Projekti i miratuar së fundmi nga Kuvendi për riaktivizimin e amnistisë fiskale deri në 31 dhjetor 2013 ndezi emocionet dhe ndjenjat e biznesit, të brengosur nga kriza dhe vështirësitë e menaxhimit të punëve të përditshme. Projektligji i jep mundësi biznesit të aplikojë për të përfituar faljen e disa detyrimeve të papaguara, deri më 31 dhjetor 2013, vetëm sa i takon aktivitetit të realizuar deri në 2010-n.
Në fakt, është kontradiktor fakti që një amnisti fiskale, të paragjykohet nga sipërmarrja private, edhe pse paketa e propozuar nga qeveria u jep mundësi të përfitojnë faljen e gjobave dhe disa detyrime të të papaguara në vite.
Biznesit i ofrohet mundësia “për të larë mëkatet”, kundrejt disa tarifave, deri diku të përballueshme, e megjithatë, kanë dyshime se ftesa e qeverisë nuk është e sinqertë.
“Amnistia është për ata që punuan në këto kohë krize”, thonë ndërtuesit, kurse ekspertët e politikave fiskale shikojnë me shqetësim efektet negative të kësaj reforme, në dëm të sistemit të taksave, pasi “amnistitë nuk mund të përsëriten kaq shpesh”.
Natyrisht, politika është e ndarë, për vetë faktin se projektligji u hodh për votim në kulmin e fushatës elektorale. Në rast se do të kishin bashkuar votat, atëherë projekti do të falte edhe veprat penale, por nuk ndodhi kështu. Edhe vetë demokratët ishin skeptikë, por votuan për hir të linjës politike, ndërsa duhet theksuar se projektligji mori vetëm 48 për qind të votave në Parlament, kuotimi më i ulët që një ligj ka marrë ndonjëherë.
Biznesi: Asgjë e re
“BiznesAlbania” thotë se paketa nuk ofron asgjë të re, por vetëm shtyrje të afatit. Kush nuk aplikoi në vitin 2011 për të përfituar, mund ta bëjë tani, thotë shoqata, duke shtuar se në thelb, nuk pritet se do të ketë zhvillime pozitive. Sipas saj, projekti u afrua në kohë fushate, ndaj dhe pritshmëritë janë për rezultat dështues.
Ndërtuesit janë më ironikë. “Amnistia e dytë, nëse mund ta quaj kështu, nuk është gjë tjetër vetëm mundësi për ata që kanë ‘ditur’ të punojnë në këto kohë krizë, me forma dhe mënyra të ndryshme. Për atë pjesë të zhytur në krizë, nuk sjell asgjë, thjesht ndikime të vogla”, deklaron Maksi Muçi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve.
Por çfarë thotë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, e cila më 2 maj, hodhi e para propozimin për realizimin e amnistisë të re, me kushte krejt të tjera, të cilat nuk u aprovuan nga Ministria e Financave? Asgjë! Nikolin Jaka e ka të vështirë të japë ndonjë koment, por thotë se propozimet e anëtarëve të dhomës ishin serioze dhe do të japin efektin e duhur në ekonomi në rast se do të votohen.
Pra, për çfarë u bë amnistia, kur grupet kryesore të biznesit janë skeptikë se do të përfitojnë diçka, madje një pjesë e shikojnë të frikësuar.
Analistët: Dëmton sistemin fiskal
Duhet pranuar se përveç politikës, edhe biznesi ishte i ndarë në pikëpamje sa i takon ndikimit që do të jepte në ekonomi amnistia fiskale. Të paktën në debatet e fillimvitit 2011, kishte shoqata të ndryshme, si p.sh. Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila e shikonte me shqetësim efektin që do të mund të jepte në ekonomi, duke e lidhur me faktin e dekurajimit të atyre bizneseve që kishin qenë të rregullta në pagesën e taksave.
Rreth dy vjet më pas, një ndër ekspertët e njohur të sistemit fiskal, Xhavit Curri ndan të njëjtin mendim. Curri ka punuar prej disa vitesh në postet e larta të Drejtorisë së Tatimeve dhe e njeh nga afër terrenin, ndërsa sot ai “mbron”, nëse mund ta quajmë kështu, interesat e sipërmarrjes private.
“Është thjesht një lojë, provokim nervash për biznesin dhe asgjë më shumë. Por akoma e më keq, po luhet me fatin e të ardhurave në sistem. Nëse i mësojmë bizneset tona me mentalitetin se do të kemi amnisti një herë në 2-3 vjet, atëherë nuk jemi asgjëkund dhe të gjitha reformat për një menaxhim korrekt të taksave do të dështojnë. Amnistia e miratuar së fundmi nuk do të çlirojë ato kapitalet e premtuara, por thjesht synon të shtojë disa vota. Më vjen keq, por kështu nuk ecet përpara”, thotë Curri.
Ervin Bushati, sekretari për ekonominë në PS, e shikon në dy drejtime. “E para, amnistia u propozua në kohë fushate, ndaj dhe biznesi që do të përfitojë është i lidhur me grupime të caktuara, pra do të jetë proces selektiv. E dyta, kemi dëmin moral, nëse biznesi mësohet me amnisti, nuk përfitohet asgjë për ekonominë”.
Në kampin e demokratëve, vetëm Edmond Spaho mundi të jepte një deklaratë, që sipas tij, shtyrja e afatit është një shans i duhur për biznesin në këto kohë zhvillimesh intensive. Deri më tani, për amnistinë ka folur vetëm kryeministri, kurse ministri i Financave nuk është prononcuar.
Garancia që nuk u dha
Po çfarë e bën biznesin shqiptar të hezitojë?. Fundja, paketa e ofruar nga qeveria paraqet incentiva të nevojshme për të zbutur efektet e krizës dhe një shans për të pastruar bilancin.
Ajo është Garancia! Pothuajse, të gjitha shoqatat kanë kërkuar nga Ministria e Financave garanci që të mos ndëshkohen në kuadër të procesit të vetëdeklarimit të mëkateve.
Në pikën 4, të nenit 22 të ligjit thuhet, se “tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse nga kontrolli tatimor rezulton se detyrimi tatimor është më i madh se ai i vetëdeklaruar, sipas këtij neni”. Pra, e thënë ndryshe, biznesi kërkon që të mos verifikohen bilancet e përfshira në procesin e amnistisë në mënyrë selektive dhe ndëshkuese.
Këtë merak e ka ngritur disa herë Nikolin Jaka, ku madje në një nga propozimet e dhomës së fundit është ndëshkimi i tatimorëve që nxjerrin informacionet e bizneseve, duke dëmtuar interesat dhe konkurrencën. “Në të gjitha rastet për subjektet që përfitojnë nga ky ligj, organet e specializuara të hetimit nuk mund të fillojnë ndjekjen penale duke u bazuar nga deklarimet vullnetare sipas këtij ligji”, thuhet në një nga propozimet. Gjithashtu, në rastet e fillimit të ndjekjes penale, organet e specializuara të hetimit kanë detyrimin dhe përgjegjësinë për mbledhjen e provave dhe dokumenteve lidhur me ngritjen e akuzave dhe argumentimin e tyre në Gjykatë, ishte një tjetër kërkesë e biznesit, por nuk u mor në konsideratë.
Biznesi kërkoi rishikimin e tarifave për legalizimin e kapitalit në kuadër të procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe makinerive e pajisjeve, duke sugjeruar ulje nga 6-7 për qind, në 3-5 për qind, por as kjo nuk u miratua. Pra, qeveria thjesht shtyu në kohë variantin që ishte.
Falja fiskale, afatet e reja, kush përfiton dhe sqarimi se për çfarë vitesh bëhet fjalë
Oferta vlen për bilancet deri në 2010-n
Amnistia nuk mori votat e opozitës në prill 2011, duke hequr kështu nenet e faljes së veprave penale, ndaj paketa mbeti thjesht në legalizim kapitali dhe falje gjobash e taksash.
Afati i zbatimit ishte deri më 31 dhjetor, por u shty për në mars 2012. Tashmë, e njëjta paketë, siç është, ka vlefshmëri zbatimi deri më 31 dhjetor 2013. Pra, bizneset që për shkaqe të ndryshme hezituan të aplikonin për falje fiskale, kanë mundësi ta bëjnë tani, pas hyrjes në fuqi të ligjit (me publikimin në Fletoren Zyrtare).
Ministria e Financave thotë për “Monitor” se vendosja e afateve të reja nuk prek periudhën e faljes, pra kohën e realizimit të aktivitetit, pasi mbeten ato që ishin.
Neni 19 i projektligjit sqaron detyrimet që falen pa pagesë.
Ato janë: të gjitha detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010;
të gjitha detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010;
detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të
regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008;
të gjitha detyrimet e prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor për periudhën deri më 31 dhjetor 2010.
Detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë, apo persona fizikë, të
regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 30 për qind të principalit të tatimit. “Detyrimet tatimore të papaguara, të tatimpaguesve persona juridikë, apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, falen nëse tatimpaguesi, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 50 për qind të principalit të tatimit”, thuhet në pikën 2 të nenit 20.
Falja prek edhe biznesin e vogël. Të gjithë ata qytetarë që janë regjistruar si biznes i vogël, pra janë të vetëpunësuar, dhe që deklarojnë shuma monetare, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjitha detyrimet tatimore konform ligjit deri më 31 dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është 3 për qind.
Të gjithë të vetëpunësuarve iu falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, përfshi gjobat dhe kamatëvonesat deri më 31 dhjetor 2008. Falen gjithashtu edhe dy vitet e fundit nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurimet e vitit 2011. Kësaj kategorie, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, i falen gjobat dhe kamatëvonesat për të gjithë periudhën e kaluar. Personat fizikë, biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatat për të punësuarit e tyre, deri më 31 dhjetor 2010. Gjithashtu, biznesi i vogël, i cili është pajisur me kasë fiskale deri më 28 shkurt 2011, u falen gjobat e marra për vendosjen e këtyre pajisjeve.
Rezultatet e “Amnistisë së Parë”
– Pasuria e paluajtshme e rivlerësuar e bizneseve është në shumën 14 milionë lekë, nga të cilat bizneset kanë paguar vetëm 3% të kësaj shume, rreth 418 mijë lekë.
– Kanë bërë rivlerësim pasurie mbi 4 mijë individë. Shuma totale e pasurisë së rivlerësuar është 30 miliardë lekë, për të cilat individët kanë paguar vetëm 300 milionë lekë, ndërsa 2.7 miliardë lekë u janë falur.
– Në total, nga ana e komisioneve të Faljes te Tatimet, janë falur 44,734 raste në vlerën 3.6 miliardë lekë. Nga ana e biznesit është paguar shuma prej 35,3 milionë lekë, për 448 raste.
– Në total janë falur 10.7 miliardë lekë detyrime doganore, nga të cilat kanë përfituar 1,456 biznese dhe janë paguar 18.6 milionë lekë.
– Janë legalizuar nga individët 400 milionë lekë, nga të cilat është marrë tatim në burim për legalizimin e shumës në të holla nga individët (3%) shuma prej 11,9 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.