Klasifikimi i personave të punësuar sipas statusit në punësim jep të dhëna për llojin e riskut ekonomik me të cilin përballet i punësuari në punë, forcën e lidhjes institucionale ndërmjet personit dhe punës dhe llojin e autoritetit mbi institucionet dhe punëtorët e tjerë.
Kështu vlerëson INSTAT në raportin e fundit, ku tregon se Shqipëria ende po ecën me ritme te ngadalta për punësimin dhe ku numri i lartë i të rinjve që punojnë pa pagesë në bizneset familjare tregon për varfërinë e përhapur dhe për një ekonomi gjerësisht rurale.
Raporti tregon se punëtorët e rinj nuk e dallojnë shumë veten nga punëtorët e rritur më të vjetër sa i përket statusit në shpërndarjen e punësimit, përveç faktit që përqindja e punëtorëve për llogari të vet është më e vogël dhe ajo e atyre që kontribuojnë në familje – zakonisht brezi i të rinjve që ndihmojnë një biznes familjar- është më e madhe.
Sipas shifrave të raportit, vihet re se 43.8 % e të rinjve punojnë në biznese familjare, por pa pagesë. Aty ku vihet re një ndryshim është në aspektin gjinor. 40.1 % e meshkujve të moshës 15-29 vjeç janë të punësuar pa pagë në biznese familjare, ndërsa femrat janë 49.2 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.