Biznesi i madh kundër të voglit, protestë ku kërkon vënien e TVSH-së tek të vegjlit

12/10/2017 3:53 PM 1 koment

Teksa shumë ekspertë dhe kontabilistë kanë paralajmëruar se futja e biznesit të vogël në TVSH do të ketë kosto për këtë të fundit dhe nuk e zgjidh problemin e informalitetit, biznesi i madh ka dalë sot pasdite në një protestë ku kërkon vendosjen e TVSH-së tek të vegjlit.

Përfaqësues të biznesit të madh kanë marshuar sot në bulevardin e kryeqytetit me tullumbace ku shkruhej “Jo informalitetit në biznes”. Marshimi është organizuar nga “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, në kuadër të ditës “Për një ekonomi më të drejtë”, që sipas organizatorëve synon të sensibilizojë opinionin e gjerë publik ndaj efekteve negative të fenomenit të Informalitetit, dhe nevojës për të luftuar bashkërisht çdo formë të tij e kudogjendur në ekonominë Shqiptare.

Bizneset e mëdha gjithnjë e kanë kërkuar dhe mbështetur futjen e subjekteve të vogla në TVSH, si një mjet për të nxitur faturimin në të gjithë zinxhirin e tregtimit dhe shërbimeve. Qeveria e ka deklaruar tashmë se e ka në plan, duke shtrirë TVSH-në nga zero për të gjitha bizneseve, me përjahtim të disa kategorive si zejtarët.

Një debat i gjerë është hapur mes ekspertëve dhe politikëbërësve nëse kjo lëvizje do të luftonte informalitetin, sa do të jenë në gjendje ta përballojë administrata tatimore dhe çfarë efektesh do të kishte tek biznesi i vogël.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka mbështetur idenë se vendosja e TVSH-së lufton informalitetit, ndërsa do të ketë rritje të kostos për ata që punojnë në informalitet, ndërsa për ata që janë formalë kjo s’ka kosto. Nga ana tjerët administrata është në gjendje ta kontrollojë futjen e bizesit të vogël në TVSH.

Në të kundërt ish ministri i financave Shkëlqim Cani, që drejtoi financat nga tetori 2013 deri në fillim të vitit 2016, ndonëse e kishte një plan për të futur biznesin e vogël në TVSH nuk e zbatoi atë, teksa ishte i shqetësuar për efektin që kjo masë do të kishte në punësim. Aktualisht 36% e të punësuarve në vend janë të vetëpunësuar, më e larta në Europë dhe një ndër më të lartat në botë.

Edhe Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave në periudhat 1997-1998, dhe 2003-2005 e pranon se kjo është një sfidë e vështirë dhe praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.

FMN është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut të TVSH-së, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shumë pak të ardhura shtesë në buxhet.

Llogaritjet e kontabilistëve tregojnë se nëse kosto e shtuar transferohet në çmim, biznesi i vogël nuk do të ketë efekt, por kjo vështirë se do të ndodhë teksa për shkak të konkurrencës, biznesi do ta ketë të vështirë të rrisë çmimet.

Nga ana tjetër ka një kosto të shtuar administrative për mbajtjen e kontabilitetit që do të ketë efekt negativ tek biznesi i vogël. Ajo që nuk po merret sot në konsideratë është efekti psikologjik që do të ketë futja e biznesit të vogël në TVSH dhe fakti që shumë subjekte të vogla kanë fitime minimale dhe kanë pasur si avantazh kryesor barrën e ulët fiskale dhe administrative, dhe çdo rritje kostosh mund ta shtyjë atë drejt mbylljes, duke iu shtuar listës së të papunëve.

Nuk ka qenë as shumë në fokus debati, nëse të ardhurat që do të vijnë nga mbyllja e ciklit të TVSH-së dhe formalizimi i menjëhershëm i bizneseve të vogla në raport me koston sociale që do të ketë kjo masë, teksa nga mbyllja e subjekteve do të shtohej numri i të papunëve në vend.

 

Bizneset e vogla dhe të mesme, punëdhënësi më i madh në vend, mbizotëron tregtia

 

Shqipëria aktualisht numëron rreth 80 mijë biznese që nuk e paguajnë tatimin me Vlerën e Shtuar dhe deklarojnë një xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë, sipas të dhënave zyrtare të tatimeve, që i përkasin fundit të vitit 2016.

Kjo kategori zë rreth 76% të totalit të bizneseve të  në regjistrin aktiv të ndërmarrjeve.

Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për vitin 2015, shprehin se, 99,9 % të ndërmarrjeve aktive e zë kjo kategori. Sektori i tregtisë mbizotëron në numrin e ndërmarrjeve aktive me 43,1 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 19,3%.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri angazhojnë 81,3 % të totalit te të punësuarve. Tre janë sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5 %, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2%.

Gjithashtu ndërmarrjet e vogla dhe të mesme realizojnë 77,6% të shitjeve neto. Sektori i tregtisë mbizotëron me 44,3% të shitjeve neto. Sektori i ndërtimit është sektori i dytë me përqindjen më të lartë prej 9,3 %, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese prej 8,2%. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve neto të realizuara nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është sektori i industrisë nxjerrëse me 1,4%.

Rreth 66,3 % ë vlerës së shtuar realizohet nga Ndërmarrjet e Vogla dhe te Mesme. Sektori që zë përqindjen më të lartë në vlerën e shtuar është sektori i tregtisë me 22,2 %, i ndjekur nga shërbimet e tjera me 11,5%, ndërtimi me 10,1% dhe industria përpunuese me 10,0 %. Sektorët me përqindjen më të ulët janë sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,2 % dhe sektori i industrisë nxjerrëse me 2,5 %.

 

LEXO EDHE

http://www.monitor.al/financat-tentuar-te-shtrijne-tvsh-ne-2015-n-dhe-ne-kohen-e-pd-se-por-u-terhoqen-ja-arsyet/

http://www.monitor.al/ulja-e-pragut-te-tvsh-se-fitimet-e-bizneseve-te-vogla-do-bien-mesatarisht-me-25-40/

http://www.monitor.al/tabela-shqiperia-perjashtimi-i-madh-pjesa-derrmuese-e-vendeve-te-europes-kane-kufi-per-tvsh-ne/

http://www.monitor.al/a-ndikon-realisht-heqja-e-pragut-te-tvsh-se-ne-ekonomine-e-vendit-dhe-ne-xhepat-e-qytetareve/

http://www.monitor.al/arben-malaj-per-heqjen-e-pragut-te-tvsh-se-kur-futen-te-gjithe-ne-skeme-rritet-informaliteti/

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

1 Koment në "Biznesi i madh kundër të voglit, protestë ku kërkon vënien e TVSH-së tek të vegjlit"

Notify of
avatar
Sort by:   newest | oldest | most voted
Kristo
Guest
Kendveshtrim shume i manget dhe me tendenca politike te theksuara. Nuk kishte asnjë administrate siç u trumpetua nga disa tifoze politike. Por ne lidhje me artikullin: Ishte biznesi qe paguan tatimet, taksat, siguracionet e punonjësve, etj etj etj. Eshte ky biznes qe ashtu me arna mban ne kembe ekonomine, ashtu siç eshte. Prentedimi i tyre i vetem eshte qe te garojne me te njejtat kushte me te tjeret, dhe stop informalitetit qe me presionin e vet, me menyra te ndryshme, po e shkund dhe po e telendos ekonomine per 26 vitet e fundit. Eshte ky informalitet qe nuk paguan as… Read more »
wpDiscuz