Përfaqësuesit e Shoqatave dhe Biznesit dhe ekspertët flasin për Monitor lidhur me funksionimin e Gjykatës Administrative, që nusi nga puna në 4 nëntor….
Hallka e munguar e zinxhirit të drejtësisë… por duhet mbajtur nën vëzhgim
Flet av. Përparim Kalo, partner menaxhues “Kalo & Associates”
Z. Kalo, si avokat dhe drejtues i një prej zyrave të avokatisë që ka përvojë të gjatë në çështjet e së drejtës tregtare, besoj se keni ndjekur me interes procesin e miratimit me ligj të Gjykatës Administrative. Mendoni se funksionimi i saj është domosdoshmëri dhe se më në fund, “hallet” e biznesit me administratën publike do të zgjidhen drejt nga kjo gjykatë?
Ju falënderoj që kërkoni opinionin tim për një çështje të debatuar gjatë e madje të kthyer në “kalë beteje” mes forcave politike. Për të nënvizuar rëndësinë e kësaj gjykate sjell në kujtesë deklaratën publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara kur ligji që do t’i hapte rrugë krijimit të gjykatës nuk po miratohej në Kuvend. “Populli amerikan ka treguar bujari, duke mbështetur thellësisht zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë”, thuhet në atë deklaratë. Që prej vitit 1991, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë mbi 700 milionë dollarë ndihmë për Shqipërinë, duke përfshirë programe të përqendruara në uljen e korrupsionit, duke garantuar siguri më të madhe dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh keqardhjen që për shkak të mungesës së legjislacionit për Gjykatat Administrative të ndalet mbështetja e një nisme që është vlerësuar si e rëndësishëm nga të gjithë shqiptarët.
Krijimi i Gjykatës Administrative është komponent i Programit të Pragut të Sfidave të Mijëvjeçarit të Ri dhe synon të forcojë kapacitetin e gjyqësorit, të zvogëlojë mundësitë për veprimtari korruptive dhe të krijojë besim tek investuesit nëpërmjet krijimit të një sistemi gjyqësor. Të gjitha sa përmendën më lart janë pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe USAID në muajin shtator të vitit 2008, me një vlerë rreth 15 mijë dollarë amerikanë. Sipas marrëveshjes, programi përfshin trajnimin e gjyqtarëve të sapoemëruar, dhe të prokurorëve dhe avokatëve në fushën e së drejtës administrative; hartimin e manualeve dhe udhëzimeve për përfaqësuesit e administratës publike që do të përfshihen në gjykimet përkatëse; dhënien e ndihmës teknike dhe logjistike për Gjykatën e re Administrative të Tiranës; përshtatjen e sistemit kombëtar të administrimit të çështjeve që mundëson ndjekjen e statusit të çështjes nga depozitimi deri në dhënien e vendimit përfundimtar; rritjen e transparencës nëpërmjet botimit të vendimeve si dhe edukimin e qytetarëve në lidhje me sistemin e Gjykatës Administrative. Pra, flitet për një program ambicioz e mjaft kompleks. Në kohën që diskutohej projektligji, si çështje më të rëndësishme shiheshin nivelet e gjykatave, kriteret e emërimit të gjyqtarëve, etj.
Qeveria e re që doli pas zgjedhjeve të 23 qershorit duket se e kishte në axhendë funksionimin e Gjykatës Administrative mesa duket, sepse ajo ka nisur punën më 4 nëntor…
Kam pikëpamje të ndryshme për përkufizimin e qeverisë. Sipas konceptit tim, qeveria është “e re” kur ndërron sistemi si rrjedhojë e ngjarjeve të jashtëzakonshme, ndërsa në kushtet e demokracisë, ajo s’mund të jetë as “e re” e as “e vjetër”, por është një – qeveria shqiptare – dhe si e tillë nuk mundet që forca ose forcat politike që fitojnë të drejtën që të qeverisin vendin për një apo disa mandate, të humbasë kujtesën institucionale, d.m.th të tregohet indiferente në përmbushjen e detyrimeve ligjore si dhe afateve që burojnë nga ligje që janë në fuqi. Në këtë kontekst, personalisht nuk kam vënë re ndonjë hezitim nga qeveria për të vazhduar punën për përmbushjen e reformave të nisura, e për ta thelluar atë në disa sektorë, sipas premtimeve të fushatës elektorale, si dhe për të ndërmarrë edhe reforma të reja, sipas rastit.
Edhe fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative e shoh si pjesë të këtij procesi pohues, dhe detyrim institucional, në përmbushje të kërkesës së biznesit vendas e të huaj si dhe faktorit ndërkombëtar.
Cilat mendoni se janë avantazhet që sjell funksionimi i Gjykatës Administrative?
Sigurisht që shtimi i kësaj hallke të re në “zinxhirin” e sistemit gjyqësor në pamje të parë duhet vlerësuar si një hap përpara, në përpjekjet për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri dhe përmirësimit të imazhit. Me keqardhje vura re se Shqipëria kishte zbritur pesë vende më poshtë në renditjen e Bankës Botërore, në kuadrin e vlerësimit të kushteve që ofrojnë shtetet në drejtim të asaj që quhet “Të bësh biznes”.
Krijimi i një trupe të specializuar gjyqësore për të gjykuar ekskluzivisht mosmarrëveshjet me administratën shtetërore në 6 gjykata të nivelit të parë dhe 6 gjykata të nivelit të dytë (gjykatat administrative të apelit) nuk ka si të mos shikohet si një premisë që mund t’i shërbejë përmirësimit të nivelit të gjykimit profesional si nga ana formale, ashtu edhe procedurale.
Një ndër avantazhet thelbësore që sjell ligji për mënyrën e funksionimit dhe gjykimit të çështjeve administrative është ai i kalimit të barrës së provës organit administrativ që ka marrë vendimin administrativ që është objekt gjykimi, si palë në procesin e gjykimit. Pra, detyrimi për të vërtetuar me prova lëshimin e një akti administrativ, ka të ngjarë të zvogëlojë edhe numrin e çështjeve për gjykim në të ardhmen, pasi administrata publike do të bëhet më e përgjegjshme dhe do t’i funksionojë më mirë valvula përkatëse në procesin e nxjerrjes së akteve administrative dhe arsyetimin e tyre.
Një avantazh tjetër, që gjithsesi vlen të vëzhgohet nëse do të zbatohet në praktikë, është afati i shkurtër i gjykimit të çështjeve administrative. Them që vlen të vëzhgohet pasi edhe sot që flasim, kuadri ligjor në fuqi përcakton afatin 30-ditor si afat për shqyrtimin e ankimeve administrative, por ky afat është shkelur e stërshkelur dhe për këtë shkelje nuk ka mbajtur përgjegjësi askush; të paktën unë nuk di ndonjë rast të tillë.
Për sa i përket pritmërisë që ka biznesi ose organizatat e ndryshme që përfaqësojnë atë, se me krijimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative, fusha përpara nesh do të mbushet me lule ngjyra-ngjyra, do të ishte naivitet të shpresohej kjo. Gjykata Administrative nuk mund të jetë e paprekshme nga fenomene të tilla si korrupsioni apo varësia ndaj politikës. Sigurisht, fakti që palët në procesin administrativ janë organi shtetëror dhe pala private, na bën të besojmë se në parim praktikat korruptive të togave të zeza që do të gjykojnë në këtë gjykatë do të anojnë nga ana tjetër. Pra lufta kundër këtyre praktikave duhet të zhvillohet kryesisht nga organizatat përfaqësuese të biznesit, por të ketë duart e pastra, pasi pala tjetër – organi administrativ – nuk mund të mendohet si korruptues.
Ndërkohë garancia që duhet të ofrojë shteti është, së pari, përzgjedhja dhe promovimi i gjyqtarëve duke zbatuar në mënyrë sa më strikte parimin e meritueshmërisë.
Emërimi pas seleksionimit me konkurs mund të shihet si faktor që mund ta bëjë më të besueshëm Gjykatën Administrative nga ana profesionale, por gjithsesi ndikimi i shtetit në vendimmarrjen e saj është diçka që kërkon vëmendjen e biznesit dhe të shoqërisë në tërësi, e të shtypit në veçanti, që duhet të denoncojnë çdo rast të mundshëm të ndërhyrjes së shtetit në procesin e gjykimit për të ndikuar sadopak në rezultatin e tij.
A ka vend për të përmirësuar më tej kuadrin ligjor në fushën e së drejtës administrative dhe të funksionimit të Gjykatës Administrative?
Gjatë konsultimit të projektligjit, mbaj mend që u bënë një sërë sugjerimesh në lidhje me mundësinë e sanksionimit me ligj të precedentit që krijohet nga vendime të organizmave që janë krijuar e funksionojnë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare ku aderon Republika e Shqipërisë si OBT, OBSH, ILO, etj., thjesht e vetëm për të ngushtuar diskrecionin që përdoret sot në gjykatat e zakonshme, gjë që shihet si një ndër faktorët që mund të cenojë integritetin e procesit dhe lë shteg për gjykime të padrejta.
Po kështu, një propozim tjetër kishte të bënte me mënyrën e caktimit të çështjeve, si një ndër pikat e dobëta që ka evidencuar në mënyrë konstante BE në Raportin e Progresit. Me fjalë të tjera, propozimi thoshte që ligji të sanksiononte transparencën e shortit në ndarjen e çështjeve (mundësisht në prani të palëve) për të hequr çdo dyshim në paracaktimin, që në fund të fundit “përkthehet” në paragjykim të çështjes.
Këto e të tjera ndryshime të mundshme, përveç vullnetit politik, sigurisht kërkojnë studim konkret, si dhe përthithjen e përvojave më të mira në rajon. P.sh. një përvojë që mund të merrej në konsideratë në këtë drejtim është ajo e Kuvendit të Kosovës që ka arritur të miratojë me ligj njohjen e drejtpërdrejtë të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke i bërë ato të detyrueshme për gjykatat vendase.
————-
Nuk ka më kohë për zhgënjime
Flet Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm
Pas shumë orvatjesh, Gjykata Administrative ka nisur nga puna më 4 nëntor, cili është opinioni juaj në lidhje me finalizimin e këtij procesi?
Natyrisht, që fillimi i punës së Gjykatës Administrative është i mirëpritur dhe njëkohësisht kënaqësi e veçantë për Konfindustrinë, me cilësinë e institucionit nismëtar të krijimit të kësaj hallke të munguar të rëndësishme të sistemit gjyqësor shqiptar. Kujtoj pikërisht vitin 2007, kur ligji i ashtuquajtur i “gjobave” rëndoi në mënyrë skajore balancën e drejtësisë biznes-shtet në favor të këtij të fundit dhe detyroi Konfindustrinë të kundërpërgjigjej me kërkesën ligjore për të krijuar institucionin, që do të siguronte teorikisht paanshmërinë e gjykimit. Vullneti i z. Berisha u tregua menjëherë me vënien në lëvizje të ekzekutivit dhe njëkohësisht personalisht z. Rama më dha mbështetjen e plotë. Duhet të theksoj dhe punën mjaft profesionale të ministrit të Drejtësisë, z. Alibeaj, në përgatitjen e projektligjit përkatës sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe realitetit shqiptar. Pas këtij fillimi premtues për të dalë me zë të vetëm për themelimin e një institucioni të munguar dhe të domosdoshëm, vazhdimi ishte zhgënjyes. Opozita politike e kohës bllokoi procesin pa u kuptuar asnjëherë se cilat ishin arsyet e vërteta. Gjashtë vjet vonesë janë vërtet shumë!
Çfarë ka humbur biznesi deri tani nga mungesa e këtij institucioni, por qoftë edhe nga vonesa në ngritjen e tij?
Jo vetëm biznesi, por edhe qytetarët shqiptarë kanë humbur shumë në përballjen e tyre të përditshme me institucionet shtetërore. Humbjet janë financiare të drejtpërdrejta dhe, edhe me shumë goditje psikologjike. Institucionet shtetërore bënin dhe ende bëjnë njëkohësisht edhe rolin e policit me penalizime dhe “de facto” edhe të gjykatësit. Bizneseve dhe qytetarëve u prihej çdo shpresë dhe çdo shtysë për të kërkuar të drejtën e tyre në kushtet e mungesës së një institucioni të paanshëm në gjykim. Shqipëria ishte vendi i vetëm jo vetëm i vendeve të BE-së, por edhe në rajon, që nuk kishte Gjykatë Administrative. Në kushte të tilla kuptohet sesa e fortë është shtysa për korrupsion, bllokim investimesh dhe njëkohësisht për të mos shtyrë institucionet për modernizim.
Çfarë avantazhesh pritet të sjellë në trajtimin e konflikteve për biznesin?
Shpejtësia e gjykimit, lënia e barrës së provës institucioneve ndëshkuese, hapësira e gjerë e llojit të ankesave administrative dhe mundësia për rritjen e cilësisë së gjykimit janë epërsitë kryesore, që jep ligji përkatës.
Sa optimist (apo skeptik) jeni për efikasitetin që do të ketë ky institucion?
Asnjëherë nuk e kemi menduar, se efikasiteti i Gjykatës Administrative do të arrihej, që në çastin e parë të krijimit saj. Duhet kohë për të arritur cilësinë, por natyrisht është e nevojshme, që fillimisht duhet të kemi një institucion dhe pikënisje. Megjithatë jam i sigurt, që gjendja e sotme e papranueshme në përballjen shtet-biznes/qytetarë do të ndryshojë pozitivisht, që në fillim të funksionimit të Gjykatës Administrative. Profesionalizmi i gjyqtarëve është pika më e dobët. Më ka mbetur peng fakti, që deputetët e të gjitha ngjyrave politike në një zë të vetëm si rrallëherë ka ndodhur, kundërshtuan kërkesën e Konfindustrisë, që të paktën 1/3 e gjyqtarëve administrativë të kishin edhe arsim profesional të fushave, që gjykohen si financë, kontabilitet, inxhinier, etj. Në fakt, kjo ishte përvoja sipas standardeve të vendeve më të zhvilluara të BE-së dhe më tej. Pikërisht për të rritur cilësinë e domosdoshme dhe të shumëpritur të gjykimit!
Në opinionin tuaj, çfarë masash duhet të merren (nga qeveria) për garantimin e funksionimit, por edhe të moszvarritjeve të konflikteve, si kosto që mbarten ndër vite?
Qeveria duhet të sigurojë kushtet materiale të funksionimit normal, të mbështesë modernizimin e institucioneve për rritjen e profesionalizmit në përballjen me biznesin dhe njëkohësisht së bashku me Këshillin e Lartë të Drejtësisë të kryejë edhe monitorimet e domosdoshme. Paaftësia e gjykatësve dhe korrupsioni në Gjykatën Administrative janë me kosto të larta financiare për shtetin dhe biznesin. Nëse kjo ndodh nuk kemi bërë asgjë dhe do të ishte zhgënjim i madh dhe me pasoja të renda.
Cilat janë pritshmëritë që keni për ndryshimin e mentalitetit që kjo Gjykatë mund të sjellë në trajtimin e konflikteve?
Mundësitë janë të mira. Të shpresojmë.
——————
Në pritje të zgjidhjeve të problemeve të vjetra e të reja
Flet Bardhi Sejdarasi, drejtor i përgjithshëm i BiznesAlbania
Pas shumë orvatjesh, Gjykata Administrative ka nisur të funksionojë, cili është opinioni i BiznesAlbania në lidhje me finalizimin e këtij procesi?
BiznesAlbania ka vlerësuar të gjithë procesin e iniciuar për krijimin e Gjykatës Administrative. Nisur nga rëndësia e këtij institucioni, ne angazhuam burime të shumta njerëzore, profesionale, për të ofruar kontributin e sipërmarrjes në hartimin e ligjit, por edhe në korrigjimin e disa prej mangësive që ishin bërë pjesë e ligjit. BiznesAlbania kërkoi ndihmën edhe të një studioje të njohur ligjore si dhe të ekspertëve juristë nga disa forca politike për të bërë oponencën profesionale të ligjit. Dhe ia arritëm të përfshijmë në ligj edhe nene që kishin të bënin me krijimin e Kolegjit Administrativ në Gjykatën e Lartë, si hallka e fundit ku duhet të finalizohej drejtësia administrative. Ishim pjesë e diskutimeve të shumta në komisionet e përhershme parlamentare, por edhe në media, duke lobuar fuqishëm për përmirësime ligjore. Sot ndihemi kontribuues dhe presim zgjidhjen institucionale dhe ligjore të problemeve të vjetra e të reja me administratën publike.
Çfarë ka humbur biznesi deri tani nga mungesa e këtij institucioni, por qoftë edhe nga vonesa në ngritjen e tij?
Mbase nuk do ta besoni, por deri tani ne, pra subjekte të veçanta që janë pjesë e shoqatave tona, kanë çështje administrative që shkojnë deri edhe në 6 vjet dhe ende nuk janë zgjidhur. Një gjykim i stërzgjatur që, përveçse ka krijuar një klimë jo të favorshme për biznesin, ka sjellë edhe kosto të konsiderueshme financiare. Vonesa në ngritjen e Gjykatës Administrative, më së shumti, ka qenë një ngërç politik, pasi forcat politike nuk binin dakord për çështje të tjera që nuk kishin lidhje me gjykimin administrativ dhe e pësonte ligji për këtë gjykatë. Por më në fund, zgjidhja erdhi, dhe ne e mbështetëm çdo forcë politike që kontribuoi në hartimin, diskutimin e tani implementimin e këtij ligji. Gjykimi administrativ do të sjellë një klimë të re mes administratës publike dhe biznesit, do të kursejë kohë dhe financa për zgjidhjen e çështjeve mes këtyre dy aktorëve, por do të sjellë edhe një qasje të re, mendoj, të administratës fiskale ndaj sipërmarrjeve.
Çfarë avantazhesh pritet të sjellë në trajtimin e konflikteve, për biznesin?
Avantazhet janë të shumta. Ju e dini që tani barrën e provës për çdo procedim administrativ e ka administrata dhe ajo duhet të konfirmojë në gjykatë dhe të mbrojë me fakte e prova çdo penalitet ndaj subjekteve tona. Kjo është një risi në gjykimet tona, përfshirë edhe ato administrative. Kjo i kursen kohë, pra edhe para biznesit.
Një tjetër përparësi ka të bëjë se gjykimi nuk do të bëhet duke pasur palët e gjykuara përballë njëra-tjetrës, sepse do të paraqiten thjesht dosjet e përgatitura nga studiot ligjore të biznesit, kur ato kundërshtojnë masat apo penalitetet administrative që vijnë nga autoritetet publike. Kjo u kursen edhe kohë, edhe nerva biznesit, që edhe pa gjykimet administrative janë të shumta.
Një tjetër avantazh duket se do të jetë edhe sjellja që do të këtë administrata publike ndaj sipërmarrjes, sepse nuk besoj se ajo do të ketë “dorë të lirë” si deri më sot për të vendosur gjoba pas gjobash, disa herë edhe të padrejta dhe të paargumentuara për sipërmarrjen.
Ne jemi duke pritur të shohim realizimin në praktikë të gjykimit administrativ dhe kemi ende propozime ligjore për të paraqitur. Për shembull po iu citoj vetëm njërin prej propozimeve tona, të dala nga konsultimet e shumta me shoqatat, që përbëjnë BiznesAlbania. Fjala është se cila do të jetë përgjegjësia ligjore e administratorit publik i cili ka penalizuar subjektet tona, por që gjykata Administrative nuk i ka dhënë të drejtë, pra i ka hedhur poshtë masën administrative. Deri më sot, edhe kur sipërmarrja kishte fituar të drejtën në gjykimet e të tri shkallëve të gjykatës, administratorëve penalizues nuk “iu kishte hyrë gjemb në këmbë”, madje në disa raste ishin ngritur edhe në detyrë. Ne do të propozojmë një amendim të ligjit, sipas të cilit, administratorët që kanë vendosur një numër të caktuar penalitetesh administrative, por që janë rrezuar në vijimësi nga gjykata, do të duhet të përgjigjen, edhe penalisht për performancën e tyre të ulët, pra për interpretimin e ligjit në dëm të biznesit, kur duhet të ndodhte e kundërta.
BiznesAlbania është duke parë edhe ecurinë e administratës së re dhe implementimin e gjashtë gjykatave të faktit administrative dhe atë të apelit administrative në Tiranë, për të bërë të njohura edhe opsionet e saj juridike për një ligj e zbatueshmëri të tij në standarde europiane.
Sa optimist (apo skeptik) është BiznesAlbania për efikasitetin e këtij institucioni?
Nuk duhet paragjykuar asnjë fazë e implementimit të ligjit. Ne jemi kontributorë në hartimin e tij dhe do të na duhet ta ndjekim në proces zbatimin. Do të dëshironim që të gjenim efektivitet dhe efikasitet maksimal në funksionimin e kësaj gjykate, jo vetëm në shkallën e parë, por deri në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë. Biznesi kërkon të reduktojë kostot burokratike, qoftë edhe në çështje të gjykimit, kështu që efikasiteti në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative për ne përkthehet si kosto më të lira të të bërit biznes. Le të shpresojmë se do të mirëkuptohemi për të respektuar ligjin, pa përjashtim. BiznesAlbania shkon në këtë kahje, kur është fjala për të mbrojtur interesat e anëtarëve të saj.
Në opinionin tuaj, çfarë masash duhet të merren (nga qeveria) për garantimin e funksionimit, por edhe të moszvarritjeve të konflikteve, si kosto që mbarten ndër vite?
BiznesAlbania konfirmon se misioni i qeverisë për zgjidhjen e konflikteve ka mbaruar me krijimin e funksionimin e Gjykatës Administrative. Deri dje, qeveria kishte në dorë “edhe arrën, edhe gurin”, pra apelimet ishin në të njëjtën strehë me qeverinë dhe biznesi ndihej si i njerkës. Tani ka një pushtet tjetër që është përgjegjës për zgjidhjen e konflikteve dhe ky është pushteti gjyqësor, në të tre shkallët e tij. Ne duam dhe urojmë që edhe ky pushtet të ketë sa më pak lidhje me pushtetin ekzekutiv, për të qenë i drejtë, i saktë dhe i paanshëm në dhënien e vendimeve. Ne do të luftojmë për këtë. Nuk gjykojmë se do të ketë kosto shtesë, sepse jemi kujdesur që afatet e gjykimit të respektohen dhe kësisoj të mos penalizohet pa të drejtë asnjë prej palëve. Nuk do të kemi gjyqe që zgjasin pafund, por që kanë një afat ligjor strikt, pas të cilit palët marrin në dorë drejtësinë dhe penalizimin. Për këtë kontribuuam në fazat e hartimit të ligjit dhe shpresojmë se standardet në gjykim do të jenë bashkëkohore.
Cilat janë pritshmëritë që ka BiznesAlbania në lidhje me ecurinë e kësaj gjykate?
Të gjitha ato që përmenda më lart, por edhe më shumë se kaq. BiznesAlbania ka pasur qëndrimet e saj, disa herë të ndryshme nga faktorët politikë në vend. Fjala vjen për profesionin e gjyqtarit administrativ, nëse ai thjesht duhet të ishte jurist apo të kishte edhe formimin e duhur që lidhej me njohjen e ligjit të shoqërive tregtare apo të ligjësive të tjera të biznesit. Politika gjykoi se juristët e përballonin këtë. Të shohim nëse përveç njohjes dhe interpretimit ligjor, juristët tanë do të bëjnë edhe interpretimin administrativo-tregtar apo administativo-fiskal, ku janë edhe mosmarrëveshjet më të mëdha. Do të presim të shohim se cila është shkalla e njohjes së legjislacionit ekonomik e fiskal të gjykatësve apo për më tepër se cilët do të jenë ekspertët ligjorë që ata do të thërrasin në ndihmë për zgjidhjen e gjykimeve administrative, për të dalë në ndonjë konkluzion. Ne e dimë se gjykimi administrativ nuk është një gjykim civil dhe vetëm kaq. Ka raste kur në gjykim “luhen” miliona e miliona lekë dhe për të cilat duhet drejtësi, sipas kandarit të ndershëm të gjykimit. Por, ua thashë, nuk dëshirojmë të paragjykojmë, thjesht të urojmë një fillim me “këmbë të mbarë” të kësaj gjykate, si një hallkë e munguar pa të drejtë në tërë historinë tonë të gjykimit, përfshirë edhe gjykimin e sipërmarrjes.
———–
Shtet-biznes, fryn “erë” e re*
Flet Brikena Kasmi, avokate, eksperte e së drejtës administrative (ish-zëvendësministre e Drejtësisë)
Çfarë sjell të re kjo gjykatë? Çfarë çështjesh do të trajtojë? Çfarë kemi humbur deri tani nga mosfunksionimi i saj?
Risi e sjellë nga ligji 49, për herë të parë në legjislacionin shqiptar është parashikimi i kompetencës funksionale sipas shkallëve të gjykimit.
Nenet 7, 9 dhe 11 parashikojnë kompetencën lëndore dhe për herë të parë në legjislacionin tonë për një proces gjyqësor eficient është përcaktuar dhe kompetenca tokësore.
Gjykatat administrative janë kompetente për: mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik; ato për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit publik; mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e parashikuara nga Kodi, mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës; kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.
Ligji parashikon gjithashtu edhe mosmarrëveshjet të cilat nuk mund të shqyrtohen nga Gjykata Administrative, të cilat janë ato që lidhen me aktet nënligjore normative që sipas Kushtetutës janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese; ato për të cilat shqyrtimi është parashikuar nga legjislacioni në fuqi, në kompetencën e një gjykate tjetër; si dhe ato në të cilat punëdhënësi është organi publik i barazuar. Ligji ka parashikuar për herë të parë dhe konceptin e shpalljes së moskompetencës nëse pavarësisht sa është parashikuar në projektligj, është ngritur padia.
Gjykata Administrative do të sigurojë një mbrojtje të gjerë ligjore ndaj të gjitha veprimeve administrative, pavarësisht formës së tyre (p.sh. veprime individuale ose karakteriale). Për më tepër dhe si një rregull, të gjitha paditë që lidhen me çështje administrative do të përfshihen brenda kompetencave të Gjykatës Administrative.
Deri më tani, biznesi është gjykuar në një gjykatë të zakonshme. Me funksionimin e Gjykatës Administrative biznesi do të ketë një gjykatë të specializuar, kompetente, që jep një drejtësi efikase në përputhje me parimet ligjore.
Si do të funksionojë kjo gjykatë?
Në zbatim të dekretit nr.7818, datë 16.11.2012, të Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë, të apelit dhe të gjykatave administrative, si dhe caktimin e kompetencave tokësore dhe selisë qendrore të gjykatave administrative” janë përcaktuar 6 gjykata administrative të shkallës së parë, në të cilat do të ushtrojnë veprimtarinë 36 gjyqtarë dhe një gjykatë administrative të apelit në të cilën do të ushtrojnë veprimtarinë 7 gjyqtarë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas rezultateve të provimit për kandidatët gjyqtarë, ka përzgjedhur sipas parimeve të përcaktuara shprehimisht trupën e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe është në përfundim të përzgjedhjes së trupës së shkallës së parë. Ka rezultuar një metodë e suksesshme metoda e përzgjedhjes së trupës së gjyqtarëve duke pasur në konsideratë që ndër emrat e emëruar gjejmë gjyqtarë profesionistë.
Çfarë dhe si do të mund të përfitohet nga Gjykata Administrative?
Krijimi i Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Ligji ka parashikuar shtratin e sigurt ligjor për një shqyrtim efektiv, duke vënë në vend të drejtat e cenuara nga veprimet apo aktet administrative të organeve publike. Gjykata Administrative përcakton parimin e barazisë së interesit publik nga njëra anë dhe të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të individit nga ana tjetër. Gjithashtu nëpërmjet gjykatës do të forcohet roli aktiv i organeve administrative për respektimin e të drejtave subjektive të personave. Ligji në mënyrë konkrete dhe reale, përcakton detyrimin e organeve publike të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ të nxjerrë prej tyre, duke garantuar në një masë të madhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të individit. Gjithashtu ligji sjell thjeshtimin e procedurave përkatëse lidhur me gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative ndërmjet personave dhe organeve publikë. Tashmë, detyrimi për të paraqitur provat që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve administrative që më pas kanë sjellë cenimin e të drejtave të ligjshme të personave rëndon mbi organet publike.
Gjykata Administrative gjykon mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit. Gjithashtu ligji sjell një sërë risish në kuadrin e gjykimit administrative në një proces gjyqësor më të shpejtë, transparent e efikas duke përcaktuar rregulla strikte për sa i përket barrës së provës, njoftimeve, fazave të gjykimit dhe ekzekutimit të vendimeve.
*Shënim: Intervistë e dhënë për “Monitor” pak kohë më parë
Emërimet
Në krye të Gjykatës Administrative, Shkalla e Parë Tiranë, do të jetë gjyqtari Eriol Roshi; në Apelin Administrativ Tiranë, gjyqtari Kastriot Selita; në Gjykatën Administrative Shkodër Valbona Duraj; në Durrës Genci Sinjari; në Korçë Sokol Ibi; në Vlorë Astrit Sheme dhe në Gjirokastër, gjyqtari Ramiz Lala.
Drejtimi
Përbërja e trupit gjykues sipas rasteve
-Gjykata Administrative e Shkallës së Parë gjykon me trup gjykues të përbërë me tre gjyqtarë mosmarrëveshjet lidhur me kontratat administrative publike dhe kërkesat e paraqitura në zbatim të shkronjave “d” dhe “dh” të nenit 7 të këtij ligji. Të gjitha mosmarrëveshjet e tjera shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar.
– Gjykata Administrative e Apelit gjykon me trup gjykues të përbërë: me 3 gjyqtarë, ankimet kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, me 5 gjyqtarë, paditë ndaj aktit nënligjor normativ
-Gjykata e Lartë gjykon në Kolegj Administrativ me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë, me përjashtim të rasteve kur ky ligj parashikon ndryshe.
Risitë e ligjit mbi Gjykatën Administrative
-Jep parime dhe përkufizime më të qarta për terma të ndryshme (si p.sh. akti administrativ, akt administrativ individual, akt nënligjor normativ, Gjykata Administrative, organ publik etj..)
-Përveç parimeve që ekzistonin janë shtuar dhe parime të reja.
-Gjykimi i shpejtë (gjykata në gjykimin administrativ siguron mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetuese e ligjore të subjekteve të ndryshme, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta të arsyeshme).
-Organi i administratës publike si rregull detyrohet të provojë bazimin në ligj dhe në fakt të veprimeve të kryera prej tij, pra ai duhet të evidentojë që është korrekt me veprimtarinë e tij, (d.m.th, barra e provës i takon institucionit edhe pse jo 100%.
– Shqyrtimi i çështjes në bazë dokumentesh (d.m.th, Gjykata Administrative, sipas natyrës së çështjes, shqyrton çështjen gojarisht në seancë ose mbi bazë shkresash në dhomë këshillimi.
-Mosprania e palëve në proces nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.
Juridiksioni
Gjykata, në dhënien e vendimit të saj përfundimtar, mund të nxjerrë vetë akt administrativ, mund të shfuqizojë tërësisht ose pjesërisht aktin administrativ, mund të ndryshojë pjesërisht ose tërësisht aktin administrativ ose mund të detyrojë organin publik për të ndryshuar aktin administrativ.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.