Hetimet për TVSH-në
Tupe dhe Beneja i tërhoqën menjëherë, pasi u hodhën në tri banka. Hysa nuk pranon të flasë
prokuroria e tiranesDy biznesmenët Gjergji Tupe dhe Mirjan Beneja, të cilët janë shpallur në kërkim, dyshohen nga prokuroria se kanë marrë kesh 5 milionë euro të rimbursuara nga Tatimet, për disa firma fantazmë që kanë pasur në pronësi, ku kanë deklaruan falimentin. Ata përgatitën dokumentet menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe i dorëzuan te tatimet. Të gjitha dokumentet e firmave të tyre, që pretendoheshin se ishin kineze, ishin të falsifikuara. Me lëvizje të shpejta dhe me ndihmën e zyrtarëve të kontrollit tatimor, ata kërkuan falimentin dhe rimbursimin e TVSH-së. Sipas akuzës, 11 kompanitë e falimentuara përfituan në total 5 milionë euro, ndërsa për secilën, Tatimet depozituan në llogaritë e biznesmenëve më shumë se 400 mijë euro. Nga verifikimet e Ministrisë së Financave dhe të Prokurorisë, është zbuluar se disa orë pas derdhjes së kësaj shume, Tupe dhe Beneja janë paraqitur te bankat e nivelit të dytë për të bërë tërheqjen. Sipas akuzës, Tatimet kishin depozituar këtë shumë në tri banka të nivelit të dytë. “Tërheqja e të gjithë shumës është bërë për disa orë. Tupe dhe Beneja kanë shkuar menjëherë në këto banka dhe kanë marrë 5 milionë euro. Nuk kanë kryer asnjë transferimin apo transaksion bankar, por i kanë ‘zhdukur’ nga qarkullimi bankar”, pohojnë burimet nga akuza, të cilat sqarojnë se pikërisht kjo lëvizje e ka bërë të pamundur gjurmimin e kësaj shume të majme. “Nuk kemi të dhëna se ku ka përfunduar kjo shumë, pasi tërheqja është bërë kesh. Kemi dyshime se këto të ardhura, të dyshuara si të paligjshme, janë investuar gjetkë, por presim përgjigje nga Hipoteka, Tatimet dhe QKR-ja, për investimet e këtyre biznesmenëve”, pohojnë burimet nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Kërkimet policore
Ndërkohë, pas vendimit të gjykatës për vendosjen në masë arresti për dy biznesmenë dhe 7 zyrtarë të Tatimeve, policia ka ekzekutuar vetëm dy urdhra, pasi personat e tjerë rezultuan të “arratisur”. Dje janë bërë edhe kërkimet për këta persona, por nga sistemi TIMS i policisë rezultoi se asnjë prej të arratisurve nuk ka dalë nga pikat e kalimit kufitar, të paktën të ketë shkuar në sportel, pasi mund të jenë larguar në mënyrë klandestine. “Nga verifikimi i sistemit TIMS rezulton se të gjithë të dyshuarit e kësaj dosje, Gjergji Tupe, Mirjan Beneja, Ismail Muça, Lauren Vata, Edmond Osmani, Gramos Milushi dhe Kujtim Metalija, ndodhen brenda territorit të Shqipërisë”, pohojnë burimet policore, të cilat shprehen se u kanë besuar informacioneve zyrtare nga pikat e kalimit kufitar. Nga ana tjetër, dy të arrestuarit e kësaj çështjeje, Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka, do të dalin sot para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me vendimin e “arrestit me burg” në mungesë.
Po dje, oficerët e policisë gjyqësore i kanë shkuar në qeli Afërdita Hysës, drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Tiranë. Ata kanë tentuar që ta marrin në pyetje, ose të paktën të marrin një shpjegim nga ana e të arrestuarës, por ka qenë e kotë, pasi ajo nuk ka folur. Edhe sot, prokuroria do të tentojë të pyesë këtë të arrestuar, e cila ka qenë zyrtarja që duhet të bënte verifikimet apo kontrollin për këto kompani.
Falsifikimet
Prokuroria ka faktuar se dy biznesmenët Tupe dhe Mineja kanë falsifikuar të gjithë dokumentacionin për 11 firmat kineze, për të cilat pretendonin se ishin administratorë. Ata kanë bërë disa falsifikime të dokumenteve më datë 3 korrik 2013, ku rezultojnë se kanë blerë 11 kompanitë e shtetasve kinezë. Por, sipas akuzës, dokumentet nuk janë hartuar në ndonjë zyrë noteri apo avokati, por janë bërë nga “mjeshtrit” e Rrugës së Durrësit apo të Kavajës. Akuza pohon se administratorët kinezë të këtyre firmave janë larguar nga Shqipëria në vitin 2006.
Sokol Çobo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.