Bashkimi i Dhomave të Tregtisë ka reaguar sot në një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit të lidhura me tarifën e mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, u ndal te protesta e cila u përshkallëzua deri në përplasje fizike dhe arrestime, duke u shprehur se biznesi dënon çdo akt vandal që ka shkatërruar një pasuri të sipërmarrjes private. Lidhur me tarifën e mirëmbajtjes dhe koncesionin tashmë në fuqi, Jaka u shpreh se biznesi mbështet çdo qytetar apo sipërmarrje që kërkon transparencë, dialog dhe lehtësim.
Përfaqësuesit e biznesit nënvizuan se taksa për Rrugën e Kombit është përcaktuar nga një analizë paraprake nga institucionet ndërkombëtare dhe se ka hapësira për negocim të tarifës për sipërmarrësit me frekuencë të shpeshtë.
Për herë të parë, pas një nisme që rrit kostot e sipërmarrjes, biznesi duket se është në harmoni me vendimmarrjen e qeverisë, duke argumentuar se Milot-Morinë, apo siç njihet ndryshe Rruga e Kombit, ka nevojë për shpenzime të mëdha mirëmbajtjeje. Po kështu, përfaqësues të këtij komuniteti nga i njëjti panel nënvizuan se nivelet e tarifave që po aplikohen janë minimalet.
Kreu i Prodhuesve Shqiptarë, Filip Gjoka, tha se do të ketë negociata për mundësi uljeje për banorët e zonës së Kukësit.
Koncesioni, protesta dhe reagimi i Kryeministrit
Javën e shkuar, kompania që ka fituar koncesionin për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit nisi aplikimin e një tarife 5 euro për kalimin e çdo mjeti të thjeshtë dhe kjo tarifë përshallëzohet në rritje në varësi të llojit. Aplikimi i tarifës nuk diferencoi asnjë nga qytetarët që kaluan në të, përfshirë banorët e zonës të cilët të revoltuar protestuan të shtunën.
Protesta u përshkallëzua në dhunë me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërkohë që stacionet e pagesës u përfshinë nga flakët.
Pas kësaj kalimi i mjeteve u la i lirë ndëkrohë që Policia e Shtetit ka arrestuar të paktën 23 persona. Në një konferencë për shtyp Kryeministri Rama u shpreh se ndaj atyre që shkatërruan pronën private do të merren masa dhe se nuk ka hap pas për koncesionin. Rama u angazhua se banorët do të ketë pajisje me dokument të veçantë qe ju mundeson akses me kosto me te ulet.
Tarifat sipas kategorise
Konsoriumi “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a eshte ai qe ka fituar te drejten e koncesionit per 30 vjet. Tarifa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit qe ka kompania me qeverine, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.
Tarifat
Klasa 1 motorr – 2.5 Eur
Klasa 2 veture – 5 Eur
Klasa 3 autobus & kamioncine – 11.2 Eur
Klasa 4 kamion i mesem – 16.2 eur
Klasa 5 kamion i rende – 22.5 eur
Biznesi nga Kosova kunder tarifes
Organizatat e biznesit në Kosovë po shikojnë mundësinë për të çuar taksën e vendosur për segmentin Milot-Morinë në Gjykatën e Strasburgut. Lajmi u konfirmua për “Monitor” nga Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, organizata kryesore e biznesit në Kosovë.
Gërxhalliu tha se janë tre arsyet se pse ata gjykojnë që taksa që po vihet është e padrejtë:
-Së pari, nuk ka një alternativë tjetër rruge pa pagesë. Rruga e vjetër është tepër e amortizuar dhe ka dalë praktikisht jashtë funksioni.
-Së dyti, taksa është më e lartë në krahasim me studimet, të cilat kanë rekomanduar se tarifa duhet të ishte maksimumi 1.4 euro.
-Së treti, rruga është e papërfunduar dhe po vihet tarifë kalimi, kur në gjithë rrugën ka shumë elementë pasigurie.
Gërxhalliu tha se ata janë ende në hapat e parë të organizimit. Do të merret një studio ligjore dhe do të formulohet padia pasi të jenë grumbulluar të gjitha argumentet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.