Biznesi që u rrit në kohë krize

12/06/2013 9:04 AM 0 komente

Tregu i factoring-ut në Shqipëri arriti në afro 9 milionë euro në 2012, duke shënuar rritje me mbi 60% me bazë vjetore. “Uria” e bizneseve për likuiditete po i shtyn drejt shërbimeve factoring, që mundëson disbursimin e menjëhershëm të faturave të lëshuara.

Kriza po rrit volumet, por po shton edhe kujdesin e kompanive factoring në vend

 

Nga Laura Çela

Kur shumë biznese vendase po vuajnë rënien e vazhdueshme dhe ecurinë negative në një ekonomi tashmë në krizë, të tjerë po ecin në “kah të kundërt”.

Biznesi i factoring-ut, që financon faturat e bizneseve kryesisht të vogla dhe të mesme, ka regjistruar shifra të larta rritjeje gjatë 2012-s.

Sipas të dhënave nga operatorët vendas, rritja në raport me vitin 2011 është mbi 60%, megjithëse në vlerë absolute, tregu mbetet ende i vogël.

Tregu i factoring-ut në Shqipëri vlerësohet të ketë arritur tashmë në 9 milionë euro, kur në vitin 2011 ishin në nivelet e 3-4 milionë euro, sipas tëdhënave nga aktorët e tregut.

Factoring, një nga shërbimet më të reja financiare jobankare në vend, nisi të operojë vetëm tre-katër vite më parë. Deri në 2012-n kanë operuar dy kompani, por numri i tyre është rritur edhe më shumë këtë vit.

Tashmë numërohen 5 të tilla, 2 prej të cilave e kanë marrë licencën nga Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti.

Endrit Beqaj, drejtues i kompanisë më të fundit të licencuar dy muaj më parë, “Profactoring Albania”, thotë se tregu ka shumë potencial dhe ky nuk është vetëm një trend shqiptar, por mbarëbotëror.

Hyrja e operatorëve të rinj po ndodh në një kohë kur tregu po rritet me hapa thuajse ‘galopantë’ si pasojë e shtimit të interesit dhe kërkesave nga bizneset.

Genci Kushta, drejtor ekzekutiv i “OmniFactor”, tregon se interesi i sipërmarrjeve ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Shtyrja e afateve të pagesave, vështirësimi i kreditimit nga bankat kanë afruar edhe më shumë bizneset private drejt këtij shërbimi.

Kur një kompani do të shesë një produkt dhe pritet të paguhet më vonë, mund të zgjedhë shumë mirë factoring-un, duke shmangur marrjen e një kredie në bankë për të mos krijuar një tjetër borxh.

“Ndryshe nga banka, factoring-u e mbështet funksionin te njohuritë dhe përvoja në natyrën e kontratës së shitjes dhe shikon flukset e shitjeve”, thotë z. Kushta.

Në varësi të nevojave, një shoqëri factoring-u mund të ofrojë shërbimet: factoring i brendshëm me garanci, pa garanci, factoring për eksport-import, me sasi apo me agjent, arkëtim apo shlyerje faturash.

Aktualisht, në tregun shqiptar ofrohen shërbimet e factoring-ut pa garanci, çka nënkupton se në rastin më të keq, detyrimi bie mbi kompaninë shitëse e jo te kompania factoring-ut.

 

Kriza, “thikë me dy presa”

Ky shërbim financiar mund të ofrohet nga bankat, por edhe nga institucione të tjera financiare dhe nënkupton blerjen e llogarive të arkëtueshme të një kompanie dhe administrimin e ndjekjen e tyre.

Megjithatë, bankat vendase ende nuk janë përfshirë në këtë treg, por në kushtet kur kreditimi nuk po rritet, kreditë e këqija po ecim me ritme të larta, ofrimi i këtij shërbimi nuk duket i largët.

Përparësia e factoring-ut është se shitësit i bëhet pagesa në kohë. Në rastin kur janë përcaktuar mirë kushtet e shitjes, produkti dhe kushtet e pagesës, të tria palët janë të fituara. Shitësi paguhet menjëherë, faktori merr pjesën e tij të fitimit, duke arkëtuar të ardhurat në një kohë më të vonë, të përcaktuar në kontratë.

Sot shërbimi factoring po kërkohet gjithnjë e më shumë nga biznesi, që në 95% të rasteve nuk paguhet më cash. Periudhat e pagesave janë zgjatur në kohë duke u luhatur nga 45-180 ditë dhe bizneset nga ana tjetër, kanë nevoja emergjente për para për të shlyer detyrimet mujore. Factoring financon pikërisht këtë periudhë.

“Kompanitë që nuk kanë kapital për xhiron marrin kredi për të paguar kosto si paga, shpenzime operative, apo furnitorë. Në këtë rast ndodh që kompania merr një borxh të caktuar pa pasur mundësi të mbledhë borxhin që i kanë klientët. Ne themi të kundërtën, që me të njëjtat kosto që merr overdraft, kompania të marrë paratë e saj. Si biznes në këtë rast, kostot përgjysmohen. Së dyti: ka kosto pothuajse të pamundura për t’u përllogaritur, pasi kompania heq nga barra e saj kosto të menaxhimit të disa prej llogarive të tij”, thotë Kushta nga “Omnifactor”.

Në këtë aspekt, kriza po ndihmon në rritjen e shpejtë të sektorit të factoring, por nga ana tjetër ka rritur vigjilencën e kompanive që ofrojnë këtë shërbim.

“Ndaj edhe ne kemi qenë shumë më të kujdesshëm në zgjedhjen e klientëve që mund të asistojmë, duke qenë më konservatorë në vlerësimin e bizneseve. Përveçse ka tkurrur aktivitetin, kriza ka bërë që paaftësia paguese të jetë më e madhe. Pra është rritur risku i mospagimit. Sigurisht që aktiviteti ynë është rritur, por jemi më të kujdesshëm në dhënien e financimit”, thotë z. Gert Peshkatari, menaxher i përgjithshëm i kompanisë më të madhe të factoring në Shqipëri, “Albanian Factoring Services”.

 

Sektorët potencialë

Targeti i factoring janë kryesisht Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, por edhe biznese të mëdha të konsoliduara e me produkte me interes për factoring-un. Një sektor që nuk është ‘prekur’ është ndërtimi dhe aktivitetet që lidhen me ndërtimin, ku sistemi i kleringut po e gërryen atë, duke i mbajtur larg dhe kompanitë e factoring.

“Por duhet të theksojmë se nuk jemi përfshirë vetëm në degën e ndërtimit të pasurive të patundshme, ndërkohë që në infrastrukturë kemi qenë shumë aktivë”, thotë z. Peshkatari.

Dy sektorët më të financuar ka qenë tregtia me pakicë dhe shërbimet, duke ndihmuar kryesisht prodhuesit të cilët furnizojnë kompanitë e retail-it në vend.

Por në fokus janë kompanitë që prodhojnë edhe për eksport, sidomos fasoni. Kompanitë janë tashmë përqendruar në këtë sektor, kryesisht duke targetuar firma të mëdha që kanë klientë të qëndrueshëm ndërkombëtarë dhe ofrojnë garanci për faturat e tyre.

 

 

INTERVISTA

“Rritje mbi 80% në 2012”

Flet Gert Peshkatari, menaxher i përgjithshëm i “Albanian Factoring Services”

 

Z. Peshkatari, ju jeni drejtues i kompanisë së parë të factoring në vend. Si ka qenë ecuria e tregut gjatë këtyre tre viteve?

Tregu i factoring-ut ka ecur me ritme të shpejta gjatë këtyre viteve. Në këtë drejtim ka ndikuar edhe situata tepër negative e likuiditeteve në ekonomi dhe te bizneset, që ka nxitur rritjen shumë të kërkesës për shërbimet e factoring në Shqipëri.

Megjithatë nuk do të thotë se domosdoshmërisht, kjo situatë e ka rritur tregun. Për një arsye shumë të veçantë, factoring-u është një partner i biznesit për nevojat afatshkurtra. Është e qartë se ne nuk i zëvendësojmë bankat, që janë partneri strategjik i biznesit për plane afatgjata të rritjes dhe zhvillimit të tyre. Ne ofrojmë mjete monetare afatshkurtra për t’u përdorur nga biznesi për xhiro.

Mungesa tepër e madhe e likuiditeteve në treg sigurisht që ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme kërkesën nga ana e subjekteve private, por nga ana tjetër ka frenuar kompanitë e factoring-ut që të jenë shumë herë më të kujdesshme ndaj financimeve.

Kjo sepse njëherësh me rritjen e kërkesës shtohet edhe risku për financime të këqija, që nuk shlyhen. Mjafton për të vrojtuar edhe nivelin që kanë arritur kreditë e këqija në banka sot (mbi 24%) që të kemi një të dhënë dhe shkak të madh që të rrisim shumë vëmendjen ndaj financimeve që bëjmë. Sigurisht, jo duke u tërhequr nga tregu, por duke rritur kërkesat tona ndaj klientëve.

Biznesi ynë operon pa marrë një kolateral nga klienti, ne operojmë në bazë të faturave të lëshuara nga bizneset. Ne punojmë me klientë të konsoliduar në treg që kanë reputacion shumë të mirë dhe si pasojë ofrojnë garanci për shlyerjen e borxheve.

Ne jemi vazhdimisht në bashkëpunim për shkëmbim informacioni me bankat në mënyrë që të kemi garanci për klientët për të cilët punojmë. Kjo na zeron edhe mundësitë për investime negative.

 

Cilat biznese janë fokusi i aktivitetit tuaj?

Ne jemi të hapur ndaj çdo lloj biznesi, por kryesisht operojmë me biznese të vogla dhe të mesme, që janë edhe targeti ynë. Ne preferojmë, por nuk vëmë kushtet, që bizneset ndaj të cilit shitet produkti të jenë të qëndrueshme.

Të gjithë sektorët janë të hapur për të përfituar nga shërbimet factoring, përveç ndërtimit. Kjo jo për shkak krizës që ka mbërthyer këtë sektor sot, por për mënyrën sesi ai funksionon në Shqipëri. Ky sektor është ngritur mbi kleringun (shkëmbimin mall me mall) dhe nuk lë hapësirë për factoring-un.

Këtu duhet të sqaroj se kjo vlen vetëm për ndërtimin e apartamenteve dhe jo në infrastrukturë, ku ne jemi shumë të përfshirë.

Gjithsesi, dy janë sektorët më potencialë në vend ku ka hapësirë për t’u zhvilluar factoring-u, retail-i (tregtia me pakicë) dhe shërbimet.

 

Po sektori i fasonit, që punon me material porositës me kompani të huaj, a është në fokusin e financimeve tuaja?

Sektori i fasonit është shumë potencial dhe ne e kemi në epiqendër të vëmendjes sonë për t’i ofruar shërbime factoring. Kompanitë më të mëdha të fasonit në vend kanë klientët shumë të mirë dhe potencialë janë vendit, prandaj ofrojnë siguri.

Ne si kompani, jemi në përpjekje përfundimtare për të lidhur dy kontrata përfundimtare në fason.

Por duhet theksuar, se ne e shohim me perspektivë këtë sektor.

Problem në këtë sektor është se në rastin e këtij biznesi, factoring shtrihet mes dy kompanive, që është njëra kompania që financon këtu dhe tjetra ajo garantuese në vendin ku operon importuesi. Ndodh që në rastin e kompanive të mëdha që ka Shqipëria klientët e kompanive ndërkombëtare të factoring-ut i kanë përmbushur limitet e tyre të financimit dhe prandaj nuk garantojnë dot importuesin e atjeshëm. Nga ana tjetër ne si kompani jemi të vogla që të garantojmë këto fatura vetë pa bashkëpunimin me homologët e huaj.

 

Sa njohuri ka biznesi shqiptar dhe sa i gatshëm është për të përfituar nga shërbimet factoring?

Problemi më i madh që kemi ndeshur këto tre vjet që operojmë në Shqipëri është se tregu dhe biznesi në Shqipëri janë mësuar me një produkt tradicional, që është kredia.

Është fakt se stepja e bankave për të dhënë kredi po ndikon shumë në rritjen e kërkesës për shërbime factoring në vend. Por për shkak se tregu i factoring është ende i vogël dhe firmat kanë kapitale të vogla, mundësia për të bërë edukim financiar mbetet e limituar. Duhet theksuar se factoring-u ka një dallim themelor në krahasim me çdo produkt tjetër financiar, që përdor një biznes, e para kompania përdor paratë e veta dhe e dyta nuk rrit ekspozimin ndaj borxhit.

Për shkak se një biznes i ka borxh një biznesi tjetër, në rastet kur ai nuk merr paratë nga furnitori i tij, detyrohet të marrë kredi në bankë për të financuar pagesat e veta, duke shtuar ngarkesën e borxhit. Factoring-u në këtë rast ndihmon që biznesi të mos ‘hyjë në borxhe’, por të marrë paratë e borxhit që i kanë bizneset e tjera.

Nga ana tjetër, shmang të gjitha burokracitë dhe pagesat për marrjen e kredive në banka. Këtu në factoring shërben vetëm fatura. Në thelb, factoring-u financon një term, ku përgjithësisht maturimi i faturave ndodh deri në 45 ditë.

 

Si ka qenë ecuria e financimeve në këtë sektor?

Banka e Shqipërisë ka bërë një punë shumë të mirë në mbikëqyrjen e këtij sektori duke garantuar mbarëvajtjen e tij. Është një gjë shumë e mirë kontrolli dhe rregullat që BSH aplikon në këtë treg financiar jobankar pasi sot investimet apo financimet “e këqija” në këtë sektor janë zero.

 

Dhe së fundmi, si është ecuria e kompanisë që ju drejtoni “Albanian Factoring Services”?

Ne kemi regjistruar një rritje shumë të kënaqshme për vitin 2012, që arriti në 88% kundrejt 2011-s. Megjithatë duhet të theksoj se ky është një treg i ri dhe shumë i vogël, prandaj në vlerë absolute shifrat nuk janë të mëdha.

Potencialet për këtë vit janë padyshim për rritje të mëtejshme dhe ne jemi shumë pozitiv. Synimet tona janë rritja e mëtejshme e kapitalit dhe diversifikimi i portofolit.

 

 

 

Factoring, ende peshë e vogël

Banka e Shqipërisë konfirmon se deri në 2012-n, tri kompani factoring operonin në treg, “Albanian Factoring Services”, “Omnifactor” dhe “Zig Factoring”.

Në vitin 2013 janë licencuar edhe dy të tjera, duke e çuar në pesë numrin total të subjekteve në këtë sektor.

Në dhjetor 2011, institucionet financiare jobanka regjistruan një total aktivesh prej 30 miliardë lekësh. Shërbimet factoring ndanë edhe peshë më të vogla të këtij tregu, me vetëm 0.3% të aktiveve.

Struktura e aktivit për subjektet e mësipërme dominohet nga zëri “Veprimet me klientët”, i cili përbën 62.9% të totalit të aktiveve të IFJB-ve, si dhe përfaqëson veprimtarinë kryesore për subjektet e factoring-ut.

Institucionet e factoring-ut kishin një peshë prej vetëm 0.13% të portofolit total të kredive të institucioneve financiare jo-banka.

 

Kompanitë që operojnë

-Albanian Factoring Services

-Omnifactor

-Pro factoring

-Zig factoring

-Ballkan factoring

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Shërbimet e factoring:

Financim (pagesë në avancë)

Mirëmbajtje të llogarive të arkëtueshme

Shërbime arkëtimi

Mbrojtje kundrejt mospagimit nga debitorët

 

Çfarë është factoring

Factoring-u është blerja dhe financimi i llogarive të arkëtueshme i shoqëruar me shërbimet e administrimit të llogarive të arkëtueshme, arkëtimit, mbulimit të riskut të mospagimit nga blerësit, si dhe mbulimit faktik në rast të mospagesës nga blerësit për shkak të pamundësisë financiare të këtij të fundit për të paguar.

 

Flet Genci Kushta, drejtor ekzekutiv i “OmniFactor”- VË FOTON E TIJ

Hyrja e operatorëve të rinj po ndodh në një kohë kur tregu po rritet me hapa të shpejtë si pasojë e rritjes së interesit dhe kërkesave nga ana e bizneseve. Kjo tregon se interesi i sipërmarrjeve ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Shtyrja e afateve të pagesave, vështirësimi i kreditimit nga banka kanë rritur edhe më shumë interesin e bizneseve private ndaj këij shërbimi. Ndryshe nga banka, factoring e mbështet funksionin te njohuritë dhe përvoja në natyrën e kontratës së shitjes dhe shikon flukset e shitjeve”.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of