Përfundon “odiseja” në Doganën e Kosovës.
Nga Laura Çela
Rasti i bllokimit të mauneve që transportojnë mallra nga Shqipëria në Kosovë, si pasojë e një vendimi të Doganës së Kosovës, që shtonte kostot e bizneseve, ishte i fundit i shënuar në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Kjo ngjarje duket tashmë si një “skenar” që përsëritet çdo dy-tre muaj në kufijtë shqiptarë, që nga problematika me çimenton, pataten, etj.
Kjo ndodh në një kohë kur tregtia me Kosovën është rritur ndjeshëm tre vitet e fundit, si pasojë e përmirësimit të infrastrukturës dhe ekspansionit kryesisht të bizneseve nga Shqipëria atje.
“Është për të ardhur keq, që ne hasim sot këto pengesa kur janë bërë investime të mëdha, si rruga Durrës-Kukës, që ka kushtuar rreth 1 miliard euro, për të qenë shumë më të lidhur me Kosovën”, thotë Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe Hyzer Gashi, i cili është importues i produkteve nga Shqipëria në Kosovë.
“Si shqiptar që jam, kërkoj që në tregun e Kosovës të tregtoj sa më shumë produkte nga Shqipëria, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Në kushtet kur qeveritë e dy vendeve nuk bashkëpunojnë për të lehtësuar tregtinë, por vetëm e vështirësojnë atë, nuk po bëhet gjë tjetër, veçse po favorizohen konkurrentët serbë”, thotë z. Gashi.
Sipërmarrësit kërkojnë që doganat mes dy vendeve të unifikohen për t’i dhënë njëherë e përgjithmonë fund problematikave në kufi.
“I bëj thirrje qeverisë së re që të zhdukë doganën me Kosovën dhe ta unifikojë atë. Kemi parë se çka ndodhur në Europë dhe jemi të bindur se, nëse ekziston vullneti i qeverive, kjo është shumë lehtë e realizueshme. Nëse kjo realizohet, tregtia mes dy vendeve do të intensifikohet edhe më shumë”, thotë Zef Shtjefni, president i dy kompanive të prodhimit të tullave në vend, i cili tregton 50% të produkteve të tij në Kosovë.
Shifrat zyrtare tregojnë se produktet nga Shqipëria zënë vetëm 25% të totalit të importeve në Kosovë, pjesa tjetër ndahet më së shumti nga produktet serbe, maqedonase apo sllovene.
Rasti
Pas një odiseje disaditore në kufirin Shqipëri-Kosovë, bizneset nga të dyja vendet vendosën t’i japin fund bllokimit të mauneve në doganë.
Protesta u nxit nga një vendim i Doganës së Kosovës që i detyronte kamionët dhe automjetet e bizneseve të dy vendeve, që nga data 1 gusht, të përpunoheshin në terminale private, ku vetëm parkimi kushtonte 40 euro.
Të gjitha automjetet transportuese të mallrave që vinin nga Shqipëria duhet të ndryshonin destinacionin e tyre nga distributorët apo konsumatorët drejt terminalit doganor privat në qytetin e Prizrenit, Ferizajt apo Prishtinës, ku duhet të kryenin veprimet doganore.
Kjo çoi në reagimin përfaqësues të bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët ngritën shqetësimin për goditjen e tyre. Ata kanë reaguar në një konferencë për shtyp lidhur me pengesat që po hasnin me tregtinë mes dy vendeve.
Më të goditura ishin produktet e tullave dhe të qeramikës, me çmimet e produkteve të tullave, produkteve të qeramikës, që janë rritur rreth 12%, si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve.
“Industria e tullave ka ndër volumet më të mëdha të eksporteve me Kosovën dhe prandaj është ajo që ka humbur më shumë nga ky vendim”, tha Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.
Sipërmarrësit ngritën shqetësimin se kjo situatë ka favorizuar bizneset serbe, të cilët, në kushtet e situatës së vështirë në kufirin verior të Kosovës, i fusin një pjesë të madhe të mallrave në këtë vend duke shmangur doganat.
Ylber Gashi, që përfaqësonte 150 bizneset nga Kosova, tha se kjo situatë po favorizon produktet serbe. “Gjithçka na bën të mendojmë që është ndikimi i tyre, pasi nuk ka interes për konsumatorin e Kosovës që të haset me të tilla pengesa”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.