Në fillimi të muajit gusht media shqiptare ishte e mbushur me tituj mbi çmimet e kripura të biletave të kompanive ajrore për të udhëtuar në Shqipëri nëpërmjet aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas – i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit.
Menaxhimi këtij aeroporti nëpërmjet një kontrate koncesionare të dhënë në vitin 2004, është cilësuar shpesh nga ekspertët si një nga arsyet për mungesën e të ashtuquajturave kompanive ajrore “low cost” dhe çmimeve të larta të biletave.
Sipas të dhënave financiare të siguruara nga BIRN, fitimet e Tirana Aeroport Partners – kompanisë që menaxhon koncesionin e aeroportit – vetëm gjatë viti 2015 u rritën me 32%.
Ngjashëm me Tirana Aeroport Partners, kompanitë kryesore koncesionare në Shqipëri – të monitoruara nga BIRN mbi nivelin e të ardhurave dhe normat e fitimeve të realizuara nga aktivitetet e tyre kryesisht monopolistike – lulëzuan gjatë vitit të shkuar.
Të dhjeta koncesionet e monitoruara duke përdorur bilancet që publikohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, patën të ardhura të përbashkëta prej 12 miliardë lekësh gjatë vitit 2015, (rreth 85.6 milionë euro) me rritje 31 për qind ose 20 milionë euro në krahasim me vitin 2014.
Shtimi i xhiros së koncesioneve me 31 për qind gjatë vitit 2015 vjen në një kohë kur ekonomia në tërësi ka përjetuar rritje nominale prej vetëm 5 për qind.
Rritja e të ardhurave të këtyre koncesioneve është krijuar më së shumti nga kompani të tilla si Aeroporti i Rinasit dhe ALEAT, kompania e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit – e cila fitoi fillimisht një koncesion trevjeçar në vitin 2009 dhe më pas, përfitoi shtyrje të afatit të koncesionit për 30 vjet pa ndonjë garë formale në vitin 2012, kur kontrata e parë po skadonte.
Dhjetë koncesione të përzgjedhura nga BIRN për monitorim përbëjnë një pjesë e vogël të koncesioneve të dhëna në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit dhe janë përzgjedhur për shkak se ofrojnë në përgjithësi shërbime që zëvendësojnë funksionet e shtetit, ose kanë krijuar monopole ligjore në segmente të caktuara të ekonomisë duke u bërë shqetësim për zhvillimin ekonomik të vendit.
Një investigim i vitit të kaluar zbuloi se koncesionet janë praktikisht bizneset më fitimprurëse në Shqipëri dhe se pronarët e këtyre bizneseve kanë përfituar qindramilionë euro përgjatë viteve të fundit, ndërsa pozicioni i tyre përgjithësisht monopolist i ka lejuar të mbajnë norma fitimi përrallore pavarësisht se pjesa tjetër e ekonomisë ka vuajtur nga kriza.
Por lista e koncesioneve me vlerë të debatueshme është shtuar gjatë vitit të fundit me koncesione të reja të dhëna nga qeveria aktuale dhe pritet të shtohet më tutje me koncesionin e Rrugës së Kombit. ( marrë me shkurtime).
/ BIRN / Gjergj Erebara
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.