Çfarë ngjyre ka lumturia? Mund t’ju duket një pyetje banale. Por, gaboheni. Nëse lumturia do të kishte një ngjyrë, do të ishte e kuqja, e lidhur me instinktin, dëshirën dhe seksualitetin; e gjelbra, simbolizon ekuilibrin dhe harmoninë, shpresën dhe fertilitetin.
Por nëse ngjyrat do të ishin një vend, ose më mirë një plazh, cili do të ishte vendi ideal për të kaluar pushimet
Nga plazhi “ferr” në ishullin Maui në atë rozë, në Indonezi…Më poshtë janë 8 plazhe me ngjyrë nëpër botë, që ndoshta nuk keni dëgjuar për to.
I KUQ – Kaihalulu, Maui
Pasioni, forca, vullneti dhe kreativiteti – jo rastësisht e kuqja është ngjyra e lumturisë për një pjesë të madhe të njerëzve. Ja sepse nuk mund të mungojë një ndalesë në plazhin “ferr” të Kaihalulu, në ishullin Maui, në arkipelagun e Hawaii. Ky plazh është i kuqërremtë për shkak të hirit të llavës dhe përqendrimit të lartë të hekurit, që e bëjnë thuajse një peizazh surreal. Këtu bën vërtet shumë nxehtë, pajisuni me kapele dhe përdorni krem mbrojtës me faktor 50 dhe pini shumë ujë.
I GJELBËR – Papakolea Beach, Huawai
E gjelbra simbolizon këmbënguljen dhe u jep një ndjenjë drejtësie atyre që e zgjedhin. Në Huawaii, në arkipelagun Papakolea Beach gjendet një plazh me rërë të gjelbër. Po, po. Ngjyra vjen për shkak të konit vullkanik të përbërë nga kristale me mineral olivin që rrethojnë gjirin.
I VERDHË – Ramla Bay, Maltë
Simbol i dritës së diellit, energjisë dhe dijes. Ata që pëlqejnë të verdhën mund të ngazëllehen duke ecur në bregun e Ramla Bay, plazhi më i madh i ishullit Gozo, në Detin Mesdhe, një ndër 21 plazhet që përbëjnë arkipelagun në Maltë. Rëra është e artë. Peizazhin e bën edhe më magjik Shpella e Uliksit, që sipas legjendës aty ndodhet shpirti i Uliksit i zënë rob nga nimfa për shtatë vjet.
BLU – Vaadhoo, Maldive
Në Europë, bluja tregon paqe dhe dhuron ndjeshmëri, përfaqëson lumturinë për 27% të francezëve, dhe 22% për spanjollët dhe holandezët. Për të gjetur plazhe blu ju duhet të shkoni në Maldive dhe të prisni deri sa të errët: në mbrëmje, bregu i ishullit Vaadhoo mbështillet me një ngjyrë blu të shndritshme, as sa deti duket një qiell i shndritshëm me yje. Kjo për shkak të pranisë së fito planktonit.
ROZË – Pink Beach, Komodo, Indonezi
Për një pjesë të mirë të njerëzve, roza përfaqëson një shpirt të mbushur me gëzim. Plazhi që ju këshillohet është Pink Beach në ishullin Komodo, në Indonezi. Plazhi ka ngjyrë rozë për shkak të karbonatit të kalciumit të kafshëve të vogla jovertebrore të përzier me korale dhe guaska.
I BARDHË – Whitehaven Beach, Australi
E bardha është simbol i pastërtisë, shpreh besim dhe shpresë për të ardhmen. Për ata që pëlqejnë diçka shpirtërore, vendi ideal është Whitehaven Beach në Australi, një ndër plazhet më të bukura në botë, i cili ka rërë të bardhë dhe të shndritshme për shkak të pranisë së silicit (98%). Ai është pjesë e Parkut Kombëtar të Ishujve Whitsunday, arkipelagu në zemër të Great Barrier Reef në Australi.
VJOLLCË – Pfeiffer Beach, Kaliforni
Për të nxitur kreativitetin dhe imagjinatën, ju duhet të shkoni në Pfeiffer Berach në Kaliforni, ku plazhi është ngjyrë rozë për shkak të pranisë së grimcave të manganit. Peizazhi bëhet i mrekullueshëm veçanërisht gjatë perëndimit të diellit, kur rrezet e fundit të diellit reflektohen tek valët e detit, mbi rërë dhe gurët që e rrethojnë duke krijuar efekte fantastike kromatike. Jo rastësisht Pfeiffer Beach quhet edhe “plazhi ylber”. Por bëni kujdes kur të laheni. Uji është shumë i ftohtë dhe me shkëmbinj të mprehtë.
I ZI – Punalu’u, Hawaii
E zeza është një ngjyrë që vështirë se mund ta lidhësh me lumturinë por është e dashur veçanërisht nga të rinjtë. Për antikonformistët, plazhi që këshillohet për t’u shtrirë dhe për të marrë rreze dielli është Punalu’u në Hawai në Big Islands. Plazhi është i mbuluar nga granula të zeza të krijuara nga llava.
Burimi: Corriere della Sera