Biznesi që rritet në kohë të vështira

30/12/2011 8:18 AM 0 komente

Vonesat në pagesa dhe vështirësitë në kreditim po nxisin zhvillimin e kompanive të faktoringut. Objekt i ndërmjetësve parapagues janë prodhuesit shqiptarë, të cilët tregtojnë në rrjetet e shitjes me pakicë. Eksportuesit, një mundësi e mirë për të ardhmen. Në botë, faktoringu ndërkombëtar rritet 47%

Nga Albana MUçAJ

Që kur filluan të rriten çmimet e lëndëve të para në vitin 2008, sipërmarrës e konsumatorë nuk kanë pushuar së ankuari për kushtet e vështira të shitjeve, konkurrencën e lartë, ndërsa blerësit ankohen për çmime të larta e ndihen të dobët për blerje. Sigurisht arsyet që erdhën më vonë (kriza financiare ndërkombëtare, borxhet e qeverive europiane) nuk i lehtësuan këto kushte. Por edhe në një treg të tillë, jo të gjithë janë të humbur. Ashtu si në një ditë me shi shiten më shumë çadra, në një periudhë kur sipërmarrjeve u vonohen pagesat (nga klientët e tyre sipërmarrës) del në skenë faktoringu. Ky shërbim financiar mund të ofrohet nga bankat, por edhe nga institute të tjera financiare dhe nënkupton blerjen e llogarive të arkëtueshme të një kompanie dhe administrimin e ndjekjen e tyre.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, ky shërbim është pothuajse i padukshëm në tregun e shërbimeve financiare bankare, ndonëse gjashtë banka që operojnë në tregun tonë e kanë faktoringun pjesë të paketës së tyre të shërbimeve.

I konceptuar si një financim pa kolateral, ekspertët financiarë nuk presin të ketë ndonjë zhvillim të theksuar as në muajt në vazhdim pranë bankave të nivelit të dytë, kur këto të fundit nuk janë shumë optimiste për rritjen e kreditimit.

Në të njëjtën kohë, vërehet se po zhvillohet ky shërbim përmes kompanive të faktoringut.

Kompanisë së licencuar para rreth dy vitesh në faktoring pritet t´i shtohen së shpejti edhe dy kompani të tjera private që presin të licencohen e të fillojnë aktivitetin.

Për një njohje më të mirë të sipërmarrjeve shqiptare me këtë instrument financiar, Programi i USAID “Rritje Albania” zhvilloi një seminar me një grup të madh sipërmarrësish prodhues e eksportues, por edhe sipërmarrës në fushën e shërbimeve.

Panos Papatheodhori, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FCI, i cili po ngre një shoqëri faktoringu në Shqipëri, tha në takim me sipërmarrësit, se, ligji për faktoringun në Shqipëri është shumë i mirë. “Në rajonin e Ballkanit kemi parë raste të mira dhe jo aq të mira të faktoringut”, vlerësoi Papatheodhori. Duke qenë në fillimet e zhvillimit të faktoringut (nga kompani jobankare ) ekspertët ftojnë të ngrihen strukturat e duhura dhe të bëhet një përzgjedhje e përshtatshme e personelit. Për ekspertët e ekonomisë, me interes në tregun tonë, do të ishte mbi të gjitha zhvillimi i faktoringut për eksport, meqë pjesën më të madhe të eksporteve i bëjmë në vende ku likuiditeti është kufizuar ndjeshëm.

“Nëse faktoringu arrin të kuptojë mirë natyrën e shitjes, faktori i propozon shitësit të blejë disa prej këtyre faturave. Përparësia është se shitësit i bëhet pagesa në kohë”, thekson Papatheodhori. Në rastin kur janë përcaktuar mirë kushtet e shitjes, produkti dhe kushtet e pagesës, të tria palët janë të fituara. Shitësi paguhet menjëherë, faktori merr pjesën e tij të fitimit, duke arkëtuar të ardhurat në një kohë më të vonë, të përcaktuar në kontratë, vlerësojnë ekspertët financiarë.

Kriza rrit faktoringun

Për ekspertët financiarë grekë nuk është rastësi që në Greqi gjatë vitit të kaluar eksportet u rritën 45%, ndërsa vëllimi i faktoringut u rrit 49% krahasuar me një vit më parë. Sipas Papatheodhorit, ka dy arsye pse erdhi kjo rritje: para krizës kompanitë greke ishin fokusuar të shisnin në tregun e brendshëm dhe sot po shikojnë të shesin në tregje të tjera. Së dyti: nuk ka likuiditet dhe siguruesit e riskut të kredisë në importe nuk duan ta mbulojnë këtë shërbim. Ndaj u mbetet shoqërive të faktoringut të ofrojnë diçka. Avantazhet e shitësit janë: likuiditet i drejtpërdrejtë dhe ulje e kostos operative të stafit.

Ndonëse nuk ka një vlerësim në shifra të këtij shërbimi në vendin tonë, mjafton të themi se së shpejti pritet të licencohen edhe dy shoqëri të tjera të faktoringut. Dy vite më parë, në tregun vendas nuk kishte asnjë shoqëri faktoringu të mirëfilltë. Përfaqësuesit e kompanisë “Albanian Faktoring Services”, tregojnë se interesi i sipërmarrjeve ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Si shtyrja e afateve të pagesave, edhe vështirësimi i kreditimit kanë rritur interesin e bizneseve private të punojnë me një faktor.

Sipas ekspertëve financiarë, kur një kompani do të shesë një produkt dhe pritet të paguhet më vonë, mund të zgjedhë një faktor, ose të marrë një hua në bankë. “Ndryshe nga banka, faktori e mbështet funksionin te njohuritë dhe përvoja në natyrën e kontratës së shitjes dhe shikon flukset e shitjeve”, vlerësojnë ata.

Në varësi të nevojave një shoqëri faktoringu mund të ofrojë shërbimet: faktoring i brendshëm me garanci, pa garanci, faktorin për eksport-import, me sasi apo me agjent, arkëtim apo shlyerje faturash.

Aktualisht, në tregun shqiptar ofrohen shërbimet e faktoringut pa garanci, çka nënkupton se në rastin më të keq, detyrimi bie mbi kompaninë shitëse e jo te faktori.

Faktori duhet të kryejë të paktën dy prej këtyre shërbimeve:

Financim (pagesë në avancë)

Mirëmbajtje të llogarive të arkëtueshme

Shërbime arkëtimi

Mbrojtje kundrejt mospagimit nga debitorët

Faktoringu?

Faktoringu është blerja dhe financimi i llogarive të arkëtueshme i shoqëruar me shërbimet e administrimit të llogarive të arkëtueshme, arkëtimit, mbulimit të riskut të mospagimit nga blerësit, si dhe mbulimit faktik në rast të mospagesës nga blerësit për shkak të pamundësisë financiare të këtij të fundit për të paguar.

Botë

34% rritet faktoringu ndërkombëtar

Në tregun global, vëllimi total i transaksioneve të faktoringut arriti në rreth 1.3 trilionë dollarë në vitin 2010. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti (70% e xhiros) vjen nga rrjeti ndërkombëtar i faktoringut (FCI) ku përfshihen 254 anëtarë në 67 vende. Në vitin 2010 faktoringu ndërkombëtar arriti në 179 miliardë euro, duke u rritur 34% krahasuar me 2009-n. Eksportuesit më të mëdhenj të faktoringut janë Kina me vlerë prej 3.7 miliardë eurosh, vëllimi i së cilës u rrit me 67%. Edhe Tajvani pësoi rritje prej gati 60%, duke zënë vendin e dytë.

Në tregjet më të mëdha importuese, ku ka vepruar instrumenti financiar i faktoringut, pozicionohet SHBA, me një vëllim importi përmes këtij shërbimi prej 4.59 miliardë eurosh, gati 50% më shumë se një vit më parë.

Paketa e shërbimeve të faktoringut lehtëson transaksionet për llogari të hapura. Banka Botërore e ka mbështetur në vendet me nivel të lartë të shkëmbimeve tregtare si në Amerikën Latine.

Kujdes me mundësitë e krizës

Flet Gert Peshkakari, menaxher i përgjithshëm i “Albanian Factoring Services”

Si po zhvillohet faktoringu në Shqipëri, cilat janë shërbimet që ofroni?

Në Shqipëri, kompania jonë bën vetëm shërbime të faktoringut pa garanci. Kjo do të thotë se ne nuk e blejmë faturën, por bëjmë një kalim nga klienti te kompanitë e faktoringut të këtyre llogarive të arkëtueshme. Pra, kur një klient i yni lëshon faturë kundrejt dikujt, në varësi të analizës së riskut që i bëjmë klientit tonë, por edhe klientit të klientit tonë, zgjedhim të financojmë. Momentalisht, përqindja jonë e financimit arrin deri në 70%. Sigurisht nëse produkti është shumë i mirë, nëse klienti është shumë i mirë dhe garancia e pagesës është shumë e lartë, atëherë financojmë deri në 80%, por nuk ka asnjë rast që financimet tona t´i kalojnë 80% të vlerës së faturës.

Si jemi të pozicionuar krahasuar me tregjet e tjera?

E njëjta gjë ndodh edhe në tregje të tjera. Përqindjet janë të njëjta. Në Shqipëri faktoringu është i aplikueshëm si në çdo vend të botës, por specifikat janë të ndryshme. Faktoringu pa garanci nënkupton se, pavarësisht financimit që i bëjmë klientit tonë, nëse klienti i klientit nuk paguan, barra bie mbi vetë kompaninë. Detyrimi paguhet nga klienti i faktorit, pasi financuam e nuk blejmë.

Cilat janë kostot e faktoringut?

Në vendin tonë nuk ekziston tregu i sigurimeve për kreditë dhe faktoringu funksionon pa kolateral.

Kostot janë dy: Interesat janë me bazë vjetore, por interesi paguhet realisht për aq kohë sa paratë përdoren. Ndryshe nga një bankë, shoqëritë e faktoringut nuk kanë interesa të publikuara. Norma e interesit varet shumë nga analiza që i bëjmë klientit dhe specifikat që shohim. Gjithsesi interesi nuk është aq shumë fleksibël për shkak të kostos së parasë në treg. Po të bëjmë një krahasim, kostot e faktoringut janë përafërsisht aq sa të një overdrafti. Sipërmarrjet shpesh stepen, duke menduar se si një financim pa kolateral ka kosto më të larta, por ne kërkojnë që biznesin ta shohim si partner, si një mundësi shumë të mirë për të punuar me ne.

Së dyti: Komisioni administrativ, i cili është një përqindje mbi vlerën totale të faturës dhe luhatet mes 1.5-2.5%. Kjo përfshin të gjitha kostot e administrimit të llogarisë së arkëtueshme. Ne nuk bëjmë vetëm financim, por mund të bëjmë edhe blerjen e llogarive të arkëtueshme, ndjekjen e llogarisë, administrimin.

Si janë luhatur afatet e pagesave mes sipërmarrjeve dhe klientëve të tyre. A keni bërë një vlerësim se sa i ulni koston një klienti tuaj?

Në tregun tonë, për një kohë shumë të gjatë, mënyrat e pagesave ishin cash. Sot 95% e kompanive nuk paguhen më cash. Deri para pak muajsh, periudhat e pagesave (llogari të hapura) ishin deri në një muaj, ndërsa sot ato kanë arritur në 45-60 ditë. Ne financojmë pikërisht këtë periudhë. Kompanitë që nuk kanë kapital për xhiron marrin kredi për të paguar kosto si paga, shpenzime operative, apo furnitorë. Në këtë rast ndodh që kompania merr një borxh të caktuar pa pasur mundësi të mbledhë borxhin që i kanë klientët. Ne themi të kundërtën, që me të njëjtat kosto që merr overdraft, kompania të marrë paratë e saj. Si biznes në këtë rast, kostot përgjysmohen. Së dyti: ka kosto pothuajse të pamundura për t´u përllogaritur, pasi kompania heq nga barra e saj kosto të menaxhimit të disa prej llogarive të tij.

A po sjell efekti krizë një mundësi më shumë për faktoringun?

Për shkak se bankat janë tkurrur shumë dhe kanë shtrënguar kushtet e financimit të bizneseve, ka më shumë mundësi për shoqëritë e faktoringut. Por, këto mundësi janë me rrezik shumë të lartë, pasi në kushtet e krizës efekti shtrihet në të gjithë aktivitetin. Ndaj edhe ne kemi qenë shumë më të kujdesshëm në zgjedhjen e klientëve që mund të asistojmë, duke qenë më konservatorë në vlerësimin e bizneseve. Përveçse ka tkurrur aktivitetin, kriza ka bërë që aftësia mospaguese të jetë më e madhe. Pra është rritur risku i mospagimit. Sigurisht që aktiviteti ynë është rritur, por jemi më të kujdesshëm në dhënien e financimit.

Cilat janë aktivitetet më të mundshme për këtë instrument financiar dhe cilat jo?

Targeti janë kryesisht Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe biznese të mëdha të konsoliduara e me produkte me interes për faktoringun. Një sektor që nuk e prekim fare është ndërtimi dhe aktivitetet që lidhen me ndërtimin. Ai funksionon me parapagime e klering, operacione të pamenaxhueshme nga ne.

Në fokus janë kompanitë prodhuese dhe ato që prodhojnë edhe për eksport. Pjesa më e madhe e llogarive tona ka të bëjë me faktoringun e tregut vendas, ndërsa eksportet janë një e ardhme shumë e mirë për ne. Kompanitë prodhuese shqiptare janë më vulnerabël në treg. Kemi hasur raste të kompanive shumë të mira shqiptare (p.sh. prodhues bulmeti) me një produkt të konsoliduar, të cilët nuk arrijnë tregun, për shkak të vonesave në pagesa. Kjo kompani nuk pret dot pagesën e pas 60 ditëve, kur furnitorët e saj i paguan cash.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of