Në mes të rrugëtimit si vendi që ka Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, shpjegoi se përse pranimi i ardhshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është i rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë europianëve.
Në prezantimin zyrtar të Presidencës së Këshillit në Bruksel, ju thatë: “Presidenca bullgare është e rëndësishme jo vetëm për popullin bullgar por për të gjithë Ballkanin dhe Europën”. Çfarë doni të thoni me këtë?
Ballkani gjithmonë ka qenë pjesë e Europës, kemi të njëjtën kulturë dhe ndajmë të njëjtat vlera. Prandaj është e rëndësishme që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë një perspektivë të qartë mbi bashkimin e tyre me BE-në. Për një kohë të gjatë, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë lënë jashtë axhendës së BE-së.
Ndërsa tani, ata janë një prioritet i Presidencës bullgare dhe për herë të parë në më shumë se 15 vjet, ne kemi organizuar një samit për rajonin, sepse duam të inkurajojmë secilin prej këtyre vendeve. Aderimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i rëndësishëm edhe për vetë sigurinë e të gjithë BE-së; askush nuk ka interes që të ketë boshllëqe në hartën e Europës. Unë jam shumë i kënaqur që vetëm brenda disa muajve, kolegët e mi në të gjithë BE-në e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është kjo çështje.
Ballkani është shndërruar në një prioritet edhe për shërbimin diplomatik të Komisionit Europian dhe vetëm një muaj më parë, gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor më në fund iu dha një afat i qartë për anëtarësimin në BE në vitin 2025. Por sigurisht që vetëm ata që i kanë plotësuar kriteret e BE-së do të mund që të bëhen pjesë e kësaj të fundit. Megjithatë, Bullgaria do t’i ndihmojë këto vende duke ofruar ekspertizën e saj, sepse pranimi i tyre në BE është në përputhje me interesin tonë kombëtar. Asnjë shtet nuk mund të jetë i qëndrueshëm, i pasur dhe i begatë nëse as fqinjët e tij nuk janë. Një dekadë pas anëtarësimit të saj në BE, Bullgaria po kërkon anëtarësimin në zonën Schengen.
Përse mendoni se vendet anëtare të BE-së ende hezitojnë për të pranuar anëtarësimin e Bullgarisë në zonën Schengen dhe cilat do të jenë hapat që ju do të ndërmerrni gjatë këtyre muajve që keni Presidencën e Këshillit të BE-së, për ta ndihmuar Sofjen që të bëhet pjesë e Schengen?
Është e qartë për të gjithë në BE se Bullgaria i ka përmbushur kriteret teknike për të qenë anëtare e zonës Schengen që nga viti 2011. Pra, vendimi pastaj është vetëm politik. Megjithatë, Bullgaria ka bërë përparime të mëdha edhe në pjesën e jashtme të kufirit me BE-në dhe ne sot mund të deklarojmë se presioni në kufirin bullgaro-turk prej muajsh me radhë është minimal. Unë e kuptoj faktin se njerëzit në Europën Perëndimore janë ende të shqetësuar për flukset e mëdha të emigrantëve dhe madje bie dakord me disa prej shqetësimeve të tyre, por nuk ka asnjë arsye se përse Bullgaria të mos jetë pjesë e zonës Schengen, si nga ajri ashtu edhe nga deti. Pastaj, kur shqetësimet e tyre të pakësohen, ashtu siç edhe ata dëshirojnë, ne mund të jemi pjesë e zonës Schengen edhe nga toka.
Kohët e fundit jeni shprehur se është “momenti i duhur për të folur për numra dhe afate” lidhur me investimet në Ballkan. Në cilat fusha është më i domosdoshëm investimi?
Për një kohë të gjatë, Ballkani është veçuar nga pjesa tjetër e Europës. Ndërmarrja e masave emergjente, si dhe investimet janë të nevojshme, sepse nëse këto vende nuk lidhen me autostrada moderne, hekurudha, tubacione gazi dhe linja të energjisë, njerëzit nuk mund të komunikojnë lirisht me njëri-tjetrin dhe bizneset nuk mund të zhvillohen.
Shpresoj që projektet me vlerë prej 500 milionë eurosh, brenda Procesit të Berlinit dhe të rezervuara në Samitin e Ballkanit Perëndimor të vitit të kaluar në Trieste do të nisin shumë shpejt. Bisedimet për projekte të caktuara, sipas këtij formati, do të zhvillohen edhe në muajin korrik në Londër. Gjatë dhjetorit të kaluar, ne organizuam një takim të partnerëve tanë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së me Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Europiane të Investimeve.
Shkurtin e kaluar, ne organizuam një takim tjetër në Londër për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta për sa u përket financimeve të projekteve lidhëse të infrastrukturës. Ndërkohë jemi duke punuar fort për sa i përket zhvillimit ekonomik të rajonit. Më lejoni të jap një shembull bullgar: Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Miqësisë me Republikën e Maqedonisë, tregtia me fqinjin tonë është rritur me 11% dhe numri i turistëve me 10%.
Besoj se sektorët më të rëndësishëm dhe që kanë nevojë për investime më emergjente janë ato të energjetikës dhe infrastrukturës.
Nëse ne u krijojmë vendeve tona mundësinë për t’u lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet infrastrukturës së nevojshme, atëherë ne mund të bëhemi një treg i përbashkët, që mund të luftojë më lehtësisht për diversifikimin e furnizimeve me energji dhe për të tërhequr më shumë investime, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e nivelit të jetës së njerëzve. Vetëm ndërtimi i projektit infrastrukturor “Korridori Numër 8” që lidh Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë do të hapë mijëra vende të reja pune, duke sjellë kështu me vete ndikim pozitiv.
Ju i keni bërë thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke e paralajmëruar se “nëse ajo nuk do t’i pranojë këto vende tani dhe nuk do të zgjerohet në këtë periudhë, në të ardhmen mund të jetë vonë”. Çfarë donit të thoshit me këtë deklaratë?
Nëse njerëzit e Ballkanit Perëndimor nuk marrin tani një perspektivë të qartë europiane, kjo mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë Bashkimin, sepse ka forca të tjera gjeopolitike të cilat janë të gatshme që të hyjnë atje sa më shpejt të jetë e mundur.
Këto gjashtë vende kanë disa nga popullatat në moshë më të re në Europë dhe shumë prej tyre vuajnë nga një shkallë e lartë papunësie e të rinjve që shkon deri në 65%. Kur një i ri e ka të pamundur të sigurojnë një vend pune, atëherë rruga e vetme për të pasur një të ardhme të sigurt është emigrimi. Këta të rinj janë të pambrojtur edhe ndaj ndikimeve të huaja. Nuk mund të vazhdojmë kurrsesi të lejojmë që Ballkani Perëndimor të vazhdojë të jetë një burim jostabiliteti.