Tregu i librit këtë vit po shënon një kthesë pozitive, ndonëse kostot e larta dhe mungesa e duhur e orientimit nga shtëpitë botuese ka krijuar një rrugë lidhëse ende të brishtë mes lexuesit dhe librit.
Shfletimi i librave po bëhet një sfidë gjithnjë e më e madhe e botës moderne. Edhe tregu shqiptar përpëlitet të mbijetojë si të gjithë të tjerët, e mundësisht të kthehet në fitimprurës. Flasim për tregun e librit, i cili, prej vitesh, rezulton negativ, sipas shifrave zyrtare dhe raportimit të Shoqatës Botuese.
Këtë vit, të dhënat paraprake flasin për një pikë kthese.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për shitjet e librave, revistave e gazetave për 6-mujorin e parë të vitit, rezulton të kemi rritje prej gati 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritje e shënuar për herë të parë në katër vitet e fundit. Edhe botuesit e pranojnë se ka një tendencë rimëkëmbjeje, por ata janë më konservatorë në vlerësimet e tyre. Ndërsa një vit më parë raportonin ulje deri në 40% të tregut, këtë vit e pranojnë tendencën e rimëkëmbjes, ndonëse tregu, sipas tyre, vijon të jetë me bilanc negativ.
Por, në një treg të amullt, me shumë probleme të kostove të larta, lexuesve të kufizuar, mbrojtjes së kufizuar të të drejtave të autorit, pikërisht në një moment rimëkëmbje vjen një goditje publike për tregun.
Javës së kaluar, u hap Panairi i 17 i Librit në Tiranë dhe për herë të parë në historinë e këtij panairi, nuk mori bekimin e Ministrisë së Kulturës dhe as atë të Bashkisë së Tiranës.
Përfaqësues të këtyre dy institucioneve, jo vetëm nuk morën pjesë në çeljen e tij, por as nuk e mbështetën financiarisht atë. Sipas Ministrisë së Kulturës, arsyeja ishte mungesa e plotësimit të dokumentacionit, ndërsa përfaqësues të Shoqatës së Botuesve pohojnë se argumenti i pashkruar është ai i dyshimeve nga institucionet publike se përfitimi i financimeve do të ndalej te Shoqata e nuk do të transmetohej te shtëpitë botuese, të cilat i paguajnë shtrenjtë stendat e ekspozimit në panair.
Por, përtej kësaj, nuk shihet asnjë përfitues i konflikteve të lindura edhe në nderim të një autori të madh si Jeronim de Rada. Panairi i këtij viti është cilësuar në nder të 200-vjetorit të lindjes së tij.
Por, nëse figurën e De Radës nuk e zbehin dot konfliktet ekonomike të çastit, qoftë edhe në nivel publik, mungesa e investimeve publike në libra, na jep një kosto më të lartë që nuk ndalet te shtëpitë botuese. Humbësi më i madh, në këtë treg, duket lexuesi.
Edhe pse në Panairin e Librit ka një fluks të madh lexuesish që njihen me botimet e reja, blerësit janë të pakët. Ata ankohen për çmimet e tyre të larta.
Por mungesa e financimeve publike siguron një “dëm” tjetër më të madh, sipas studiuesve: kontributin publik për një orientim të drejtë te librat cilësisht më të mirë.
Mbizotëron publicistika
Lexuesit besnikë, sipas organizatorëve të Panairit të Librit, vijnë të zgjedhin botimet më të mira të romaneve klasike. Por, nëse flasim në shifra shitjesh, publicistika kryeson me një distancë të madhe edhe me autorët më të mirë të huaj.
Ahmet Zogu mbetet një ndër figurat më të debatuara të Shqipërisë dhe shqiptari mbi të cilin janë shkruar më shumë libra. Plot 21 të tillë, biografi e libra historiko – politikë. Por, profili i jetës së tij, “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, me autor Blendi Fevziun, ka regjistruar rekord në shitje, ku vetëm ditën e parë të panairit u “rrëmbyen” 5 mijë kopje.
Edhe shtëpitë botuese më të suksesshme janë ato të fokusuara te publicistika, si UET Press. Ndërsa duhet theksuar se marketingu po bën punën e tij. Sipas vlerësimeve në tregun e librit, në volumet e shitjeve ka një diferencë të madhe mes atyre të lançuar nga shtëpitë botuese përmes reklamimit.
Kjo po bën edhe ndarjen e madhe mes shtëpive botuese, për të cilat mbetet detyrë të identifikojnë botimin më të mirë dhe ta dërgojnë drejt lexuesit, qoftë edhe me disa shpenzime marketingu.
Por, pavarësisht orientimit të duhur apo jo të lexuesit, shtëpitë botuese vlerësohet të arrijnë të ofrojnë gjithë gamën e nevojshme për zgjedhje.
Javës së kaluar, 100 shtëpi botuese shpalosën punën e tyre njëvjeçare dhe titujt e rinj. Jeta Hamzallari, redaktorja e shtëpisë botuese “Dituria” thotë se, “këtë vit ka më shumë autorë të huaj, të cilët vijnë për herë të parë për lexuesin shqiptar. Ndryshe ndodh për shtëpinë botuese “Toena”. Botuesja Irena Toçi rrëfen se mes shumë librave që do të prezantohen në panair, tre janë më të rëndësishmit dhe konkretisht tre autorë shqiptarë.
Botimet në rimëkëmbje
Kur raportohen shitje të ulëta që nuk mbulojnë shpenzimet e tregut në total (ndonëse ka shtëpi botuese të suksesshme), nuk mund të pritet shumë nga shtëpitë botuese. Numri i botimeve këtë vit ka shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, kur zbriti afër 1100 titujve të rinj (nivel nën mesataren e këtyre viteve).
Këtë vit, titujt e rinj vlerësohet të mos jenë rreth 1 500 ose rreth 400 më shumë se vitin e kaluar. Kjo është një rimëkëmbje e ndjeshme, krahasuar me vitin e kaluar, kur botimet e reja ishim më shumë se përgjysmuar krahasuar me një vit më parë. Në 2012-n panë dritën e botimit rreth 2866 libra, ndërsa vitin e kaluar ishin vetëm 1086 të tillë. Pjesa më e madhe e botimeve vazhdon të mbizotërohet nga letërsia e huaj artistike dhe tjetra në gjuhën shqipe. Ndër librat joartistikë që përbëjnë peshën kryesore, një pjesë e rëndësishme, është ajo e teksteve shkollore për të gjitha nivelet.
Letërsia artistike vazhdon të jetë gjithmonë e pëlqyeshme, sidomos për femrat, të cilat janë më besniket. Ndërsa shtëpitë botuese vlerësojnë se, meshkujt janë më shumë të interesuar për letërsinë shumë cilësore, të natyrës historike, por edhe me karakter studimor. Mosha që lexon më shumë, sipas tyre, është mbi 25 vjeç.
Tregu i botimeve në Shqipëri:
– Mbi 100 shtëpi botuese
– Rreth 380 shtypshkronja
– Dalin në treg mesatarisht 1200-1500 tituj të rinj në vit.
– Fuqia blerëse nuk është e matur, pasi mungojnë anketime, por në standardet e UNESCO-s, shqiptarët hyjnë te botuesit e këqij.
Botuesit, problemet që ka industria e librit:
– Kostoja e lartë e prodhimit
– Mungesa e promocionit
– Mungesa e subvencioneve nga ana e shtetit
– Mungon një rrjet i konsoliduar i shpërndarjes së librit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.