Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), është e shqetësuar për gjendjen energjetike të kohëve të fundit, si dhe për paralajmërimet për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas OEK-ut rritja e çmimit të rrymës do të reflektoj në format e ndryshme negative në ekonominë kosovare.
Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se me rritjen e çmimit të rrymës do të dëmtohen bizneset vendore epo ashtu do të vështirësohet hyrja e investitorëve të rinj nga jashtë. “Duke konsideruar gjithmonë që investitorët e huaj në Kosovë përbëjnë një mundësi për zhvillim ekonomik, një vendim i tillë për ngritje të çmimit të energjisë elektrike patjetër që do të ketë efektin e vet duke krijuar kushte jo të favorshme për ta dhe duke e bërë Kosovën një vend më pak të pëlqyer dhe të përshtatshëm për absorbim të investimeve të huaja”.
Zyrtarët e OEK-ut konsiderojnë se një situatë e tillë do të rëndojë akoma më shumë gjendjen e bizneseve, veçanërisht të kompanive prodhuese. “Shqetësime vijnë edhe nga kompanitë eksportuese të cilat janë tejmase të shqetësuara për paralajmërimet e fundit, duke parashikuar ditë të këqija për eksportet tona, në humbjen e aftësive konkurruese dhe mundësinë që të jenë konkurrent në tregjet e huaja, në rast se një vendimi tillë bëhet i plotfuqishëm. Një rritje e tillë e çmimit të energjisë duke ulur aftësinë konkurruese për eksporte, na shtynë drejtë një situate tjetër, ku importet do të rriten dhe bashkë me to edhe varshmëria e Kosovës nga importi”.
Çdo ngritje e mundshme e çmimeve, sipas OEK-ut do të duhej të amortizohej përmes një mase fiskale nga qeveria e vendit, siç do të ishte ulja e TVSH-së, masë kjo që do të ulte sadopak ngarkesën e madhe në çmim të energjisë elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.