Lajmi ishte konfirmuar në vigjilje të Krishtlindjeve. Mungonte vetëm zyrtarizimi, i komunikuar në hapjen e merkatos së janarit. Julian Draxler është lojtari i ri i Paris Saint-Germain, duke firmosur një kontratë deri në fund të vitit 2021. “I bashkohem PSG me shumë gëzim”, – ishin fjalët e para të lojtarit 23-vjeçar gjerman. “Largohem nga Gjermania për herë të parë në karrierën time, do të bëj gjithçka që klubi të mund të fitojë sa më shumë trofe”.
Ky është transferimi i dytë i PSG në merkaton e dimrit, që disa ditë më parë ka blerë edhe argjentinasin Giovani Lo Celso. Për Draxler, investimi është i rëndësishëm: në arkën e Wolfsburg-ut shkuan 42 milionë euro. Sipas revistës sportive gjermane Kicker, disa ditë më parë, Draxler do të fitojë rreth 850 mijë euro në muaj, më shumë edhe se sulmuesi kryesor, Edinson Cavani, duke mbetur pas dyshes Angel Di Maria dhe Thiago Silva. Edhe pse ditët e fundit qarkullojnë zëra se Cavani do të firmosë një kontratë të re deri në vitin 2020 me rritje të konsiderueshme të pagës vjetore.
Aventura e gjermanit me klubin e Volkswagen ishte drejt fundit që nga fillimi i dhjetorit, kur përfundoi jashtë formacionit. Për fantazistin e ri ka pasur gjithnjë oferta të majme, që kur Juventus synonte ta blinte në verën e vitit 2015. Por lojtari preferoi të qëndronte në Bundesligë. Pas refuzimit të Draxler, Giuseppe Marotta, drejtori i përgjithshëm i Juventusit, u shpreh: “Nuk do të ketë asnjëherë vend te Juve për ata që refuzojnë ngjyrat tona”.
Draxler do të kompletojë repartin e sulmit të Unay Emery, dhe vendin e lënë bosh nga Jese Rodriguez, i cili do ta lërë Parisin në huazim.
“Jam shumë i lumtur që jam në Paris – tha Draxler në momentin e firmosjes së kontratës. “Po lë Bundesligën për herë të parë në karrierën time. Do të njoh një vend tjetër, do të luaj në një kampionat të ri dhe jam krenar që do të përjetoj këtë aventurë në një klub që është pikë referimi në Europë. Vitet e fundit, PSG ka blerë lojtarë të rëndësishëm dhe unë do të bëj gjithçka për të ndihmuar klubin të fitojë trofe dhe të rrisë prestigjin në arenën ndërkombëtare”.
Presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi, e mirëpriti me këto fjalë Julian Draxler: “Blerja e një lojtari gjerman kaq të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare konfirmon ambicien e klubit tonë. Cilësitë e Draxler janë perfekte për projektin tonë. Pritshmëritë tona janë të mëdha”.