Dietologjia konsiderohet një biznes i mirë në Shqipëri, me rritje të numrit të klientelës në katër vitet e fundit dhe diversifikimin e ofrimit të shërbimit: nga dieta e personalizuar te shërbimi katering në shtëpitë e shqiptarëve.
Çmimi mbetet i konsiderueshëm, një shqiptari në muaj për një shërbim dietologjik gjithëpërfshirës do t’i duhet të shpenzojë mesatarisht 30 mijë lekë…
Nga Deada Hyka
Të dëgjosh për qendra dobësimi, qoftë me dieta apo metoda të tjera, nuk përbën më habi në vitin 2018. Ashtu sikurse nuk përbën më habi shtimi i numrit të dietologëve në Tiranë, që më parë, konsiderohej një profesion i padëgjuar dhe i nënvlerësuar.
Jeta moderne, rritja e punësimit, ndryshimi i balancave dhe angazhimet e shumta ka ndikuar në jetën e individit, duke i ndryshuar mënyrën e të ushqyerit. Ndryshimi i stilit të jetës “ushqeu” lulëzimin e qendrave të dobësimit, të cilat po shohin ditë të mira dhe fitimprurëse..
Të bësh biznes me peshën e shqiptarëve
Enkeleida Ferrollari, dietologe prej shumë vitesh në Tiranë, pohon për “Monitor” se shqiptarët kërkojnë dy shërbime kryesore: kategoria e konsultës dietologjike, e cila përfshin vizitën, si dhe rekomandimet e shkruara për humbje apo marrje peshe. “Ky është një shërbim më pak impenjativ, por më ekonomik, dhe u jep mundësi edhe atyre që kanë të ardhura ulëta”, – thotë znj. Ferrollari.
Ajo pohon se kërkesat për shërbimin janë rritur. “Jo vetëm për shërbimin e rënies nga pesha, por edhe për të marrë peshë dhe thjesht për ta ruajtur atë. Është rritur numri i klientëve që kërkojnë shërbim për t’u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe për të ruajtur parametrat e peshës dhe të shëndetit. Shfaqja e patologjive të ndryshme që lidhen me mënyrën e të ushqyerit i ka ndërgjegjësuar njerëzit të cilët ndiejnë nevojën e një diete të shëndetshme”, – pohon znj. Ferrollari.
Ndërsa Blerina Bombaj, pioniere e fushës së dietologjisë në Shqipëri, thotë se ka ndryshuar kërkesa e shërbimeve pranë qendrës së saj. Krahasuar me vitin 2015 ku kishte më tepër kërkesa për dietat e personalizuara, ajo tregon se tani kërkohet më tepër shërbimi katering, menuja “delivery”.
“Gjëja e parë që mund të them është se vijon rritja e numrit të klientëve, me 10-15% çdo vit. Një gjë që ka konstatuar dy vitet e fundit është rritja e kërkesës për ushqim të gatshëm në shtëpi, pra shërbimi katering, përpos kërkesës për një dietë specifike sipas nevojave. Është shërbim më komod, i leverdishëm. Një ndër arsyet që çalon regjimi ushqimor është ritmi i jetës, mungesa e kohës për të gatuar vetë”,- tregon znj. Bombaj.
Njerëzit që e kërkojnë këtë shërbim, pohon zonja Bombaj, janë me të ardhura mbi mesatare. Sa i përket moshës janë rreth të 40-ave, atëherë ku metabolizmi i njeriut nuk përgjigjet njësoj. “Megjithatë ka kërkesa nga të gjitha moshat, pa diskutim. Edhe më të rinj, edhe më të moshuar”, – shprehet znj. Bombaj.
Shqiptarët duan rezultate të shpejta
Ndonëse ka nisur të ndryshojë disi, dietologët tregojnë se vijon tendenca e shqiptarëve për të humbur peshë shpejt. Femrat u drejtohen dietologëve apo qendrave për dobësim pak përpara sezonit veror, një trend që vijon ndër vite.
“Janë të pakta ato që e mbajnë regjimin gjatë gjithë vitit, më tepër vijnë përpara muajve të verës që të humbin kilogramët e tepërt shpejt, shpeshherë nëpërmjet aparaturave të dobësimit, jo palestrës aktive”, – tregon dietologia Arlinda Garuci.
Ekspertët e fushës pohojnë se kërkesat për dobësim vijnë nga të gjitha kategoritë, duke nisur nga fëmijët me probleme shëndetësore, femrat e reja që duan të humbin peshë si kërkesë estetike, si dhe femra dhe meshkuj mbi 40 vjeç që kërkojnë “ndihmë” për arsye shëndetësore.
“Megjithatë dominojnë femrat dhe duhet ta theksojmë këtë gjë”, – tregon znj. Bombaj.
Edhe pse numri i meshkujve që marrin këtë shërbim është rritur, janë sërish femrat që dominojnë, sipas znj. Ferrollari.
“Raporti i meshkujve ndaj femrave që kanë nevojë për trajtim ushqimesh të shëndetshme është respektivisht 40% / 60%. Është një përqindje gjithnjë në rritje e meshkujve”.
Sëmundjet dhe nevoja për dobësim
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Prevalenca që një shqiptar të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare është dyfishi i mesatares botërore të vdekjeve.
Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58 shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare, 19 prej tumoreve, 4 prej diabetit, 3 prej sëmundjeve mendore, 1 prej infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes, 1 prej aksidenteve rrugore dhe 10 prej shkaqeve të tjera.
Sipas dietologëve, një kategori që kërkon shërbimet e dobësimit, janë njerëzit që vuajnë nga sëmundjet metabolike kronike: diabeti, sëmundjet kardiovaskulare.
Blerina Bombaj tregon se personat që vuajnë nga këto dy sëmundje, janë të prirë që të kërkojnë ndihmën e dietologut për një dietë strikte, për të përmirësuar shëndetit e tyre. “Jo gjithnjë ndodh kështu, ka njerëz që vuajnë nga diabeti të cilët e nënvlerësojnë këtë sëmundje dhe nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur ushqimit, pavarësisht rekomandimit të mjekut. Megjithatë, në përgjithësi, situata po ndryshon. Veçanërisht për shqiptarët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, ka një rritje të numrit të tyre që kërkojnë shërbimin dietologjik”, – pohon znj. Bombaj.
Sa shpenzohet?
Shifrat mbeten të konsiderueshme për shërbime të tilla. Megjithatë, dietologët pohojnë se kanë kryer një investim fillimisht te vetja si profesionistë, më pas ofrimin e një qendre me standarde dhe çmimet janë reflektim i punës së tyre. Anila Kalleshi, dietologe dhe drejtuese e një qendre dobësimi, tregon se ky biznes ka mundësi të mira fitimi, por edhe abuzimi nga njerëz të cilët nuk janë të aftë dhe pretendojnë se janë dietologë.
“Nëse dikush kërkon ndihmë te një profesionist, vlera që paguan përpara përfitimeve shëndetësore që merret është e ulët”, – tregon znj. Kalleshi.
Ajo pohon se dietologu profesionist ka bërë një investim gjatë gjithë edukimit dhe jetës për të qenë i mirë në treg, për të dhënë orientimin e saktë klientëve, gjë që ka kosto relativisht të lartë, e cila duhet rikuperuar, si në çdo profesion tjetër.
Enkeleida Ferrollari thotë se përpiqet të ofrojë shërbime për çdo kategori buxheti, që mund të kenë mundësi të përfitojnë qoftë ata me të ardhura të mira ekonomike, qoftë ata me të ardhura të mesme dhe ulëta. Këtu kemi parasysh individët që i drejtohen dietologut nga nevoja, që vuajnë nga një sëmundje dhe jo për çështje estetike.
Arlinda Garuci thotë se një vizitë matje metabolike kushton 1600 lekë, ndërsa shërbimi i ofrimit të dietës së personalizuar kushton afërsisht 5000 lekë (bashkë me matjet). Ndërsa seancat e dobësimit, përmes aparaturave, kanë kosto relativisht më të lartë, një seancë kushton 1000-1500 lekë, për një abonim njëmujor nevojitet seanca çdo ditë ose çdo dy vite, sipas nevojave të personit për humbje peshe.
Shërbimi katering i menuve të dietave është më i kushtueshëm. Blerina Bombaj thotë se menuja bazë me tre vakte dhe shërbimin e transportit kushton 33000 lekë në muaj, ndërsa menuja speciale arrin në 400 euro në muaj (6 ditë të javës).
Disa nga drejtueset e bizneseve kryesore të dietologjisë tregojnë se ky konsiderohet biznes fitimprurës, duke theksuar edhe se konkurrenca rrit mundësitë për të arritur rezultate më të mira.
“Është një biznes që ka kosto, sigurisht. Në varësi të ndryshimeve të çmimeve të produkteve ushqimore rriten edhe kostot e biznesit, përveç kostove të tjera fikse, çka ul edhe normën e fitimit, duke ruajtur çmimin dhe cilësinë të pandryshuar. Është biznes me konkurrencë. Por nuk mendoj se është problem konkurrenca, të cilën e shoh si një nxitës për t’u përmirësuar dhe për të evoluar”, – pohon znj. Ferrollari.
Forma alternative
Një tjetër zgjedhje që bëjnë shqiptarët është ajo e një palestre jo shumë aktive. Me fjalë të tjera, kërkojnë rezultat: pa shumë sforco, me pak kohë por me më shumë para. Ledia, një nga instruktoret pranë Body Code, tregon se është një ndër metodat më të preferuara për të humbur peshë. “Fillimisht, ishin skeptikë, por pas seancës së parë së provës, nisnin të ndryshonin mendim. Një tjetër gjë që po ndryshon është edhe tendenca për të humbur peshë shpejt dhe kjo kërkohej më parë përpara sezonit veror”, -thotë ajo.
E pyetur për çmimet, Ledia tregon se seanca e parë e provës dhe e matjeve metabolike kushton 1600 lekë, ndërsa seancat e mëtejshme të stërvitjes janë me paketa 3-4-mujore (të pandashme) që fillojnë nga 30 mijë lekë.
Ata që e frekuentojnë janë mosha nga më të ndryshmet dhe sipas arsyeve të ndryshme. Për shembull, rasti i një vajze mbi 100 kg, e cila e kishte të pamundur të kryente stërvitje aktive. Apo edhe persona të cilët kanë probleme me shtyllën kurrizore, probleme me legenin apo këmbët që u ndalohet stërvitja intensive apo vrapi.
Metodat që ofron kjo qendër janë ndër më të kushtueshmet në treg, por që po shohin rritje të klientelës me kalimin e kohës. Ata pohojnë se periudha mars-qershor është piku i prenotimeve, ku dhe qendra është plot në të gjithë degët e saj.
Në rritje dhe obeziteti
Obeziteti është cilësuar si sëmundja e shekullit dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit është më shumë se dyfishuar nga 1980, duke marrë përmasa epidemike. Pas një rënieje në Shqipëri deri në vitin 2014, ai është rritur sërish ndjeshëm dy vitet e fundit, duke paralajmëruar shtimin e një sërë sëmundjeve të lidhura me të, ku më kryesori është diabeti.
Nga të dhënat më të fundit të publikuara nga CIA World Fact Book, prevalenca e obezitetit te të rriturit në Shqipëri arriti në 21.7% të popullsisë në vitin 2016, nga 18.1% që ishte ky tregues në 2014-n, duke u renditur në vend të 74, nga 180 vende ku ka të dhëna të vlefshme. Në krahasim me 2014-n, kur kishim prevalencën më të ulët në rajon për sa i përket obezitetit, Shqipëria renditet tashmë në vendin e tretë. Në vendin e parë me prevalencë më të lartë është Mali i Zi me 23.3%.
Të dytët me normë më të lartë janë maqedonasit, ku sipas të dhënave për vitin 2016, prevalenca e obezitetit ishte 22.4%. Ndërsa më elegantët e rajonit janë boshnjakët me 17.9% dhe serbët me 21.5%.
Indeksi i Masës Trupore (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.
Dietologët tregojnë se obeziteti është një sëmundje që, ndonëse në Shqipëri nuk konsiderohet e tillë, shpesh janë përballur me prindër që vijnë me fëmijët e tyre për dore, me supet e ngritura, duke mos ditur se çfarë të bëjnë që të ndryshojnë këtë situatë.
Blerina Bombaj pohon se në moshat e vogla, te fëmijët nuk kemi të bëjnë me shifra alarmante, janë raste sporadike, ndërsa shihet më tepër si fenomen në adoleshencë dhe në mosha më të rritura. Sipas saj, raste që i janë drejtuar qendrës për të marrë ndihmë nga kjo kategori kanë qenë më të pakta, por kjo gjë “justifikohet” duke qenë se një pjesë e mirë e individëve ende nuk janë ndërgjegjësuar me rëndësinë e rastit në fjalë.
Diabeti, rritet dukshëm prevalenca
Niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti në Shqipëri në vitin 1990 ishte 3.5 për 100,000 banorë, u shfaqur jashtëzakonisht i ulët, i cili mund të shpjegohet me dietën e shëndetshme dhe aktivitetin fizik gjatë regjimit komunist. Por, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në vitin 2014, prevalenca e diabetit ishte rritur ndjeshëm, në 16.8 për 100 mijë banorë.
OBSH: Sheqeri armiku i trupit
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sheqeri për shëndetin paraqitet më i dëmshëm se kolesteroli i keq. Në dietë na vjen sidomos nga pijet që përmbajnë sheqer, ëmbëlsirat dhe ushqimet e paketuara.
Sipas specialistëve, faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejt në mbipeshë është kequshqyerja. Kufizimi në përdorimin e tyre zvogëlon rrezikun e diabetit dhe obezitetit dhe parandalon kariesin.
Jetët tona janë shumë të ëmbla. Ne kemi nevojë të reduktojmë sheqerin. Një lugë çaji në dy është shumë më tepër se ajo që kërkon trupi ynë. Kjo është arsyeja se pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sapo ka botuar linjat e saj të guidës, me rekomandimin për të reduktuar sasinë e ëmbëklsisë në kafe, por infiltruar në një mënyrë pak a shumë dinake edhe në kos, lëngjet e frutave, pijet e gazuara, drithërat për mëngjes, dhe biskotat dhe merendave. Në këmbim të një diete më të hidhur do të jetë më e lehtë të mbani peshën e duhur, për të parandaluar diabetin dhe duke iu përmbajtur rreptësisht direktivave – zhdukur deri kariesin. Rekomandimet e OBSH bazohentek mjalti dhe ato sheqernave të tjera të lira: atyre të shtuar gjatë përpunimit të ushqimit.
Nuk ka limit për frutat, perimet dhe qumështin. Qëllimi është të mos kaloni 50 gram në ditë, ekuivalente me 200 kalori dhe 10-12 tlugë cajis, nëse do të ishte e lehtë për të hamendësuar përmbajtjen e produkteve industriale (në SHBA 8 produkte në 10 në supermarket janë të ëmbëlsuara). Një kanaçe pije me gaz përmban 10 lugë sheqer, një lëng 5, drithërat e mëngjesit gati 4 dhe disa lugë caji gjenden në kosin me fruta. Për të arritur kuotën prej 12 (baraz me 10%të kalorive të përditshme) është pra më e lehtë nga sa mund ta mendojmë, edhe duke sakrifikuar që ta pimë kafen ‘shqeto’.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.