Bllokimi i akteve të pronësisë, i gjithë bregdeti në dorë të qeverisë

20/03/2018 10:43 AM 0 komente

Me pretendimin se i nevojitet të krijojë “një fond toke në mbështetje të investimeve strategjike”, qeveria shqiptare urdhëroi pezullimin e regjistrimit të të gjitha tokave të shpërndara nëpothuajse të gjithë vijën bregdetare të vendit.

Harta shoqëruese e vendimit të qeverisë “për pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike”, i miratuar më 14 mars, u botua të hënën në Fletoren Zyrtare. [Link]

Harta përfshin të gjithë vijën bregdetare të vendit me distancë deri disa kilometra nga bregu i detit, ku sipas qeverisë, të gjitha aktet e pronësisë qëu janë dhënë fshatarëve, por që për arsye të ndryshme nuk janë regjistruar ende në zyrat e regjistrimit të pronave të patundshme, duhet të bllokohen për shkak se qeveria thotë se dëshiron të krijojë “një fond për mbështetjen e investimeve strategjike”, në bazë të një ligji kontrovers që i jep të drejtë qeverisë të dhunojë pronën private për llogari të të ashtuquajturve “investitorë strategjikë”.

Vendimi përfshin të gjithë tokën me vlerë tregtare nga grykëderdhja e Bunës në Veri deri në kepin e Stillos në kufirin jugor të vendit me Greqinë dhe mbart pikëpyetje ligjore për shkak se një e drejtë e dhënë me ligj, nuk mund të hiqet me vendim qeverie.

Vendimi për mosregjistrimin e tokave të dhëna përmes komisioneve të shpërndarjes së tokave përfshin edhe shumë fshatra bregdetarë, veçanërisht në bregdetin e jugut, por edhe në zonat lagunore të Divjakës, Nartës, Velipojës, plazhit të Rilës pranë Lezhës apo lagunës së Shëngjinit. Me njolla të kuqe janë shënjuar edhe gjiri i Porto-Palermos në bregun e jugut, Gjiri i Lalëzit apo bregdeti i Ksamilit përballë ishullit të Korfuzit.

Në mënyrë të pashpjeguar, harta e publikuar në fletoren zyrtare mbart disa njolla të kuqe.

Qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama miratoi një ligj kontrovers në vitin 2015, të quajtur Ligji për Investimet Strategjike, përmes të cilit i dha të drejtë vetes të japë pa pagesë toka të caktuara për subjekte të klasifikuara si “investitorë strategjikë”.

BIRN ka zbuluar më parë se këto “investime strategjike” po kryen nga biznesmenë shqiptarë, në toka të kontestuara dhe në një rast, në toka për të cilat vetë qeveria pati dalë në konkluzionin se ka manipulime.

Tokat në bregdet, ashtu si në të gjithë Shqipërinë janë shpërndarë në bazë të një ligji të vitit 1991, të miratuar nga dy partitë kryesore të politikës shqiptare, PD dhe PS dhe që ka shkaktuar telashe të mëdha dhe konflikte të vazhdueshme që nga ajo kohë.

Në përpjekje për të shmangur konfliktet, një pjesë e konsiderueshme e fshatrave kanë përdorur këtë ligj për të shpërndarë mes fshatarëve tokat që dikur i përkisnin gjyshërve.

Qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë shpesh nisma “për verifikim” të shpërndarjes së këtyre tokave, ndërsa vendimi i fundit i qeverisë për mosregjistrim të tyre duket se është masa më drastike e ndërmarrë ndonjëherë.

Në vitin 2014, një Task-Forcë për Verifikimin e Ligjshmërisë dhe Mënyrës së Tjetërsimit të Pronave të Paluajtshme Shtetërore pranë Kryeministrisë gjeti manipulime në disa sipërfaqe toke në bregdetin e jugut, kjo nuk e ndaloi qeverinë të jepte leje ndërtimi në këto toka.

/reporter.al/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of