Funksionale dhe sportive, është një përqendrim i teknologjive të larta të cilat favorizojnë manovrueshmërinë, komoditetin dhe ndërveprimin njeri-makinë
ËSHTЁ e gjitha e re, dhe ndonëse në stil nuk është edhe aq revolucionare, siç ndodh në nivelin funksional dhe atë teknologjik. Përmbledhur, të dhënat e serisë së re 5, që vlen edhe për variantin më të fundit, station wagon. Touring ofron një kabinë të gjerë dhe të rafinuar, ndryshe nga ajo e variantit veturë. Tek kroskoti, bie në sy ekrani i sistemit iDrive, i cili propozon zgjidhjet më të fundit teknologjike, të pranishme në versionet me katër dyer, duke përfshirë edhe menaxhimin e komandave për disa funksione të sistemit audio/navigim.
Po të njëjta janë edhe instrumentet, të realizuara me një panel të vetëm Lcd të rikonfigurueshëm, gjithmonë të dukshme pas timonit. Kabina është strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë më se e përshtatshme për katër persona, duke qenë se përmasat e mëdha të bllokut të trasmisionit komprometojnë pjesërisht rehatinë e pasagjerit të tretë prapa.
Hapësira për bagazhet është e madhe; kapaciteti është 570 litra, 10 litra më shumë se modeli i mëparshëm. Ai ndjek traditën e kompanisë, është i realizuar me kujdes dhe nuk mungojnë rripat e dorezat për të organizuar sa më mirë ngarkesën. Dera e pasme, me komandim elektrik, parashikon edhe mundësinë e hapjes vetëm të xhamit të saj. Komoditeti mbetet një nga cilësitë kryesore të kësaj makine, e cila ka aftësinë të përshkojë kilometra me një lehtësi të jashtëzakonshme.
Ndër versionet e shumta turbodiesel të disponueshëm, u testua modeli 520d, 190 kf. Në këtë model, kambio automatike me tetë marshe është opsionale, por duhet të jetë e domosdoshme, duke qenë se lejon shfrytëzimin sa më mirë të cilësive të njohura të motorit dy litra turbodiesel. E ëmbël dhe e qetë në pozicionin Drive, ajo di të jetë edhe e fuqishme kur drejtohet në mënyrë manuale, me anë të dorezave në timon.
Midis pajisjeve opsionale, gjejmë të pranishëm aksin prapa të kthyeshëm, i cili kombinohet edhe me traksionin integral, kalibrimin elektronik të suspensioneve, të integruara me elementë pneumatikë, për të përballuar më së miri nevojat e ndryshme siç është dinamizmi sportiv, i cili nuk mund t’i mungojë një makine BMW, si dhe mundësinë për të ngarkuar gjithçka që nevojitet. Ndonëse kemi të bëjmë me një model station wagon të madh, pavarësisht përmasave, makina lëviz lirshëm edhe në rrugët më të vështira, gjë që haset rrallë në makina me këto përmasa. Nga ana tjetër, kënaqësia dhe instinkti në drejtim janë cilësi që spikasin gjithnjë për këtë BMW.
520d Touring Luxury
FUQIA MAKSIMALE – 140 kW (190 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 400 Nm në 1.750 xhiro/min
TRAKSIONI – në rrotat e pasme
KAMBIO – automatike me 8 marshe
0-100 km/h – 8,0 s
KONSUMI MESATAR – 22,2 km/l
PËRMASAT – gjat. 494 – gjer. 187 – lart. 150 cm
PESHA – 1.730 kg
ÇMIMI – 60.650 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.