashme ekzistojnë në të gjitha shtetet europiane, rrjeti i parë për PSK-në në Shqipëri u themelua në vitin 2014 dhe aktualisht, ka 19 anëtarë. Presidenca bëhet me rrotacion çdo vit. Burime nga ky rrjet tregojnë për “Monitor” se synimi është ndërgjegjësimi për çështjet e përgjegjësisë sociale, bazuar edhe nga përvoja europiane e rrjetit CSR ku Shqipëria aderon.
Programi qeveritar
Në Shqipëri, në fund të vitit 2011, Ministria e Ekonomisë, së bashku me PNUD hartuan një plan masash për një periudhë që do të zgjaste deri në vitin 2014. Më së shumti janë ndërmarrjet e mëdha ato që zbatojnë praktikat e përgjegjësisë sociale, pasi ato kërkojnë kapacitete, por edhe kapital, që në rastin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë të kufizuara.
Bashkimi Europian është duke ndërmarrë politika nxitëse që PSK të futet edhe te këto segmente, duke nxitur edhe një debat në lidhje me faktin nëse duhet të ruhet emërtimi Përgjegjësi Sociale e Korporatave, ndërsa është arritur në përfundimin se termi duhet të ndryshojë në Përgjegjësi Sociale të Sipërmarrjes. Plani i masave i krijuar për periudhën 2011-2014 do të rishikohet në kuadër të hartimit të Strategjisë së Biznesit dhe Zhvillimit të Investimeve 2014-2020, në bashkëpunim edhe me Forumin Shumëpalësh, në mënyrë që të përshtaten me reformat e reja. Në këtë plan parashikohet që të krijohen politika të favorshme edhe për të nxitur zbatimin e praktikave të përgjegjësive sociale edhe te Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Lehtësitë fiskale do të nxisnin filantropinë nga bizneset
“Në kushtet ku financimet në vend janë reduktuar, pavarësisht se BE është donatori kryesor, diversifikimi i donatorëve është shumë i vogël. Në këtë kuadër, ideja e monitorimit të aktivitetit filantropik si dhe studimi i realizuar vetëm me bizneset është që OJF-të në vend të shohin në mënyrë më strategjike aleatët që shkojnë përtej mbështetjes financiare, sic është sektori privat. Sektori i biznesit ka një lloj tjetër përqasje ndaj problematikës së tregut, edhe për hatër të imazhit të vet, ndryshe nga donatorët që janë të orientuar kryesisht ndaj sektorit jofitimprurës “- thotë znj. Hoxha, drejtore e Partnerëve Shqipëri për Monitor.
Ajo tregon se ndër gjetjet më interesante të raportit për Aktivitetin filantropik të bizneseve në Shqipëri, apo edhe nga tryezat e bisedave me bizneset janë arsyet që nxitin bizneset të dhurojnë. “Edhe nga studimi që kemi zhvilluar me bizneset qysh në vitin 2011, përveç incentivave fiskale të munguara që është arsyeja e parë , e dyta kishte të bënte me mirënjohjen publike. Bizneset dëshironin që aktiviteti filantropik të ishte i njohur publikisht. Nga këto arsye lindi dhe ideja e ceremonisë së dhënies së çmimeve filantropike. “ – thotë ajo.
Sipas znj. Hoxha, përmes tryezave me bizneset dhe aktiviteteve me to, shqetësimi kryesor i tyre në fushën e filantropisë është fakti që në Shqipëri nuk ka një kuadër ligjor që e rregullon këtë fushë. Bizneset të cilat duan të kryejnë aktivitet filantropik, stepen për shkak se ndryshe nga shumë shtete edhe në rajon mungon raportimi i shumës së dhuruar në deklaratat e bilanceve që bizneset dorëzojnë.
Nga ana tjetër, një pjesë e ndërmarrjeve që kryejnë aktivitet filantropik nuk i shfrytëzojnë as ato pak lehtësira fiskale që ofron legjislacioni ekzistues “Për Sponsorizimet” për shkak të mendësisë së keqinterpretimit nga organet tatimore si evazion fiskal. Prandaj, bizneset kërkojnë që të ketë incentiva fiskale në këtë drejtim. Ka shumë forma praktikash të mira edhe në rajon, ku Maqedonia kryeson përsa i përket kuadrit ligjor mbi filantropinë. Partnerët Shqipëri është duke përgatitur disa studime në këtë drejtim, të cilat mund të shërbejnë shumë mirë si një advokim për rregullimin e kuadrit ligjor ekzistues në Shqipëri.
Tendencat e zhvillimit të aktivitetit filantropik
– Tre faktorët nxitës për kryerjen e aktivitetit filantropik nga bizneset janë: më shumë lehtësi fiskale, partnerë të besueshëm për zbatimin e programeve filantropike dhe më shumë informim rreth programeve ku mund të kontribuohet.
– Pasiguria në performancën ekonomike të biznesit e lidhur me mungesën e angazhimit në formën e një strategjie mbi PSK përcaktojnë dhe pasigurinë në vazhdimësinë e aktivitetit filantropik. Ndërkohë që 68% e ndërmarrjeve që kryejnë filantropi kanë dhuruar gjatë vitit 2016, vetëm 27% e ndërmarrjeve shprehen se kanë një buxhet të planifikuar për dhurime për vitin pasardhës. Këto janë kryesisht ndërmarrje që kanë një dokument strategjik mbi PSK dhe me kapital të huaj.
Rajoni, Shqipëria më pak filantropike
Sipas raporteve të Monitorimit të Catalyst Balkan, rezulton se Shqipëria renditet e fundit për sa i përket aktivitetit filantropik krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se monitorimi bazohet në rastet e publikuara nga media, vihet re se ka mungesë raportimi të rasteve të dhurimit në mediat shqiptare, veçanërisht ato lokale.
E para në listë, në vitin e fundit të studimit, që është 2016, rezulton Serbia. Edhe Kosova ka më tepër aktivitete të tilla krahasuar me vendin tonë, nxitur nga dhurimet e individëve të diasporës. Maqedonia, Mali i Zi, si dhe Bosnjë-Hercegovina kanë një strategji më të qartë në këtë drejtim, çka e bën Shqipërinë të jetë e fundit në këtë listë.
Sa bujare janë bankat shqiptare
Sipas raportit më të fundit të Shoqatës së Bankave në Shqipëri, Përgjegjësia Sociale e Korporatave ka qenë një strategji e lëvruar në disa tematika nga institucionet bankare në vend, pjesa më e madhe e të cilave përfshijnë objektivat globale të Strategjisë së Kombeve të Bashkuara 2030. Më poshtë, sipas fushave dhe shumës:
-Nxitja e shoqërive paqësore dhe përfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i aksesit në drejtësi për të gjithë dhe ndërtimi i institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe përfshirëse në të gjitha nivelet. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 23,000 EUR.
-Fuqizimi i mënyrave të vënies në zbatim dhe rigjallërimi i partneritetit botëror për zhvillim të qëndrueshëm. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 100,000 EUR
-Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave të gjelbra në shkretëtirë, ndalimi i degradimit të tokës dhe humbjes së biodiversitetit. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 20,000 EUR
-Marrja e masave urgjente për të luftuar ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre.
Kontributi i sistemit bankar gjatë këtij viti. Mbi 32,000 EUR.-Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 5,000 EUR
-T’i bëjmë qytetet dhe vendbanimet njerëzore gjithëpërfshirëse, të sigurta, rezistente dhe të qëndrueshme. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 140,000 EUR
-Zvogëlimi i pabarazisë ndërmjet vendeve. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 20,000 EUR.
-Ndërtimi i infrastrukturave rezistuese, nxitja e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitja e novacionit. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 230,000 EUR-Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim i plotë dhe produktiv dhe punë e denjë për të gjithë.
Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 10,000 EUR-Sigurimi i lidhjes me energji të përballueshme, të sigurt, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë. Bashkë me nismat e ndërmarra për kursimin e energjisë dhe ndikimin pozitiv në mjedis, portofoli për produktet ekologjike në sistemin bankar arriti në 42 milionë EUR.
-Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: 3,800 EUR.
-Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 3,500,000 EUR.
-Sigurimi i jetëve të shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë dhe në të gjitha moshat. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 150,000 EUR.
-Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe përmirësimi i të ushqyerjes, dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme. Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: mbi 32,000 EUR dhe kontribute bamirësie nga punonjësit e bankave.
-Eliminimi i varfërisë të të gjitha formave në të gjithë botën Kontributi nga sistemi bankar përgjatë gjithë vitit: Mbi 14,000 EUR dhe kontribute bamirësie nga punonjësit e bankave.
Burimi: Raporti 2016 CSR, AAB
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.