Flasin: Nikolin Jaka; Agim Binaj; BiznesAlbania; Artan Dulaku; Ismail Beka etj…
Intervista:
Flet Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës
Pro taksës progresive te fitimi në sektorët monopol, kujdes me rishikimin e kontratave
Si e gjykoni programin e qeverisë së re?
Programi i qeverisë “Rama”, në dukje paraqitet shumë shpresëdhënës. Ne si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës, e kemi analizuar me vëmendje, duke shënuar pikat ku duhen trajtuar më gjerësisht, ndërsa nga ana e anëtarëve, po pres komentet përkatëse.
Nëse do të flasim për çështje konkrete, p.sh., rreth debatit të taksës progresive, dhe tashmë sipas programit, është e dukshme se qeveria e re do të vendosë rritje për taksimin e korporatave, tatim-fitimin, ne e shikojmë pozitiv, por duke pasur parasysh disa faktorë.
Përse jeni dakord me progresiven dhe ku duhet zbatuar ajo?
Jemi plotësisht dakord për vendosje tatimi të përshkallëzuar për ata sektorë monopolë, të krijuar nga shteti për shërbime të ndryshme, siç është koncesioni i markimit të naftës apo i pullave fiskale. Apo sikurse është shërbimi i shpërndarjes së energjisë elektrike, pra te CEZ, si dhe shumë sektorë të tjerë, që mund të mos jenë monopol, si kompanitë celulare apo bankat, që tashmë dihet sa janë fitimet, pra, tek të gjitha këto jemi dakord për të rishikuar normën e taksës së tatim-fitimit.
Kush fiton më tepër, për shkak të pozicionit komod dhe monopol, të krijuar sidomos enkas nga shteti, si lejet apo licencat, nuk shoh asgjë të keqe për të vendosur norma të reja sipas shkallëve.
Ajo çfarë ne, si biznese, si Dhomë Tregtie, do të kërkonim është liberalizimi i tregut dhe shteti të mos ndërhyjë në punët e kompanive, me pretekstin për të rregulluar, pasi, në realitet, ka ndodhur e kundërta.
Kryeministri Rama është shprehur për rishikim të kontratave koncesionare. Sa e rrezikon kjo klimën e biznesit dhe besueshmërinë e investitorëve, sidomos atyre të huaj?
Këtu duhet të ndalem pak. E kam dëgjuar disa herë me vëmendje kryeministrin për një rishikim rrënjësor të kontratave, sidomos të atyre që janë miratuar në tre muajt e fundit të qeverisë që iku.
Në parim jam dakord, madje e mbështes, por duhet të kemi parasysh se deri më tani, vetëm është folur, është trumbetuar, sikur është bërë propagandë në vija të përgjithshme, por nuk dimë se si do të ndodhë.
Nëse të huajt dëgjojnë çdo ditë vetëm paralajmërime për heqje lejesh dhe licencash, atëherë kjo shkakton panik. Kryeministri mund t’i realizojë këto objektiva, në kuadër edhe të luftës kundër korrupsionit, pa qenë nevoja të japë deklarata. Jam plotësisht dakord që nëse verifikohen dhe gjenden me shkelje, jo vetëm të hiqen si koncesione, por edhe të ndëshkohen penalisht, por me vepra konkrete, jo me fjalë, pasi duket sikur bën presion.
———————————–
Intervista:
Flet Agim Binaj, ekspert në fushën e bilanceve dhe sektorit fiskal
Të mbledhim një herë taksat, pastaj të diskutohet rritja
Profesor Binaj, me sa jeni njohur me programin, cili është komenti juaj rreth propozimit për rishikimin e taksave, sidomos te rritja e tatim-fitimit në formë progresive?
Jam njohur me programin dhe më duhet të them se, në parim, jap vlerësime, pasi në radhë të parë, synimet janë pozitive për të zhvilluar vendin.
Konkretisht sa u takon taksave, jam kundër prekjes – ndryshimit të tyre, në këto momente që po kalon ekonomia.
Sipas analizës, por edhe të studimeve ndërkombëtare, Shqipëria përllogarit një nivel informaliteti që arrin deri në 50 për qind. Pra, për mendimin tim, qeveria e re duhet më parë të miradministrojë taksat, të forcojë mbledhjen e tyre, ta vendosë ekonominë në shinat e formalitetit. Kemi një administratë tatimore dhe doganore, me punonjës aspak profesionalë. Duhet bërë reforma më parë te këto agjenci dhe më pas të diskutohet për rishikimin e taksave.
Pra, hapi i dytë mund të shikohet ulja, heqja apo ndryshimi i tyre, por më parë duhen sistemuar disa funksione. Edhe në raporte të ndryshme, thuhet se Shqipëria nuk mbart një barrë të rëndë te taksat, por i gjithë problemi lidhet me kostot e fshehura, pra te korrupsioni.
Gjithsesi, të mbetemi te propozimet, cilat do të ishin sugjerimet tuaja?
E theksova edhe më sipër, duhet më parë të futet kultura e pagesës së taksave. Duhet vetëdeklarim, të tërhiqet kuponi tatimor, të përdoren kasat fiskale.
Por më e rëndësishme është hartimi i një sistemi të integruar, mes bashkisë, tatimeve, doganave dhe QKR-së. Këto katër hallka sot janë të ndara nga njëra-tjetra në kuptimin e koordinimit të punëve, të regjistrit dhe hartimit të një sistemi.
Bizneset duhet të ndërgjegjësohen për detyrimet dhe sa i takon korrupsionit, nuk duhen bërë deklarata, por të ngrihen mekanizma konkretë për ta luftuar atë.
Si ekspert i fushës së bilanceve, si e gjykoni idenë e realizimit të auditimit ndërkombëtar?
Mjaft pozitive. Më duket e drejtë që një kompani e huaj të shikojë, të auditojë dhe të nxjerrë në të vërtetë se në çfarë situate është ekonomia e vendit. Kontrolli i Lartë i Shtetit vetëm konstaton, por nuk konkretizon. Në gjithë këto vite, pavarësisht auditimeve të realizuara nga KLSH-ja, nuk kemi parë asnjë zyrtar të futet në burg.
Pra, duhet të dimë ku është e “keqja” e këtij vendi, pastaj të marrim masat.
——————————–
“BiznesAlbania”
Taksat? Vlerësojmë partneritetin, ndryshimet në koordinim me biznesin
“BiznesAlbania” ka ndjekur nga afër ndryshimet e propozuara në programin e qeverisë. Duhet të themi se organizata jonë ka qenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme për rishikimin e disa reformave dhe në këtë kuadër, mendojmë se është diçka pozitive.
Komunikimi i vazhdueshëm me biznesin dhe premtimi i kryeministrit për krijimin e një komiteti për të qenë pjesë e ndryshimeve dhe iniciativave shikohet me mjaft pozitivitet.
Sa u takon taksave, në program është folur në parim, për rritje, por nuk dihet me saktësi se sa do të jenë, ndaj nuk mund të japim ndonjë koment. Dimë një gjë të sigurt se, çdo vendim i qeverisë, sikurse na është premtuar, do të realizohet përmes komunikimit të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit.
——————————–
Intervista
Programi i qeverisë dhe politika fiskale e re: Çfarë dhe pse?
Flet Eduart GJOKUTAJ, ekspert i tatimeve
“Baza e politikës fiskale do të jetë taksimi i ndershëm. Zhvendosja nga politika e taksimit të sheshtë, drejt politikës së taksimit progresiv, ku “kush përfiton më shumë, të kontribuojë më shumë”, do të jetë lëvizja më e rëndësishme për të filluar një fazë të re të vendosjes së marrëdhënieve midis tatimpaguesve dhe tatim-mbledhësve, të një politike tërësisht transparente dhe në harmonizim të interesave të grupeve me të ardhura të ndryshme me ato të shoqërisë në tërësi, të stabilizimit e përmirësimit të politikave fiskale në papajtueshmëri me arbitrarizmin dhe arrogancën e punonjësve të administratës fiskale”.
Ky paragraf është korniza dhe bërthama e politikës fiskale të qeverisë më të re në Shqipëri. Edhe pse përdorimi i termit “mbi taksimin e ndershëm” ka referim te “fair tax” i sistemit federal të taksave në SHBA, në programin e qeverisë për 4 vitet e ardhshme, prezantimi i taksimit të ndershëm ka një tjetër kuptim. Taksimi i ndershëm të lë të kuptosh ndryshimin e një mentaliteti të rishpërndarjes së barrës tatimore, nëpërmjet strukturimit të modelit të taksimit të të ardhurave personale dhe koordinimit me shkallët e taksave të konsumit, duke marrë në konsideratë harmonizimin e të ardhurave në shtresat e ndryshme shoqërore.
Nga ana tjetër, modeli i taksimit të ndershëm, duke qenë se merr rolin e një modeli mentalitet-ndryshues do të jetë parandaluesi dhe ilaçi dezinfektues i modelit të derisotëm të administrimit fiskal.
Sipas modelit më të ri fiskal, të markës “taksim i ndershëm” gjithkush nga përdoruesit që fillojnë nga punonjësit publikë, tatimpaguesit, qytetarët, bizneset, si dhe investitorët do të kenë menjëherë nevojën për t’u njohur më nga afër se cilët janë “përbërësit, kushtet e përdorimit, efektet anësore, pikat e forta, pikat e dobëta, afati i përdorimit” e të tjera kërkesa dhe pyetje që nevojitet t’u jepet përgjigje.
Nëse nisemi nga fakti i dobishmërisë së përdorimit të modelit të taksimit të ndershëm, sipas asaj që prezantohet nga përvoja e Shteteve të Bashkuara mund të shikosh një strukturim të tatimit mbi të ardhurat personale në shkallë tatimore më të personalizuara me individin. Ndërsa, në aspektin e thjeshtimit të sistemit tatimor e fiskal mbetet për t’u parë vetëm sistemi i harmonizimit të tarifave vendore dhe disa taksave lokale, të cilat mundet të rishikohen duke iu përshtatur dinamikës së zhvillimeve të biznesit të të vetëpunësuarve dhe atyre që konsiderohen si biznese të vogla me 2-8 punëmarrës.
Me këtë modelim të sistemit pritet që të fillojë në buxhetin e vitit në vijim të stopohet bilanci negativ i tij, por edhe të marrë frymëmarrje besimi i publikut te modeli. Por, a ka më vend dhe kohë për komente dhe sugjerime?
Edhe pse shkallët tatimore aktuale mbi të ardhurat personale, fitimin nga aktiviteti dhe kapitalin janë të ulëta dhe konkurruese në rajon, nga një analizë e “AL-Tax Center”, e lidhur me planifikimin e të ardhurave publike të buxhetit vërehet se orientimi i sistemit fiskal, më së pari, duhet të tentojë drejt hartimit të politikave fiskale të ngushtimit të hendekut të evazionit të tatimeve që aktualisht janë barrëmbajtësit kryesorë (TVSH dhe tatimi mbi pagat). Një politikë e mirëpërshtatur për kapacitetet administrative zvogëlimit të evazionit fiskal është rregullatori më i efektshëm në drejtim të ruajtjes së kolonave të politikës fiskale për një barazi midis kontributorëve të buxhetit dhe ndihmë ndaj transparencës dhe konsolidimit të të ardhurave buxhetore.
Nisur nga fakti që politika fiskale i materializon idetë për nxitje të ekonomisë dhe lehtësim të barrës së bizneseve nëpërmjet instrumenteve të administrimit fiskal, atëherë është momenti që të flitet qartësisht për rolin e tij.
Në programin e qeverisë, rezulton se administrimi fiskal nuk ka qenë produktiv nisur nga aspekti i mospërmbushjes së misionit të tij “që të kontribuojë në mbulimin e shpenzimeve publike të qeverisë, përmes mbledhjes efektive dhe efikase të të ardhurave tatimore, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave dhe të ardhurave doganore”.
Është fakt që mbulimi i shpenzimeve publike sipas programeve buxhetore në tre vitet e fundit nuk është arritur të realizohet në masën 100%. Arsyet tashmë janë prezantuar dhe lidhen me faktorë brenda dhe jashtë administrimit, objektivë dhe subjektivë. Do të ishte mjaft e vlefshme për politikën fiskale të re që të gjente konsensus me bazë të gjerë për to nëpërmjet bashkëbisedimeve dhe formave të tjera të kanaleve të komunikimit me biznesin dhe qytetarët. Zgjerimi i kanaleve ekzistuese të komunikimit dhe hapja e kanaleve të reja me qytetarët dhe grupet e interesit është hapi më i rëndësishëm për të ndërtuar një imazh më të mirë, duke kombinuar gjithë elementët e shërbimeve të administratës me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
Efektiviteti fiskal dhe mbledhja në mënyrë efikase e kontributeve fiskale, që duhet të paguajë secili qytetar, lidhet ngushtësisht me kulturën fiskale dhe temën e informalitetit dhe evazionit tatimor.
Një zgjidhje e luftës ndaj informalitetit në ekonomi dhe evazionit shumëformësh është parashikuar të fillojë duke ndërtuar një front shumë më aktiv, të menaxhueshëm më mirë dhe të konsoliduar në përgjigje të zhvillimeve të ardhshme që priten të ndodhin. Ky front është organizimi i administrimit të të ardhurave fiskale në një formatim të agjencive brenda një administrate solide fiskale, me dy krahë kryesorë (a) tatimore qendrore-vendore dhe (b) doganore me një bord menaxherial përkatës, përgjegjës për administrimin fiskal të vendit. Pikat e forta që vijnë nga ky bashkim programi i identifikon qartësisht dhe ky është një evolucion i sistemit fiskal.
Programi jep shpresën se strukturimi i administrimit do të ndërtohet sipas segmentimit të ekonomisë dhe bizneseve për të evoluar më tej drejt mënyrës të të bërit politikë fiskale. Kjo do të thotë se administrata e re, që do të përfshijë dy nga administratat më të mëdha në vend, si dhe pjesët administrative fiskale vendore në 65 bashki dhe 300 komuna do të ketë të nevojshme trajtimin e menjëhershëm të efekteve që vijnë nga reformime strukturore të këtyre natyrave, që historiku i administrimit publik në vend nuk i ka zbatuar më parë.
Megjithatë, përvoja për këto bashkime të agjencive fiskale në një të vetme gjen në të paktën 11 shtete europiane duke filluar nga Armenia, Gjeorgjia dhe Letonia e duke përfunduar me vende anëtare të BE-së, të tilla si Hungaria, Greqia, Polonia e deri te shtete me përvojë historike në financat publike (Spanja, Danimarka, Irlanda dhe Britania e Madhe). Përvoja më e freskët vjen nga ristrukturimi i organizimit fiskal në Poloni në vitin 2012.
Çfarë nevojitet për mbrojtësit dhe përkrahësit e kësaj skeme (në këtë grup hyn edhe autori) është parashikimi dhe parandalimi i problemeve që mbartin bashkime të tilla. Ato fillojnë që me përcaktimin e kufijve të kompetencave, të mbivendosjeve të detyrave, të ruajtjes së parametrave sasiorë dhe cilësorë të modelit aktual të administrimit, si dhe angazhimeve të tjera që administrata do të mbartë në lidhje me barazinë gjinore, harmonizimin e brezave dhe përvojës, ribërjes së rregullave, si dhe përhapjen e modelit të ndryshimit. Të gjithë elementët, që mesa duket do të koordinohen nga “dirigjentë” prestigjiozë të menaxhimit të financave publike dhe modelimeve të strukturave fiskale duhet të mos ndikojnë në ndryshimin e “kursit” të rrjedhës së të ardhurave në llogaritë e buxhetit. Por, edhe duhet të ndërthuren natyrshëm dhe pa cenuar modelin e strategjisë së përmbushjes vullnetare që administrata tatimore po e zbaton duke u asistuar nga ekspertë të Fondit Monetar, që prej fillimvitit 2013.
Pres që pas bashkimit të administratave fiskale, ndryshimi të lërë gjurmët e para në konsolidimin e financave. Me këtë nënkuptoj që punonjësit paskëtaj do të mundësojnë ndryshimin për mirë. Mbi këto pritshmëri, bizneset do të fillojnë të krijojnë me administratorët e financave publike, rrugëtimin e bazuar në besim dhe respekt reciprok.
——————————–
Intervista:
Ndërtimi
Flet Artan Dulaku, president i Shoqatës së Ndërtuesve
“Frymëmarrje nga shpërbërja e monopoleve dhe legalizimet”
Sektori i ndërtimit, i cili është një nga më të prekurit nga kriza ekonomike, pret risi pozitive nga qeveria “Rama”. Presidenti i Shoqatës së Ndërtuesve ka deklaruar për “Monitor” se nismat që pritet të ndërmarrë qeveria e re në sektorin e pronës dhe investimeve publike në tërësi, nëse do të realizohen, do të japin impakt pozitiv në sektorin e ndërtimit.
“Programi i qeverisë ‘Rama’ është shumë pozitiv, së paku për sa i përket zhvillimit në tërësi të ekonomisë dhe pronës. Unë e them me bindje se, edhe nëse realizohet vetëm gjysma e synimeve të publikuara nga qeveria në tregun dhe ekonominë vendase, do të çlirohen shumë energji pozitive, sidomos te sektori i ndërtimit.
Për ne, një nga problemet më të mëdha, sidomos për sa i përket pjesës së investimeve në infrastrukturë kanë qenë monopolet. Gjatë këtyre viteve, monopolet i kanë kushtuar rëndë biznesit dhe ekonomisë në tërësi dhe shpërbërja e tyre është ndihma më e madhe që ne marrim si hap i parë.
Është fakt se tenderët në infrastrukturë dhe punë publikë, gjatë këtyre, viteve janë përqendruar në shumë pak kompani, duke e mbledhur kështu fuqinë financiare në shumë pak duar. Shpërbërja e monopoleve në këtë drejtim do të thotë hapje e tregut dhe frymëmarrje për këtë biznes.
Një tjetër aspekt shumë pozitiv që ne presim të japë efekt është edhe procesi i legalizimeve. Nëse legalizimi do të arrihet të kryhet siç duhet, do të përkthehet me hipoteka, dhe këto përkthehen në kolaterale bankare. Nga të dhënat që ne kemi si Shoqatë, vetëm 30% e klientëve që blejnë shtëpi kanë një hipotekë, pjesa tjetër prej 70% nuk e disponojnë një të tillë. Kjo do të thotë më pak mundësi investimi, asnjë shans për të marrë një kredi hipotekore në bankë, duke çuar kështu në uljen e shitjes së pasurive të patundshme. Nëse legalizimi do të ecë, ne presim që të kemi, padyshim, dyfishim të volumit të shitjeve në real-estate.
Në program, ndërkohë, është theksuar se do të ketë edhe rritje të taksave të tatimeve për biznesin e madh, ku është theksuar se do të rritet tatim-fitimi për biznesin. Për mendimin tim, në këtë drejtim duhet ecur me kujdes, kjo sepse bizneset në investimet dhe punët që kanë nisur, nuk e kanë parashikuar një gjë të tillë dhe një rritje e shpejtë do të sillte humbje për shumë sipërmarrje. Nëse qeveria kërkon të bëjë rritje të tatimeve, duhet medoemos që të jetë transparente me biznesin, të deklarojë kohën se kur parashikon ta bëjë dhe t’i japë kohë biznesit, së paku një vit, që të përgatisë dhe llogarisë masat dhe efektet financiare”, thotë z. Dulaku.
Në programin e qeverisë “Rama” është theksuar se synohet që të zhbllokohen katër shtylla kryesore të çështjes së pronës: kthim-kompensimi i pronave private; Agjencia e Legalizimeve, Zyra e Hipotekës dhe pronat publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore.
Qeveria ka deklaruar se do të ndërmarrë një ristrukturim të gjerë të sistemit të menaxhimit të pronës në Shqipëri, që do të nisë me riorganizimin e të gjitha agjencive që merren me administrimin, regjistrimin dhe dokumentimin e pronave (si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike). Në të njëjtën kohë, qeveria do të rishikojë Strategjinë Ndërsektoriale në Fushën e të Drejtave të Pronësisë 2012 – 2020, për të përcaktuar hapat konkretë dhe prioritarë për t’i dhënë fund kaosit në administrimin e pronave publike dhe private.
———————————————————-
Intervista:
Bujqësia
Flet eksperti i Bujqësisë, Ismail Beka
“Sfida më emergjente, të shmangen përmbytjet”
Eksperti i Bujqësisë, Ismail Beka, thotë për revistën “Monitor” se qeveria e re ka prezantuar një program tejet ambicioz për sektorin e bujqësisë dhe të zhvillimit rural në tërësi, por masat më emergjente që duhet të marrë qeveria e re është shmangia e përmbytjeve të tokave, çfarë kërkon jo vetëm ndërhyrje në sektorin e bujqësisë, por edhe menaxhim efikas të ujërave të hidrocentraleve, të kanaleve të kullimit, të ndaljes së prerjes së pyjeve.
“Mendoj që programi i qeverisë së re që është prezantuar së fundmi, për sa i përket pjesës së zhvillimit rural dhe bujqësisë është një përmbledhje e programeve politike të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Është e qartë se ky nuk është projektbuxheti dhe prandaj nuk mund të kemi pasqyrime me shifra konkrete dhe si rrjedhojë, shumë të detajuara. Gjithçka do të jetë më e qartë kur të prezantohet edhe projektbuxheti i vitit 2014, ku çdo masë dhe incentivë do të ketë një faturë nga mbrapa.
Qeveria e re ka shpallur një sfidë shumë të madhe në sektorin e bujqësisë dhe në zhvillimin rural, pasi parashikon që vetëm në këtë sektor të punësojë rreth 150 mijë persona, gjysma e vendeve të reja të punës që synon të hapë, si dhe planifikon që të pesëfishojë investimet në bujqësi.
Plani është tejet ambicioz në fakt, por që të shohim nëse përputhet me realitetin, do të kemi një ide të qartë se si do të reflektohet në projektbuxhet, se çfarë peshe do të ketë bujqësia dhe zhvillimi rural në tërësi.
Qeveria ka, në fakt, disa sfida të mëdha që e presin në sezonin e dimrit. Ka sfidën e kontrollit të zonës bregdetare, të zonave rurale, menaxhimin e ujërave e shumë të tjera.
Por, për mendimin tim, masat më emergjente që duhet të marrë qeveria e re është, në radhë të parë, që këtë dimër të shmangen përmbytjet e tokave, çfarë kërkon jo vetëm ndërhyrje në sektorin e bujqësisë, por edhe menaxhim efikas të ujërave të hidrocentraleve, të kanaleve të kullimit, të ndaljes së prerjes së pyjeve. Këto masa kërkojnë buxhete dhe janë emergjente, sepse dimri është përpara, dhe ende nuk e dimë nëse do të jetë e aftë që t’i përmbushë qeveria, nga ana financiare, duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike.
Këta tre muajt e parë, ajo që duhet të arrijmë, së pari, është të kemi një vit pa përmbytje dhe së dyti, t’i vëmë fre prerjes së pyjeve, dhe kjo e dyta nuk kërkon para, por vullnet për ta realizuar.
Njëherësh për këtë kërkohet vëmendje shumë e madhe e qeverisë në hidrovore, kanale kulluese, te menaxhimi i HEC-eve, etj.
Detyra e tretë për qeverinë ‘Rama’ është ristrukturimi shumë i shpejtë dhe organizimi i ri në fushën e zhvillimit rural dhe ka një paqartësi të madhe se kush do t’i menaxhojë pyjet, ujërat, ushqimin dhe nëse organizimi i institucioneve që do të menaxhojnë zhvillimin rural në tërësi do të zgjasë, do të jetë edhe më e vështirë përmbushja e qëllimeve të përcaktuara në program.
Edhe synimi për të marrë statusin ‘kandidat’ për në Bashkimin Europian i vë përpara qeverisë shumë detyra ‘shtëpie’ për të përmbushur dhe për të realizuar. Ambicia që ka shfaqur është shumë e madhe, por gjithçka do duket te vendimet e dimrit dhe te hartimi e përpilimi i një buxheti realist për këtë sektor.
Është pozitiv fakti që bujqësia nuk është parë si e shkëputur nga zhvillimi rural, siç ka ndodhur deri më sot. Unë mendoj se toka bujqësore është vetëm një pjesë e vogël e zonave rurale, pasi ato nuk mund të perceptohen pa pyjet, kullotat etj. Ky lloj dimensioni është edhe një kërkesë europiane dhe të gjitha fondet që jepen tashmë janë pikërisht për zhvillimin rural dhe jo për një bujqësi ‘të shkëputur’.
Është e qartë se nëse fshatrat i lë në gjendje të pazhvilluar, asnjëherë nuk do të kemi një bujqësi efikase që të krijojë punësim dhe mirëqenie. Për mënyrën sesi ka funksionuar deri më sot mbështetja për sektorin e bujqësisë, është se pjesa më e madhe e granteve janë adresuar në mbështetje të zonave fushore, duke i lënë ato në gjendje të mjerueshme. Në këtë aspekt, synimi për të zhvilluar zonat rurale është një nismë shumë pozitive, sepse vetëm kështu do të mund të krijohet mundësia për të pasur një jetesë të mirë në fshatra dhe një bujqësi efikase.
Duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje politikave në zonat malore të vendit”, thotë z. Beka. Në programin e qeverisë së re për zhvillimin rural, disa nga pikat që parashikohen janë heqja e
Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjithë plehrat kimikë, farat e fidanët dhe materialin gjenetik shumues që përdoret në blegtori.
Ulja rreth 35% e çmimit të naftës (50-55 lekë bazuar në çmimin aktual), me heqjen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, bashkë me TVSH që zbatohet mbi këto dy taksa. Heqja e TVSH-së për vaksinat dhe medikamentet, si dhe për çdo lëndë të parë që përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë. Krijim dhe vënie në veprim e një Banke të specializuar për Zhvillimin Rural, skema speciale financimi për Bankën e Zhvillimit Rural, të mbështetura me fonde garantimi, si dhe financime me interes zero nga skemat e Bankës për Zhvillimin Rural.
———————————————————-
Intervista:
Industria e tekstileve dhe këpucëve
Flet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve
“Mbyllja e ciklit të prodhimit duhet të jetë moto e këtij mandati 4-vjeçar”
Gjergji Gjika, kryetari i Dhomës së Fasonistëve, është i qartë se sektori që ai përfaqëson, zë peshë shumë të madhe në punësim, sidomos te shtresat më pak të arsimuara dhe të pakualifikuara. Në kushtet, kur rritja e punësimit është një nga sfidat më të mëdha të qeverisë “Rama”, z. Gjika kërkon prej saj ndërhyrje efikase dhe të shpejta për të bërë sa më rentabël dhe efikas këtë industri.
“Padyshim që, një nga pikat kryesore të programit të qeverisë së re është edhe manifaktura. Por, problemi vjen e agravohet kur duhet të thuash e të shpjegosh rrugët dhe mënyrën se si do ta realizosh.
Ne, me kohë, i kemi bërë publike (propozimet e botuara në revistën “Monitor”, datë 29.07.2013) rrugët që ne mendojmë se janë më efikase dhe për më tepër, të provuara me sukses nga shtete që sot janë përpara nesh.
Por si do të bëhet nxitja e këtij sektori? Qeveria e mëparshme krijoi dora-dorës lehtësi fiskale dhe me to u mendua se u krye detyra. Koha tregoi se ishte bërë vetëm një pjesë e saj.
Mendoj se ka ardhur koha që të jepen edhe incentiva financiare me destinacion përdorimi plotësisht të përcaktuar, për të rritur performancën e kompanive shqiptare në tregun ndërkombëtar. Dhe kjo nuk është një herezi, por tashmë një imperativ i kohës, pasi jemi prej 20 vitesh taksapagues direkt e pse jo, për një hop cilësor të jemi edhe taksapërfitues direkt.
Midis të tjerave, sektori fasonist ka dy pika të dobëta që nuk mund të riparohen nga vetë sektori: 1- teknologjia e prodhimit relativisht jobashkëkohore e si rrjedhim, me rentabilitet jo të lartë, 2-fuqia punëtore e pakualifikuar për këtë profesion, që përsëri lidhet me produktivitetin dhe cilësinë e produktit.
Unë mendoj se pa ndërhyrjen e menjëhershme të paktën në këto dy pika do të mbetemi në retorikën boshe të mbështetjes vetëm morale.
Pikë tjetër e incentivave të munguara deri më tani është nxitja e kompanive shqiptare që të mbyllin plotësisht ciklin e prodhimit. Gjithmonë e më shumë në tregun ndërkombëtar kërkohen produkte të përfunduara dhe në tërësinë tonë, jemi larg kësaj kërkese të tregut, kuptohet me përjashtime të veçanta.
Në fakt, është folur shumë për sektorin prodhues, benefitet e tij, efektet sociale që ai ka, etj. Unë nuk jam kundër që në Shqipëri të zhvillohen edhe teknologjia e informacionit IT, high science, por të mos harrojmë nivelin aktual të arsimimit e zhvillimit tonë.
Në industrinë tonë, pjesa dërrmuese e punonjësve janë të ardhurit në qytete nga zonat rurale, që tashmë, nga njëra anë janë pjesë e qyteteve tona kryesore, por nga ana tjetër, si zor të gjejnë ndonjë punë tjetër në qytet, përveç asaj që u ofrojmë ne!
Nisma me vlerë mund të jenë, për shembull, kurset e kualifikimit për rrobaqepëse pranë zonave ku është përqendruar kjo industri dhe këtu përjashtoj në mënyrë kategorike nga kjo skemë, qendrat ekzistuese të formimit profesional, që kanë dhënë gjatë kësaj kohe produktivitet zero. Nismë tjetër mund të ishte mbështetja financiare e kompanive që punësojnë njerëz, jashtë kapaciteteve të tyre aktuale.
Puna për nxitjen e këtij sektori duhet nisur paralelisht në disa drejtime. Kështu, edhe ne e kuptojmë se më në fund, problemet e fasonit apo të industrisë së veshjeve e këpucëve janë marrë seriozisht. Pikat kryesore janë:
– shkollimi e formimi profesional për këtë sektor, që nga rrobaqepës të thjeshtë e deri nivel drejtues reparti, mekanik makinash elektromekanik etj.
– incentiva financiare për teknologji prodhimi bashkëkohore që të bëjë të mundur rritjen e cilësisë së produktit dhe rendimentit të prodhimit sepse vetëm kështu, do të mbetemi gjatë në treg si konkurrues.
– incentiva financiare për mbylljen e ciklit të prodhimit, e cila duhet të kthehet në një moto për këtë mandat 4-vjeçar.
– kërkim tregu në BE e jashtë saj duke bërë një marketing agresiv politik!”.
SKENARËT
Propozime konkrete nga fasonistët për qeverinë e re:
1. Stimulimi me pagesë fikse për një vend pune konstant për 3-5 vjet
2. Stimulimi me teknologji bashkëkohore, makineri dhe pajisje, për një grup vendesh pune konstant, sipas parimit Unë (shteti) të jap makinat, Ti (sipërmarrësi privat) më siguron vendet e punës.
3. Stimulimi me grante për një grup eksportuesish, që ka krijuar tashmë një performancë pozitive në tregun ndërkombëtar në mënyrë të tillë që të rrisin praninë e tyre në këtë treg
4. Stimulimi me parqe industriale të kompletuara të tipit me çelësa në dorë, në partneritet dhe në harmoni qeveri qendrore-qeveri lokale
5. Zhvillimi i disa kompanive model të tipit kompani PILOT si referencë për të qenë në front të marrëdhënieve me tregjet ndërkombëtare (kompani show room).
6. Stimulimi dhe mbështetja për krijimin e koncerneve të sektorit si bashkësi të kompanive fasoniste për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar kapacitetet e tyre.
7. Krijimi i fondeve të veçanta dhe specifike me terma reference plotësisht të përcaktuara për ndarjen e risqeve dhe burimeve financiare me donatorë vendas dhe të huaj.
8. Ngritja e një qendre profesionale shumëfunksionale për industrinë tekstile dhe të këpucëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.