Intervistë me zëvendësministren e Financave, znj. Irena Beqiraj
Fryma dhe vizioni i qeverisë në betejën e luftës kundër informalitetit është e qartë. T’i japim tatimpaguesit kohën e nevojshme, mundësinë dhe informacionin e duhur të vetëkorrigjohet dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, do të thotë që me vetëdije të plotë ka zgjedhur të jetë në shkelje të ligjit, pra me vetëdije ka marrë përsipër riskun e penalizimit.
Me ndryshimet që priten të miratohen në ligjin e procedurave forcohet barazia midis administratës tatimore dhe tatimpaguesit. Sikurse administrata tatimore ka të drejtë të kontrollojë përmbushjen dhe pagesën e taksave për 5 vjet, edhe taksapaguesi ka të drejtë të vetëkorrigjohet po për 5 vjet. Për zëvendësministren e Financave, znj. Irena Beqiraj “faza e dytë e luftës kundër informalitetit synon rritjen e produktivitetit në të dy kahet, si për tatimpaguesin, edhe për administratën tatimore duke nxitur vetëpërmbushjen, ose vetëkorrigjimit nga ana e tatimpaguesit, duke rritur kapacitetet për të evidentuar evazorët nëpërmjet analizës së riskut, duke ulur kostot e taksapaguesve për përmbushjen apo zbatimin e ligjit, si dhe duke respektuar të drejtat e tatimpaguesit”.
Në një intervistë të fokusuar në mënyrën se si qeveria i vendos masat ndëshkuese, znj. Beqiraj flet për përqasjen e re të financave në betejën e luftës kundër informalitetit.
Sipas jush çfarë qëndron parimisht në bazë të përcaktimit të sanksioneve dhe penaliteteve? Cilat janë argumentet bazë të ndryshimeve të fundit në lidhje me nivelet e sanksioneve/penaliteteve?
Së pari, shumë faleminderit për intervistën dhe veçanërisht për pyetjen e parë. E kam dëgjuar shpesh të artikulohet në media dhe nga ekspertë të ndryshëm se parimi i vendosjes së penaliteteve është dhe duhet të jetë proporcionaliteti. Po, ky parim i pranuar gjerësisht është baza e përcaktimit të penaliteteve edhe në ligjin shqiptar të Procedurave Tatimore, për të gjithë penalitetet që lidhen me zbatimin e gabuar të procedurave, standardeve dhe ligjeve tatimore në tërësi. Në fund të vitit 2015, rritëm ato që ndryshe quhen “Penalitete të sjelljes”.
Çuditërisht, asnjë nga ekspertët nuk u thellua mbi parimin që përcakton penalitetet e një sjelljeje të caktuar të tatimpaguesit. Shkurtimisht ky parim përshkruhet:
1) Nëse është Gabim – jo penalitet;
2) Nëse është Pakujdesi – penalitet i ulët; dhe
3) Nëse është Veprim i paramenduar – penalitet i lartë.
Moslëshimi i kuponit tatimor, apo moslëshimi i faturës tatimore nuk mund të klasifikohet as si gabim, e as si pakujdesi, por si veprim i paramenduar, për të fshehur të ardhurat. Në këtë rast, tatimpaguesi as nuk interpreton ligjin gabim, as nuk aplikon standardin apo procedurën gabim, por thjesht zgjedh me paramendim të shkelë ligjin. Pra, si një biznes i madh apo një i vogël, që shet me pakicë, nëse nuk lëshon kupon, ka kryer një veprim të paramenduar dhe ka bërë të njëjtën shkelje ligjore.
Penalitetet
Çuditërisht, asnjë nga ekspertët nuk u thellua mbi parimin që përcakton penalitetet e një sjelljeje të caktuar të tatimpaguesit. Shkurtimisht ky parim përshkruhet:
1) Nëse është Gabim – jo penalitet;
2) Nëse është Pakujdesi – penalitet i ulët; dhe
3) Nëse është Veprim i paramenduar – penalitet i lartë.
Nga se varet niveli i sanksioneve sipas jush? A gjykoni se sanksionet e larta, kombinuar me nivele të ulëta zbulimi janë kundërproduktive? A ka evidencë mbi këto?
Nëse pyetja juaj lidhet me “penalitetet e larta” për moslëshimin e kuponit tatimor, ato nuk arritën të zbatoheshin për shkak të bllokimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, dhe në këto kushte nuk kemi evidenca praktike mbi efektivitetin e tyre në Shqipëri. Ndërkohë, faza e dytë e luftës kudër informalitetit synon rritjen e produktivitetit në të dy kahet, si për tatimpaguesin, po ashtu edhe për administratën tatimore duke nxitur vetëpërmbushjen, ose vetkorigjimit nga ana e tatimguesit, duke rritur kapacitetet për të evidentuar evazorët nëpërmjet analizës së riskut, duke ulur kostot e taksapaguesve për përmbushjen apo zbatimin e ligjit si dhe duke respektuar të drejtat e tatimpaguesit.
Qëllimi ynë është përdorimi i të gjithë mjeteve për të nxitur vetëpërmbushjen. Nëse për një arsye apo një tjetër, tatimpaguesi e kupton që ka zbatuar gabim një procedurë, ka aplikuar gabim një standard, apo një kërkesë ligjore, të ketë mundësi të vetëkorrigjohet pa marrë penalitete. Apo nëse tatimpaguesi shfaq një anomali në sistemet e raportimit dhe kontaktohet nga administrata tatimore, ai të ketë mundësi të vetëkorrigjohet pa marrë penalitete.
Me ndryshimet që priten të miratohen në ligjin e procedurave forcohet barazia midis administratës tatimore dhe tatimpaguesit. Sikurse administrata tatimore ka të drejtë të kontrollojë përmbushjen dhe pagesën e taksave për 5 vjet, edhe taksapaguesi ka të drejtë të vetëkorrigjohet po për 5 vjet.
A gjykoni se si problem kryesor me zbatimin e sanksioneve (të larta) është edhe kualifikimi i administratës tatimore dhe korrupsioni? Çfarë është bërë për të luftuar korrupsionin në administratë dhe si mendoni se ky proces mund të ndikojë në vendosjen e sanksioneve të reja? A ka ndonjë evidencë se si ka ndikuar kjo luftë në zbulimin e shkeljeve apo sanksionet e ndërmarra?
Kualifikimi i administratës është një shqetësim i vazhdueshëm dhe proces që nuk përfundon asnjëherë. Pyetja më e rëndësishme që kërkon përgjigje është: A e shikojnë tatimorët dhe doganierët karrierën e tyre afatgjatë të lidhur me administratën respektive? Nëse karrierën e tyre e shikojnë të lidhur me administratën ku punojnë do të investojnë çdo ditë në kualifikimin e tyre, nëse perceptojnë që ka standarde të qarta promovimi dhe brenda administratave mundësohet një karrierë e denjë, atëherë janë të icentivuar për të përmirësuar performancën e tyre si dhe përfshihen më pak ose aspak në praktika korruptive. Zakonisht merr më shumë risk dhe futet në praktika abuzive ai që ka pak ose asgjë për të humbur.
Nëse do t’u referoheshim shifrave mund të themi se gjatë periudhës 2014-2015 kemi një trefishim të numrit të zyrtarëve tatimorë dhe doganorë, të cilët i janë referuar prokurorisë për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Por sërish kjo nuk mjafton në luftën kundër korrupsionit. Ekspozimi ndaj korrupsionit është më i lartë për çdo individ, i cili ka fuqinë për të dënuar dikë tjetër. Por ekspozimi më i lartë nuk mund të përkthehet domosdoshmërisht në korrupsion më të lartë.
Informaliteti
Lufta kundër informalitetit është shumëdimensionale, dhe është çështje e së gjithë shoqërisë. Është nga ato beteja që kërkon gjithëpërfshirje. Kërkon ndërveprim jo vetëm qeveritar por ndërveprim publik dhe mediatik. Një fushatë e suksesshme kundër informalitetit do të duhet të shndërrojë çdo qytetar në inspektorin e parë tatimor, vetëm me një gjest të thjeshtë, “Kërkesë për kupon tatimor në çdo blerje”, qytetarët mund të sjellin atë ndryshim që nuk kanë mundur ta sjellin administratat për 26 vjet.
Në lidhje me ndryshimet e fundit të ndërmarra për sanksionet ndaj biznesit për shkelje të ndryshme dhe kushtet aktuale, rreziku më i madh për biznesin vjen nga masa shtrënguese e ligjit apo nga keqzbatimi/abuzimi me të nga organet ligjzbatuese?
Rreziku më i madh i biznesit është nëse evidentohet si evazionist. Dhe probabiliteti i evidentimit sa vjen e shtohet me vendosjen në funksionim të plotë të sistemit të riskut. Me strukturën e re organizative të administratës tatimore, aplikohet një ndarje e re e detyrave dhe funksioneve. Rezultatet e gjetjeve nuk janë më totalisht dhe vetëm në dorë të inspektorit të kontrollit, i cili kishte të gjitha mundësitë edhe të abuzonte me to. Ka një vlerësim paraprak të evazionit të kryer, para se një tatimpagues të jetë subjekt kontrolli.
A është ligji aktual i procedurave një ligj i mirëndërtuar dhe që nuk lë vend për keqinterpretim nga ana e organeve ligjzbatuese (DPT/DPD)? Bazuar në njohuritë tuaja, në cilin aspekt të këtij ligji punonjësit e administratës kanë mundësi të abuzojnë më shumë? Cilat janë ndryshimet që rekomandoni për këtë?
Kur thua ligj ke nënkuptuar interpretim dhe kur thua interpretim ke nënkuptuar gjykim. Është e pamundur të zhveshësh gjykimin nga elementet e subjektivizmit njerëzor. Kështu që sado i mirë të jetë një ligj, ka nevojë të interpretohet dhe të zbatohet në rrethana të ndryshme nga njerëzit. Ajo që duhet përmirësuar është transparenca në interpretimin e ligjit duke ofruar: 1) shpjegime shteruese në udhëzime dhe aktet nënligjore, si dhe 2) akses të publikut, dhe taksapaguesve në çdo interpretim, qëndrim të mbajtur nga administrata tatimore, Apeli apo gjykatat për çështje të caktuara. Zbatimi rigoroz i dy kushteve të mësipërme ofron informacionin e nevojshëm për tatimpaguesin, por edhe siguron që ligji të zbatohet apo interpretohet njësoj për të gjithë.
A mendoni se një kombinim i veprimeve për luftën kundër informalitetit do të rezultonte më efektiv? Cilat janë disa nga veprimet që janë ndërmarrë së fundi dhe cilët janë aktorët përkatës të përfshirë në këtë luftë?
Lufta kundër informalitetit është shumëdimensionale, dhe është çështje e së gjithë shoqërisë. Është nga ato beteja që kërkon gjithëpërfshirje. Kërkon ndërveprim jo vetëm qeveritar por ndërveprim publik dhe mediatik. Një fushatë e suksesshme kundër informalitetit do të duhet të shndërrojë çdo qytetar në inspektorin e parë tatimor, Vetëm me një gjest të thjeshtë, “Kërkesë për kupon tatimor në çdo blerje”, qytetarët mund të sjellin atë ndryshim që nuk kanë mundur ta sjellin administratat për 26 vjet. Për këtë arsye, Komunikimi me bizneset, publikun, mediat është një element kyç i kësaj fushate. Adresa e email-it [email protected] ka siguruar më shumë pjesëmarrjen e publikut në luftën kundër informalitetit si dhe prezantimi së shpejti i taksapaguesit dixhital do t’i japë një dimension tjetër këtij komunikimi.
A mendoni ju se një problem me zbatueshmërinë e ligjit është edhe diversiteti rajonal? Si mendohet të tejkalohet kjo barrierë në kushtet kur edhe kapacitetet e administratave rajonale janë më të ulëta, dhe njohjet personale të specialistëve tatimorë me pronarët e bizneseve më të forta?
Po, në vende shumë të vogla si Shqipëria, familjariteti i administratës me tatimpaguesin është një risk i madh për performancën e kësaj të fundit. Ndërkohë që me strukturën e re organizative të administratës tatimore është menduar që inspektorët të qendërzohen në DPT, si dhe po shikohet mundësia e kthimit të zyrave rajonale në zyra të shërbimit të tatimpaguesit.
Cila është praktika që ndiqet për vendosjen e sanksioneve? A janë marrë parasysh parimet dhe praktikat më të mira të ndjekura në vendet europiane dhe veçanërisht në vendet fqinje për çështje të ngjashme?
Lidhur me pyetjen sesi janë parashikuar penalitetet dhe a janë marrë parasysh përvojat në vendet e tjera, së pari, dua të them që sikurse edhe politikat ekonomike, politikat penalizuese projektohen mbi bazën e faktorëve socialë, ekonomikë, moralë të vendit. Natyrisht që nuk mund të gjesh vende të cilat t’i trajtojnë këto shkelje identikisht njësoj me Shqipërinë, por nëse hedhim një sy në të gjitha vendet e rajonit, të gjitha parashikojnë penalitete të rënda për evazionin dhe kontrabandën. Ndër këto vende mund të përmendim Kroacinë, është pjesë e rajonit dhe e Bashkimit Europian. Në Kroaci, për veprat penale në fushën ekonomike, parashikohet vetëm dënim me burgim, i cili në varësi të rrethanave të veprës penale dënohen me burgim nga 6 muaj në 8 vjet. Nuk ka dënim me gjobë. Në Kosovë, moslëshimi i kuponit tatimor dënohet përkatësisht me 5,000 euro dhe 10,000 euro.
Cila mendoni se do të ishte një mënyrë e mirë për të përfshirë biznesin në hartimin e ndryshimeve ligjore?
Kuptohet komunikimi me biznesin ka qenë intensiv. Këshilli Tatimor përbëhet nga ekspertë fiskalë të emëruar nga Shoqatat e Biznesit. Në këtë këshill trajtohen të gjitha ndryshimet ligjore, si dhe hartimi i udhëzimeve. Kuptohet që janë marrë parasysh shumë rekomandime të biznesit, si për shembull: ligji i faljes së penaliteteve administrative të vendosura në mars-gusht 2013, problemi i penaliteteve doganore për diferencën në peshë, i cili u zgjidh duke vendosur si kriter referues sasinë e produktit final, heqja e penaliteteve në rast të ndryshimit të deklaratës fillestare, apo kërkesa të tjera që nuk kanë lidhje direkte me penalitetet por që prodhonin penalitete p.sh. përcaktimi i firove, humbjeve, në prodhim apo magazinim, garantimi i detyrimit në vend të pagesës së tyre gjatë procesit të apelimit në administratën doganore, njohja e provigjoneve si shpenzim i zbritshëm në bazë të standardeve ndërkombëtare kontabël, etj.
Duke qenë se ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm dhe reflektivë në kërkesat e biznesit, pritjet e këtij të fundit për qeverinë me të drejtë janë shumë të larta. Ndërkohë me ndryshimet e ardhshme te ligji i procedurave kemi reflektuar kërkesa po kaq të rëndësishme të biznesit.
Bazuar në njohuritë tuaja dhe funksionin, cilat janë rekomandimet tuaja për vendosjen e sanksioneve/penaliteteve të veçanta?
Sistemet demokratike nuk njohin forma të tjera përveç formës së ndërgjegjësimit, bashkëpunimit, rritjes së moralit të taksës dhe penalizimit të atyre që me vetëdije nuk zbatojnë ligjin.
Fryma dhe vizioni i qeverisë në betejën e luftës kundër informalitetit është e qartë. T’i japim tatimpaguesit kohën e nevojshme, mundësinë dhe informacionin e duhur të vetëkorrigjohet dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, do të thotë që me vetëdije të plotë ka zgjedhur të jetë në shkelje të ligjit, pra me vetëdije ka marrë përsipër riskun e penalizimit.
Ndërkohë që lajm i mirë dhe shumë inkurajues është që qeveria nuk është e vetmja që mendon kështu, por edhe biznesi ka filluar ta asimilojë këtë qasje të re. Vetëm nga komunikimet e muajit të fundit kemi një rritje të bizneseve të cilat janë deklaruar/korrigjuar me iniciativën e tyre. Jemi shpresëplotë që lançimi i lehtësive në procedurat tatimore do të hapë një kapitull të ri për klimën e biznesit në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.