Deklarata e Kroacisë për blerjen e kompanisë energjetike INA nga gjiganti hungarez rrezikon që të rrisë nivelin e lartë të borxhit publik, ka paralajmëruar një nga ekspertët.
Blerja e planifikuar nga Kroacia e aksioneve të kompanisë kombëtare të energjisë INA nga kompania hungareze MOL do të rrisë borxhin publik të Kroacisë, tha një analist ekonomik për BIRN.
Kryeministri Andrej Plenkovic tha në vigjilje të Krishtlindjeve se blerja e aksioneve të MOL, prej 49.1%, mund të arrihet pa rritur borxhin publik. Por, analisti ekonomik Damir Novotny tha për BIRN se Kroacia do të shtrëngohet për të blerë këtë pjesë të aksioneve, të cilat do të kushtojnë 4 miliardë euro dhe çdo përpjekje për ta blerë nëpërmjet kompanive shtetërore është e qartë se do të rrisë borxhin publik të Kroacisë.
Teknikisht mund të bëhet nëpërmjet bankave dhe fondeve të investimit, me anë të të cilave do të fshihej se transaksioni po bëhet nëpërmjet shtetit, tha ai, duke dhënë si shembull qeverinë greke, e cila përdorte bankën amerikane të investimeve Lehman Brothers për blerje të tilla. Ai, gjithashtu, shpjegoi se këto transaksione më vonë u zbuluan dhe si pasojë, “shpërtheu” borxhi publik grek.
Një lëvizje e tillë nga Kroacia do të jetë e rrezikshme në një situatë kur një e pesta e borxhit publik duhet të ripaguhet në vitin në vijim, së bashku me financimin e deficitit buxhetor. Në këtë kuptim, qeveria do të shihet si kontradiktore, shpjegoi Novotny.
Qeveria nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të sqaruar mënyrën se si do të bëhet blerja e aksioneve të MOL pa rritur borxhin publik. Borxhi publik i Kroacisë tani përllogaritet rreth 38.5 miliardë euro. Qeveria e bëri të ditur këtë lëvizje në vigjilje të Krishtlindjeve, pasi Kroacia humbi procesin e arbitrazhit kundër MOL në Komisionin Ndërkombëtar të Ligjeve Tregtare të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Kroacia paditi MOL në janar 2014, duke pretenduar se të drejtat e menaxhimit të MOL mbi INA, e inkorporuar në marrëveshjen e aksionerëve në 2009-n, ishte rezultat i një akti korruptiv nga kreu i MOL, Zsolt Hernadi, dhe ish- kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader. Gjykata e Lartë e dënoi me tetë vite e gjysmë burg Sanaderin, por Gjykata Kushtetuese e rrëzoi verdiktin në korrik të 2015-s për shkak të gabimeve procedurale. Hernadi aktualisht është i kërkuar prej autoriteteve kroate, por Gjykata e Budapestit ka refuzuar që ta ekstradojë atë në tetor të 2013-s.
Kroacia e çoi rastin në arbitrazh pas përpjekjeve të dështuara për të arritur një marrëveshje mbi të drejtat drejtuese dhe në përgjigje të procesit që hapi MOL në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve, në Uashington në nëntor të 2013-s.
MOL ka paditur Kroacinë se nuk i është përmbajtur marrëveshjes së 2009-s për sa i përket biznesit të gazit. Kroacia u detyrua për të ruajtur, për të shitur dhe për të blerë të gjithë prodhimin e gazit nga INA për 15 vjet. Kroacia synon që të blejë mbrapsht aksionet e shitura nga shteti, MOL-it, në 2003 dhe 2008, dhe me aksionet e blera prej fondeve që drejtoheshin nga veteranët e luftës kroate dhe ish-punëtorë të INA. Në këtë mënyrë, Kroacia shpreson që të rifitojë kontrollin mbi kompaninë dhe të ndalojë mbylljen e mundshme të rafinerisë më të madhe të vendit në qendër të Kroacisë.
Analisti shikon një problem shtesë në blerjen e aksioneve pasi vlera reale e kompanisë është e vështirë që të përllogaritet. Pedja Grbin, një deputet nga partia opozitare e qendrës së majtë SDP, tha se kjo parti nuk kundërshton në parim blerjen e aksioneve të MOL.
Na tregoni shifrat. Shtetëzimi i INA-s nuk është një prioritet i papranueshëm për ne, ka thënë ai. Një model i tillë ekziston dhe ne kërkojmë të dëgjojmë argumentet, ndoshta është vërtet e mundur, tha Grbin.
Bisedimet për blerjen e planifikuar shtetërore ndikuan për mirë në aksionet e INA, vlera të cilave në treg u rrit.