Biznesi i nënkontraktimit të shërbimeve në rritje, por nuk ka profesionistë

30/01/2018 2:42 PM 0 komente

Biznesi i nënkontraktimit të shërbimeve është një nga elementet e tregut që ka njohur edhe zgjerimin më të madh vitet e fundit. Vitin e kaluar, Këshilli i Investimeve u ndal në një takim të veçantë vetëm për këtë pjesë, duke e shoqëruar me informacione shtesë që sillnin problemet që has sektori, si dhe rekomandimet për përmirësim. Kështu forca aktuale e punës konsiderohet si një avantazh, por ajo ka sërish nevojë për përmirësim. Këshilli i Investimeve do të nënvizonte se të rinjtë shqiptarë kanë mungesë përvoje, për shkak të mungesës së praktikave. Gjithashtu i karakterizojnë mangësi në edukatën dhe korrektesën ndaj punës. Kanë kualifikim të dobët teknik. Trajnimi nëpër call center në nivele bazike nuk ka krijuar baza për zhvillim të mëtejshëm të punonjësve. Nga anketat është parë se, kryesisht, pritshmëritë e atyre që punësohen janë më të larta se realiteti dhe çfarë ofrojnë bizneset.

Në tregun e BPO-ve (nënkontraktimi i shërbimeve) aktualisht janë të punësuar rreth 30 mijë persona, por tregu shfaq potencial në rritje sipas kërkesës deri në 50 mijë. Shqipëria ka qenë gjithmonë në vëmendje edhe nga nënkontraktorë të gjigantëve si Apple apo Google apo biznese të tjera nga vende të zhvilluara perëndimore, por ngërçi qëndron te numri i ulët i profesionistëve. “Gjermania ka pasur interes për të investuar në sektorin e IT (Developing and programming), por mungesa e cilësisë së stafit dhe njohuria e kufizuar e gjuhës gjermane ka frenuar investimet. Gjithashtu mësohet se kanë pasur interes nga SHBA-ja dhe Singapori, por nuk është konkretizuar asnjë rast. Klientë të Apple, Google, Vodafone, BBC, Amazon, LinkedIn, Facebook, etj., kanë qenë të interesuar gjithashtu” do të nënvizonte Këshilli i Investimeve. Të njëjtën situatë konfirmojnë dhe operatorët e tregut sot, të cilët nënvizojnë se mungesa e profesionistëve është ngërçi kryesor që ka tregu. Këshilli i Investimeve e sheh këtë problematikë, biznesi gjithashtu, vetëm qeveria duket se nuk e ka të qartë. Politika e saj e uljes së tatimfitimit nga 15% në 5% për prodhimin e software është një paralele që nuk pritet askund, me rritjen e stafit të kualifikuar për këtë sektor në treg. Praktikisht kemi një masë spontane që plotëson kuadrin e gjithëpërfshirjes së sektorëve në lehtësi por që nuk i shërben aq sa duhet sektorit.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of