Biznesi i vogël: TVSH-ja do të na fundosë, rrezikohen 150 mijë të vetëpunësuar

13/10/2017 1:12 PM 0 komente

Bizneset e vogla, që janë  motori i i (vetë)punësimit në Shqipëri po përjetojnë një periudhë të vështirë. Vetë zhvillimet e natyrshme ekonomike me zgjerimin e rrjeteve të supermarketeve e qendrave tregtare i kanë dhënë goditjen e parë dhe tashmë nisma e re për ta përfshirë në skemën e TVSh-së rrezikon t’i nxjerrë fare nga tregu. Shqipëria llogarit më shumë se 150 mijë të vetëpunësuar…

Rezarta Lila për gati pesë vite ka tregtuar rroba të përdorura në një dyqan shumë pranë kryqëzimit të Komunës së Parisit.  Për Monitor ajo tregoi se me dyqanin nxjerr një rrogë për vete dhe u shpreh e shqetësuar për vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në Biznesin e saj. Sipas zonjës Lila, konkurrenca është rritur shumë. Dyqanet, të së njëjtës natyrë, ishin hapur rresht në rrugën ku shiste dhe Rezarta.

“Punë nuk kemi shumë, në rast se na vendoset TVSH-ja, ne jemi të fundosur. E para që do të bëjmë është rritja e çmimeve, kështu do të largohet vetë klienti prej nesh,”- tha ajo kur u pyet se si do të vepronte në rast se do të aplikohej TVSH-ja dhe tek ajo.

Aty pranë saj, edhe Saimir Shahini bashkë me të vëllain, kanë hapur prej tre vitesh një dyqan të shitjes me pakicë të frutave dhe perimeve.

“Nuk është se fitoj ndonjë gjë të madhe, thjesht nxjerrim nga një rrogë për vete. Tregtimi i fruta-perimeve nuk ka leverdi, pasi ne, së pari kemi shumë firo, dhe se dyti konkurrenca është aq e fortë sa nuk mund të lëvizim me çmimet shumë,”- tha ai për Monitor.

Edhe për Saimirin, vendosja e TVSh-së do të ishte fundosje për biznesin e vogël.

“Ne e hapim dyqanin herët në mëngjes dhe e mbyllim vonë në mbrëmje. Rrogat që nxjerrim janë të vogla, por kaq alternativa ka për t’u punësuar në Shqipëri”,- shtoi ai.

Kategoria e të vetëpunësuarve është më e brishta për t’u llogaritur për shkak se ata nxjerrin një pagë minimale dhe janë të pamësuar me procedurat e komplikuara administrative që do të sjellë futja në TVSH, për të cilin do të duhet të rrisin pagesat ndaj ekonomistëve.

Shqipëria është unike për nivelin e lartë të të vetëpunësuarve, që sipas INSTAT në vitin 2016 përbënin rreth 35% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo normë është më e larta në Europë (pas nesh Greqia e ka 30%) dhe ndër më të lartat në botë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2016, rezulton se 41,2 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,9 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 23,9 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

Në total, sipas të dhënave nga INSTAT rezulton se janë rreth 150 mijë persona janë të vetëpunësuar (pa përfshirë të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor).

 

Biznesi, nxjerrim një pagë dhe jo fitime

 

Të intervistuarit për Monitor thonë se me aktivitetin që kanë çelur nuk bëhet fjalë që të nxjerrin fitime, por vetëm një rrogë modeste, nën 50 mijë lekë.

Edhe në sondazhin e dytë të kryer në mars të këtij viti me bizneset që kishin mbyllur biznesin, një pjesë prej tyre u përgjigjën se do preferonin të ishin me pagë se sa me biznes, mirëpo nuk kishin alternativë tjetër.

Duket paradoksale, Ardit Nexhipi tha se e mbylli aktivitetin e tij, pasi kishte gjetur një punë më të mirë, me një pagë më të kënaqshme se fitimet që nxirrte nga biznesi i tij. Edhe Ilir Zoto, me aktivitet bar-kafe në kryeqytet, dha të njëjtën arsye për pezullimin e aktivitetit të tij.

“Nuk më leverdiste ta mbaja më. Tani punoj diku tjetër ku marr më shumë të ardhura se sa në biznesin që kisha, – tha ai gjatë intervistës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz