Segmenti i biznesit nuk ka shënuar asnjë përparim vitin e kaluar në uljen e treguesit të kredisë me probleme, derisa një plan ristrukturimi nisi mbi korporatat e mëdha. Përmirësimi i ekonomisë ende nuk po reflektohet në bilancet e bankave të cilat po i mbajnë larg nga planet e tyre të kreditimit. Gati krijimi i “Credit Scoring” për bizneset
Bilancet e biznesit nuk janë përmirësuar edhe pse ekonomia e vendit në tërësi ka performuar me rritje vitin e fundit, pasi cilësia e kredisë me problem nuk ka bërë përparime në këtë segment në vitin 2016.
Banka e Shqipërisë ka analizuar se treguesi i kredisë me probleme për biznesin në vitin 2016 mbeti në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, 21.4%, ndërsa për individët ka rënë me 3.1 pikë përqindje kundrejt një viti më parë, duke shënuar nivelin 10.2%. Rënia e treguesit të kredive me probleme për individët është ndikuar paralelisht nga rënia e kredive me probleme (3.96%) dhe rritja e portofolit të kredive për individët (9.13%).
2016, rritet pesha e kredive të dyshimta
Në fund të vitit 2016, kredia me probleme arriti nivelin 109.7 miliardë lekë, duke u rritur me 2.95 miliardë lekë ose 2.8% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, treguesi i kredive me probleme ka mbetur në pothuaj të njëjtat nivele me një vit më parë, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.1 p.p në terma vjetorë duke arritur në 18.27% në fund të vitit 2016.
Teprica e kredisë me probleme neto ndaj totalit të portofolit të kredisë paraqitet në nivelin 5.39%, në rritje me 0.05 p.p krahasuar me dhjetorin 2015, tregues ky i nivelit të lartë të mbulimit me provigjione të kredive me probleme.
Në portofolin e kredive cilësore, evidentohet rritje e kredive të klasifikuara “standarde” me 2 pikë përqindje dhe rënie e peshës së kredive të klasifikuara “në ndjekje” me 2.2 pikë përqindje.
Ndërkohë, në portofolin e kredive me probleme, evidentohet rritje e klasës “Nënstandarde” dhe “Të humbura” me përkatësisht 0.5 p.p dhe 0.3 p.p ndërkohë që klasa “të dyshimta” ka rënë me 0.7 p.p.
Fondet rezervë për mbulimin e humbjeve nga kreditë rezultojnë në 77.4 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 1.8 miliardë lekësh kundrejt një viti më parë, megjithatë mbulimi i kredive me probleme me fonde rezervë për humbjet nga kreditë është 70.5%, rreth 0.3 pikë përqindje më i ulët.
Huaja për individët, më e mbrojtur me kolateral
Referuar llojit të kolateralit, pjesa më madhe e kredive të sistemit, rreth 49.4% është e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme.
Kreditë për individët kanë një nivel më të lartë mbulimi me pasuri të paluajtshme me 65.1%, krahasuar me kreditë për bizneset 43.4%. Portofoli i kredive në valutë paraqitet me një nivel më të lartë mbulimi me kolateral se ai në monedhën vendase, 72% në valutë kundrejt 70% në monedhën vendase. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, evidentohet një rënie e kredisë së kolateralizuar në valutë me 1.36 pikë përqindje, ndërsa pesha e kredisë së kolateralizuar në monedhën vendase është rritur me 0.69 pikë përqindje.
Llojet e kolateraleve të shpërndara sipas sektorëve dhe monedhave (Banka e Shqipërisë kryen edhe analizat e provës së rezistencës (stress-test) për të matur qëndrueshmërinë e kapitalit të bankës për të përballuar rreziqet e veprimtarisë bankare. Këto analiza tregojnë se niveli aktual i kapitalit të sistemit bankar është i mjaftueshëm për të përballuar një nivel relativisht të lartë të humbjeve që mund të vijnë si rezultat i ekspozimeve ndaj rrezikut të kredisë.
Kjo aftësi e kapitalit për të përballuar humbjet e mundshme ka qenë konstante gjatë gjithë vitit 2016.
Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës rezulton se, portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një tregues më të lartë me 21.5% (20.3% në fund të vitit të kaluar), krahasuar me portofolin e kredive në lekë me 13.7% (15% në fund të vitit të kaluar).
Brenda portofolit të kredisë në valutë të klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, kredia me probleme në valutë e klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit zë 19% ose 3 pikë përqindje më pak se në muajin dhjetor 2015.
Treguesi i kredive me probleme ndaj kredive në valutë të pambrojtura ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ishte 47.4% më 2012, në rritje me 2.96 pikë përqindje kundrejt fundit të vitit 2015. Kjo rritje, sipas Bankës së Shqipërisë, ka ardhur si pasojë e rritjes së kredive me probleme në valutë me 4.8% dhe rënies së tepricës së kredive në valutë të pambrojtura ndaj rrezikut të kursit të këmbimit me 1.8%.
Rreth 58.4% e kredive dhënë biznesit është në monedhë të huaj. Brenda portofolit në monedhë të huaj, kredia në monedhën EUR zë rreth 84.76% nga 83.59% që rezultonte në vitin 2015, ndërsa ajo në USD zë rreth 15.23% nga 16.40% të portofolit.
Pesha e kredisë në monedhë të huaj për individë, ndaj totalit të kredive për individë evidentohet në nivelin 43%. Brenda portofolit të kredisë në monedhë të huaj për individë, kredia në monedhën EUR zë 97.9% të totalit dhe ajo në USD vetëm 1.7%.
Ku shkoi kredia
Analiza, sipas subjektit dhe qëllimit të përdorimit të kredisë, evidenton se kredia “overdraft” për bizneset
zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë (22.2%), pasuar nga kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë individëve (19.6%), kredia për “investime për pasuri të paluajtshme” dhënë biznesit (18.9%) dhe nga kredia për “kapital qarkullues” për biznese (11.6%).
Rritjen më të lartë gjatë vitit 2016, e shfaq kredia për “blerje pajisjesh” dhënë bizneseve (21.1%), ndjekur nga kredia për “konsum të mallrave jo të qëndrueshme” dhënë individëve (14.8%). Ndërkohë, rënien më të lartë e ka shfaqur kredia për “over draft” dhënë individëve (15.9%) dhe kredia “hua të tjera” (4.4%) dhënë bizneseve.
Struktura e kredisë, sipas afatit në krahasim me vitin e kaluar, ka pasur disa ndryshime, pasi vërehet një rënie e peshës së kredive afatshkurtra dhe afatgjata në favor të kredive afatmesme. Kjo e fundit, në fund të vitit 2016, ka dhe peshën kryesore në totalin e portofolit të kredisë, e ndjekur nga kredia afatshkurtër dhe kredia afatgjatë.
Portofoli i kredive sipas monedhës për vitin 2016 evidenton se kredia në valutë vijon të ketë peshën më të madhe në totalin e kredisë me 58.65%, edhe pse gjatë vitit konfirmohet tendenca e zhvendosjes së portofolit nga kredia në valutë në kredinë në monedhën vendase. Në fund të vitit 2016, pesha e kredisë në monedhën vendase ndaj totalit të portofolit të kredisë ka njohur një rritje me 2.2 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritet rreziku nga kursi i këmbimit
Gjatë vitit 2016, pesha e kredisë në valutë e klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit ndaj totalit të portofolit në valutë, në ndryshim nga dy vitet paraardhëse ka shfaqur një rritje të lehtë me 0.05 p.p, duke arritur në nivelin 45.31%.
Sektorët më të kredituar të ekonomisë vazhdojnë të mbeten “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” me një peshë prej 23.7% të portofolit, pasuar nga sektori i “Industrisë përpunuese” me një peshë prej 11.2% dhe sektori i “Ndërtimit” me një peshë prej 8.8%.
Ulja e NPL-ve, plani për 2017
Banka e Shqipërisë, në Raportin e posaçëm të Mbikëqyrjes Bankare për vitin 2016 vlerëson se, me gjithë zhvillimet dhe ecurinë në kreditë me probleme, stoku i tyre apo treguesit përkatës vijojnë të mbeten në nivele të larta. Procesi i nisur në tremujorin e tretë të vitit të kaluar për rritjen e komunikimit me bankat për adresimin e kredive me probleme do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme përgjatë gjithë vitit 2017.
Banka e Shqipërisë ka kërkuar raportim periodik që konsiston në hartimin e strategjive për uljen e kredive me probleme, në përputhje edhe me buxhetet vjetore të hartuara nga bankat.
Gjithashtu Banka ka kërkuar hartimin e Planeve të Rimëkëmbjes e të Zgjidhjes për kredimarrësit e mëdhenj në përputhje me përcaktimet rregullative. Këto dy elemente do të ndiqen në vazhdimësi për të vlerësuar hapat e ndërmarrë nga çdo institucion së bashku me rezultatet e arritura. Do të komunikohet në vijimësi për të sjellë në vëmendje problematikat që mund të evidentohen dhe nevojën për adresimin e tyre.
Banka thotë se paralelisht do të punohet për ndërtimin e një skeme kuadër për bashkëpunim midis bankave për gjetjen e zgjidhjes për kredimarrës të përbashkët. Kjo skemë synon një nxitje të bankave drejt koordinimit dhe përpjekjes së përbashkët për të adresuar në mënyrë sa më eficiente adresimin e kredimarrësve, duke evidentuar hapësirat reale për ristrukturim, si dhe dhënien e frymëmarrjes së mjaftueshme bizneseve për të funksionuar brenda kapaciteteve dhe për të shlyer detyrimet e tyre.
Kjo skemë parashikohet të përmbajë disa parime bazë për realizimin e koordinimit midis bankave dhe bashkëpunimin me kredimarrësit, përcaktimin e marrëveshjeve kuadër për bashkëpunim midis bankave si edhe mes bankave e kredimarrësve, si dhe përcaktimin e instrumenteve mbikëqyrëse lehtësuese dhe shtrënguese për të nxitur sa më shumë këtë proces. Kjo skemë është duke u hartuar në bashkëpunim me asistencën e projektit FinSAC të Bankës Botërore, duke iu referuar praktikave më të mira dhe përvojave të ngjashme të vendeve të tjera.
Në kuadër të planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme, Banka e Shqipërisë thekson se mbetet plotësisht bashkëpunuese për të kontribuar përveçse në përshpejtimin e procedurave për zgjidhjen jashtë-gjyqësore të borxhit edhe në të tjera çështje, të tilla si, rritja e aksesit të bankave ndaj kolateraleve të përdorura për sigurimin e kredive apo qartësimi i trajtimeve tatimore të kredive me probleme në bashkëpunim me institucione shtetërore apo me Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Transparenca si mjet parandalues
Banka e Shqipërisë thotë se transparenca dhe publikimi i informacionit nga ana e subjekteve të licencuara kanë qenë në vëmendje të autoritetit mbikëqyrës edhe gjatë vitit 2016, me qëllim garantimin e transparencës kundrejt klientit, si një hallkë e rëndësishme e besueshmërisë së publikut ndaj sistemit financiar në vend.
Janë analizuar detyrimet që kanë bankat për raportim në Bankën e Shqipërisë, në drejtim të zbatimit të kuadrit rregullativ për transparencën dhe është evidentuar problematika e raportimit apo publikimit në mënyrë të plotë të kushteve të punës edhe në faqen e internetit të bankave.
Sjellja e bankave dhe masat e marra prej tyre në lidhje me transparencën me publikun dhe publikimin e informacionit financiar janë vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet analizave nga jashtë dhe mbikëqyrjes në vend.
Përcaktimi i kërkesave mbi përmbajtjen dhe mënyrën e dhënies së informacionit parakontraktor dhe kontraktor për kredimarrësin, përpara lidhjes dhe gjatë ekzekutimit të kredisë hipotekare për individin, si dhe rregullimi i kredisë konsumatore, ka përbërë objektin dhe fokusin gjatë zbatimit të përditshëm të detyrave ligjore dhe rregullative.
Në kuadër të masave të ndërmarra, rezulton se tashmë është rritur ndërgjegjësimi dhe angazhimi i sektorit bankar për çështjet e transparencës dhe publikimit të informacionit. Pjesa më e madhe e problematikës lidhet me elemente të kontratave për portofolin e disbursuar vite më parë, si dhe me mospublikimin në kohë të informacionit të raporteve periodike cilësore sipas standardeve dhe kërkesave rregullative në fuqi. Edhe këtë vit është monitoruar në mënyrë të veçantë publikimi nga bankat në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë të formateve standarde të miratuara, për komisionet dhe normat e interesit për kreditë dhe depozitat.
Monitorimi i këtij sistemi raportimi të standardizuar nga Banka e Shqipërisë i ka dhënë mundësinë kujtdo që ta konsultojë, me qëllim zgjedhjen e bankës më të përshtatshme për kërkesat e tij. Për sa i përket ankesave të ardhura pranë Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016 janë trajtuar një sërë ankesash (rreth 100 raste) në adresë të subjekteve të mbikëqyrura. Tipologjitë e tyre kanë të bëjnë kryesisht me aktivitetin e huadhënies për mosrespektim të kushteve të kontratës, lëshimin e urdhrave të ekzekutimit, bllokim llogarish, mosdhënie informacioni nga ana e bankave, kërkesë për ristrukturim kredie, etj. Përkundrejt shumë prej pretendimeve dhe ankesave, zgjidhja e çështjeve të ngritura shpesh shkon përtej autoritetit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë duhet vënë në dukje se, nëpërmjet trajtimit të ankesave nga Banka e Shqipërisë ka pasur edhe raste kur është ndikuar në zgjidhjen e tyre.
Byroja e Kredive do të vërë nota për borxhin e bizneseve
Banka Shqipërisë ka gati tashmë studimin e fizibilitetit që krijon Byronë e Kredisë në ndryshim nga Regjistri i Kredive që administron aktualisht Banka e Shqipërisë, parashikohet të mbledhë informacion jo vetëm mbi ekspozimin e kredimarrësve në sistemin bankar e financiar, por dhe mbi ekspozimet e tyre kundrejt institucioneve jofinanciare (të tilla si: Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike; Ujësjellës Kanalizime; Telekomunikacion; etj.)
Burimet zyrtare në Bankën e Shqipërisë thanë se, krijimi i një Byroje Kredie në Shqipëri është rezultat i një marrëveshje që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nënshkruar me Qeverinë Shqiptare, në mbështetje të klimës së investimeve dhe të qeverisjes së mirë.
Midis prioriteteve të renditura, Memorandumi i Mirëkuptimit përcakton ofrimin e asistencës nga BERZH-i, për krijimin dhe vënien në funksionim të një Byroje Kredie në Shqipëri.
Krijimi i Byrosë së Kredisë do të adresojë dhe mungesën e një Sistemi Pikëzimi (Credit Scoring) në Shqipëri, si një vlerë e shtuar ndaj sistemit bankar e financiar, për të krijuar një profil më të plotë rreziku për kredimarrësit.
Sistemi i Pikëzimit, ndër të tjera, parashikohet si masë që duhet të ndërmerret, për reduktimin e kredive me probleme në Shqipëri, mbështetur në Planin ndërinstitucional të masave të hartuar për këtë qëllim.
Për realizimin e këtij projekti, BERZH-i nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një Grup Konsulentësh të kontraktuar prej saj, me qëllim realizimin e një studimi fizibiliteti për krijimin e Credit Bureau’s në Shqipëri. Projekti do të përqendrohej në trajtimin e çështjeve si:
- Studimi i praktikave më të mira ndërkombëtare;
- Modele të ndryshme të aplikueshme për krijimin dhe funksionimin e një Byroje Kredie (të tilla si: a) Brenda Bankës Qendrore; b) Institucion i pavarur jashtë Bankës Qendrore; apo c) ekzistenca e Regjistrit të Kredive pranë Bankës Qendrore dhe ekzistenca e një Byroje të Kredive të pavarur);
- Analizën e tregut dhe palëve të interesit;
- Analizë të mjedisit ligjor dhe rregullativ;
- Vlerësimin e kapaciteteve teknike;
Në qendër të këtij projekti, një vend të rëndësishëm përbënte Regjistri aktual i Kredive si për zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të tij, ashtu edhe duke e konsideruar si kontribuuesin kryesor në Byronë e Kredisë. Roli i Bankës së Shqipërisë në këtë projekt ka pasur një peshë të veçantë. Drafti paraprak i projektit të fizibilitetit si dhe rekomandimet mbi modelin e aplikueshëm për krijimin e Byrosë së Kredisë, janë përcjellë pranë Bankës së Shqipërisë dhe tek grupet e interesit.
Aktualisht pritet të shprehet qëndrimi përfundimtar nga të gjitha grupet e interesit, nëse favorizojnë qasjen e propozuar dhe nëse janë të gatshme të angazhohen në përputhje me këtë projekt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.