Nga Blerina Hoxha
Investimet buxhetore këtë vit njohën shkallën më të ulët të realizimit gjatë dekadës së fundit. Procedurat burokratike nga shtimi i ministrive në qeverinë e re duken pengesa kryesore. FMN jep alarmin se mosangazhimi në realizimin e investimeve ndikon në frenimin e rritjes ekonomike
Të gjithëve ne, në përditshmërinë tonë, na ndodh që të mos bëjmë shpenzimet e planifikuara për shumë arsye që ndonjëherë lidhen me pasigurinë që kemi në të ardhurat ose shpeshherë me cilësinë e produktit që na ofrohet. Kjo vlen edhe për qeveritë. Të paktën në këto katër vite, kur kriza ekonomike i ka shtrënguar rripin e financave deri në vrimën e fundit, shpenzimet, sidomos ato që lidhen me investimet, janë kthyer po aq makth sa edhe realizimi të ardhurave. Kulmi arriti në fund të muajit gusht të këtij viti, kur zërit të investimeve buxhetore i tepruan 11 miliardë lekë (110 milionë dollarë) nga plani i tetëmujorit. Jo se vendi nuk ka nevojë për rrugë, shkolla, spitale dhe ujësjellës të rinj, por se ndryshimi i qeverisjes një vit më parë solli një filozofi të re për mënyrën se si do të investohen taksat e shqiptarëve. Rrugët nuk do të jenë më në krye, por bujqësia dhe sektorë të tjerë janë vënë në fokus të prioriteteve. Nga ana tjetër, ministri i Financave është nën presionin e fondeve gjithnjë e më të ulëta për investime dhe përgjegjësisë për t’i çuar ato në destinacionin e duhur. Në fund të gushtit, investimet publike në terren ishin 12 miliardë lekë (rreth 120 milionë dollarë) më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Realizimi i investimeve në tetëmujorin e parë të këtij viti është më i ulëti i dekadës së fundit.
“Luftë” e heshtur Cani–Ahmetaj, e pësojnë investimet
Fondi që qeveria ka programuar të investojë këtë vit është10 miliardë lekë (100 milionë dollarë) më i ulët se i një viti më parë. Gjithsej janë planifikuar 67 miliardë lekë nga 77 miliardë lekë që u akorduan në buxhetin e vitit 2013. Në fund të periudhës tetëmujore, programi i investimeve nuk është realizuar me 11.6 miliardë lekë ose gati 40% e planit të periudhës. Burimet zyrtare nga Ministria e Financave rendisin një sërë arsyesh të cilat kanë si pikënisje projektet e paplota deri te procedurat burokratike që janë krijuar me selektimin e të gjitha investimeve që financohen. Ministria i Financave ka njoftuar se, nuk do të financojë asnjë projekt pavarësisht rëndësisë, nëse nuk i ka të qartësuara të gjitha kostot dhe sidomos ato që lidhen me mirëmbajtjen, pasi të ketë përfunduar objekti. Fjala është për disa projekte në rrugë dhe të tjera në infrastrukturën publike. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë viteve të shkuara janë bërë investime, mirëmbajtja e të cilave pas përfundimit u ka krijuar buxheteve pasardhëse me kosto të paimagjinuara. Rruga e Kombit është një ndër këto projekte, ku kostoja vjetore e mirëmbajtjes i kalon 15 milionë eurot.
Pengesa tjetër i faturohet Ministrisë së Ekonomisë, pa miratimin e së cilës nuk mund të çelen fondet për investime. Që kur propozimet vijnë nga ministritë e linjës deri në shqyrtimin nga ministria e z. Ahmetaj, është krijuar një procedurë burokratike që kërkon kohën e saj e për rrjedhojë është kthyer në pengesë serioze në autorizimin në kohë të fondeve.
Që në fillim të këtij viti, qeveria e ka ngarkuar me përgjegjësi Ministrinë e Ekonomisë, që të autorizojë paraprakisht të gjitha projektet që duhen financuar nga buxheti i shtetit. Si vendimmarrëse dhe ndërmjetëse midis financave dhe institucioneve shpenzuese, ministri Ahmetaj ka një rol kyç në ecurinë e investimeve publike.
Në fillim të këtij viti Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe FMN kanë rënë dakord për ngrirjen e të paktën 5 miliardë lekëve investime deri në maj. FMN e kishte mirëpritur këtë propozim të autoriteteve shqiptare, si një garanci për të parë si do të ecnin të ardhurat deri në maj. Nëse do të kishte ecuri të mbarë të grumbullimit të taksave sipas parashikimeve buxhetore, atëherë fondet për investimet do të zhbllokoheshin. Ngrirja më e madhe e fondeve autorizohej për Ministrinë e Mbrojtjes, por kërkesa e Ministrisë së Financave preku pothuajse të gjitha institucionet e pavarura. Kjo duket të jetë edhe pikënisja, pse investimet tepër të nevojshme për ekonominë shqiptare të mos kenë ecur të paktën me ritmet e viteve të mëparshme.
Por financat e kanë një versionpër bllokimin e investimeve. Kur u miratua buxheti i këtij viti, në ligj janë të përcaktuara të gjitha projektet që do të financoheshin brenda vitit buxhetor. Por brenda këtyre projekteve, Ministria e Ekonomisë do të zgjidhte prioritetet për financimin me qëllim përdorimin sa më eficent të taksave. Finalizimi i projekteve prioritare nga Ministria e Ekonomisë duket se mori kohë, duke krijuar një problem të ri të mëvonshëm. Disa nga projektet e përzgjedhura nga Ministria e Ekonomisë për të marrë financimet e para nga buxheti nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret që Ministria e Financave kërkon për nxjerrjen e fondeve nga thesari.
Kjo histori gati e rëndomtë kriteresh, ka krijuar sakaq një dëm të madh, duke mos i çuar ekonomisë ato pak likuiditete të domosdoshme për të mbajtur ritmet e rritjes së ekonomisë në territor pozitiv. Arsyet e tjera për mosrealizimin e investimeve lidhen me ndryshimin e prioriteteve.
Rrugët e reja, pavarësisht se zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve për investime, nukjanë në krye të listës së prioriteteve. Bujqësia, energjetika, arsimi dhe shëndetësia janë në fokus. Por duke qenë se, ingranazhi i institucioneve u mësua të shpenzojë për rrugët, vitin e fundit po vihet re një stepje që vjen edhe nga ndryshimet e shumta në administratën shqiptare.
Ngecin financimet huaja
Shpenzimet kapitale për periudhën janar-gusht 2014 vijnë me një mosrealizim të theksuar në investimet me financim të huaj, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele më të pranueshme. Sipas një raporti të posaçëm të Ministrisë së Financave për këtë qëllim, investimet me financim të brendshëm paraqiten në një nivel realizimi prej rreth 47%, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 33%. Në total, niveli i realizimit të investimeve paraqitet në nivelin 40.5% të planit. Me një nivel të lartë mosrealizimi paraqitet sektori i transportit, ku vetëm për infrastrukturën, në përputhje me pritshmërinë e realizimit deri në fund të vitit, është propozuar një ulje e limitit të financimit të huaj në masën 7.360 milionë lekë. Ministria e Shëndetësisë ka gjithashtu një mosrealizim të lartë të investimeve me financim të huaj, për të cilën është propozuar një pakësim në planin fillestar në masën 958.3 milionë lekë ose rreth 79% të planit fillestar. Me mosrealizim rezultojnë gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme, 167 milionë lekë; Ministria e Arsimit dhe Sportit 310 milionë lekë; Ministria e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave 890.5 milionë lekë; Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë 516.5 milionë lekë, si dhe Ministria e Drejtësisë 750 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, në total, mosrealizimi i investimeve me financim të huaj për të gjithë ministritë dhe institucionet buxhetore përllogaritet në vlerën 11.2 miliardë lekë.
Shkaqet kryesore të mosrealizimit të investimeve me financim të huaj, sipas financave, lidhen kryesisht me parashikimet tejet optimiste të ministrive për realizimin e projekteve me financim të huaj, si dhe mosmarrjen në konsideratë të procedurave që aplikohen për projektet me financim të huaj. “Kjo përvojë duhet të shërbejë si një mundësi për të përmirësuar procesin e planifikimit të investimeve me financim të huaj për vitin e ardhshëm dhe në vijim”, – thuhet në relacionin që Ministria e Financave ka përgatitur për ndryshimet në buxhet.
Si mundësi shtesë në përmirësimin e performancës së investimeve deri në fund të vitit janë parë edhe rialokimet e brendshme ndërmjet shpenzimeve korente me ato kapitale, në përputhje me treguesit e realizimit për periudhën si dhe pritshmërinë e realizimit deri në fund të vitit. Kjo formë rialokimi është zbatuar në një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe të buxhetit në tërësi. Ministri Cani ka pohuar se do të ketë rialokime në zërin e shpenzimeve publike, sidomos në rrugë. Fondet do të kalojnë për ato projekte që kanëecuri më të mbarë. “Për t’i dhënë një dinamikë tjetër shpenzimeve kapitale, ato projekte që nuk kanë performuar, po rishpërndahen. Projektet e investimeve me financim të huaj kryesisht në sektorin e rrugëve nacionale kanë pasurecuri të ngadaltë, prandaj ato rialokohen në projekte me financim të brendshëm. Rishpërndarja vetëm për investimet arrin masën rreth 15 miliardë lekë” pohoi ministri Cani, gjatë raportimeve që pati javëne kaluar në Kuvend. Deputetët, sidomos ata të Komisionit të Ekonomisë, kanë shprehur shqetësim për ecurinë e investimeve, duke e ngarkuar me përgjegjësi qeverinë, por ministri Cani ka garantuar se, deri në fund të vitit, i gjithë fondi do të jetë i realizuar.
Por, gati tre muaj duken të jenë shumë pak për të rialokuar të 150 milionë dollarët që parashikojnë ndryshimet në buxhet.
Rrugët, një problem i përhershëm
Ndonëse me një ulje të dukshme në krahasim me pesë vitet e mëparshme, buxheti i rrugëve është financuar këtë vit me gati 30 milionë dollarë që shkojnë për rrugët e reja dhe riasfaltimet. Sipas të dhënave nga Autoriteti Rrugor Shqiptar mësohet se ecuria e punimeve dhe disbursimit të fondeve paraqitet ekstreme për disa projekte. Fondi për ndërtimin e rrugëve të reja në planin fillestar të buxhetit është 2.4 miliardë lekë, por deri në fund të gushtit, janë disbursuar 1.8 miliardë lekë. Pavarësisht se janë planifikuar investime që shkojnë në miliona USD për disa projekte, disbursimet nga buxheti janë zero deri në fund të gushtit. Shembulli tipik është Unaza e Re në Tiranë, për segmentin Komuna eParisit – Shkolla Teknologjike, për të cilën janë akorduar në buxhetin e këtij viti 85 milionë lekë, por punimet ende nuk kanë filluar. Punimet nuk kanë nisur as për By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë për Lotin1, ku janë akorduar 90 milionë lekë dhe disbursimet janë ende në nivel zero. Po në nivel zero është edhe situacioni i punimeve, shtesat e punimeve për rrugën Lushnjë-Berat, që radhitet tashmë si një nga segmentet nacionale me gjendjen më të mjeruar në vend. Ndërsa me realizim të mirë paraqiten punimet në 9 lotet e By Pass-i Plepa-Kavajë-Rrogozhinë (shiko tabelën: Ecuria e investimeve në Rrugë për 8-mujorin).
Por ka një paradoks në ecurinë e punimeve në rrugë. Vihet re se, për të njëjtin segment rrugor, disa lote kanë pasur ecuri 100% të investimeve të planifikuara dhe në disa të tjera, ecuria është zero. Ky nuk është tregues i problematikës me projektin, pasi i njëjti është vlefshëm për të gjitha lotet. Duke iu referuar të dhënave të Autoritetit Rrugor vihet re se, në segmentet e Unazës së Re në Tiranë disa lote janë me ecuri zero dhe të tjerat 100%. Me këtë ecuri janë punimet edhe në rrugën Lushnjë-Berat dhe në rrugën e Butrintit.
Për projektet me financim zero, burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, janë ndeshur problematika. Më së shumti, kostot nuk kanë qenë të argumentuara qartë sipas klasifikimit që tashmë përdor dikasteri i Canit.
Investimet për vota
Ka një lidhje tejet të ngushtë të investimeve publike me vitet zgjedhore. Në dy dekadat e fundit shihet qartë se, në çdo vit elektoral, vlera neto e investimeve publike ka qenë e lartë, deri sa vitet e fundit u akumuluan edhe borxhe ndaj kompanive që kryenin punime. Duke u përdorur në këtë mënyrë në të gjithë periudhën e tranzicionit, investimet kanë pësuar luhatje të mëdha. Kështu në vitin 2001, që ishte një vit elektoral, investimet publike njohën rritjen më të lartë në krahasim me prodhimin e brendshëm bruto (PBB) pas vitit 1997, duke arritur në 7.1%. Në dy vitet që pasojnë, niveli i tyre ra në 4%. Por ato marrin përsëri trajektoren rritëse në vitin 2005, duke arritur në 5.1% të PBB. Por me ndryshimin e qeverisjes së majtë në vitin 2005 dhe ardhjen e të djathtëve në pushtet, investimet publike morën një rëndësi tjetër. Qeveria “Berisha” vendosi të rrisë investimet në rrugë, duke e ndryshuar tërësisht filozofinë. U vendos të investohej në projekte të mëdha si ai i autostradës Durrës-Kukës dhe rrugës së re të Elbasanit. Ndërsa projektet e vogla u përqendruan drejt akseve kufitare dhe atyre turistike. Por edhe gjatë qeverisjes së djathtë, fondet e investimeve u përqendruan në vitet elektorale. Kulmi arriti në zgjedhjet e vitit 2008-2009, kur investimet kapitale, edhe për shkak të ndërtimit të Rrugës së Kombit, arritën në mbi 950 milionë dollarë ose në mbi 8.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në tre vitet pasuese, investimet publike ranë në nivelet 5% të PBB, edhe për shkak të pasojave të krizës ekonomike në buxhet. Por rritja vijoi edhe gjatë vitit zgjedhor 2013, kur shpenzimet për investime u parashikuan në nivelin e 6.8% të PBB. Duke qenë se pas vitit 2010, të ardhurat në buxhet nuk u realizuan sipas planifikimeve, rishikimi në mes të vitit solli ulje të shpenzimeve për investime, duke akumuluar borxhe ndaj kontraktorëve të punëve publike që në shumë raste kishin avancuar më shpejt me punimet.
E pëson rritja ekonomike
Investimet nga buxheti i shtetit, pavarësisht se shënojnë vlerat më të ulëta të 6 viteve të fundit, janë një nga burimet kryesore të likuiditetit në ekonominë vendase. Fondi Monetar Ndërkombëtar është i qetësuar për këtë situatë. Nadeem Ilahi, shefi i Misionit të FMN për Shqipërinë, në vizitën e fundit në vendin tonë tha se, mosrealizimi i investimeve publike sipas programit mund të ndikojë në frenimin e rritjes ekonomike. Në kushtet kur bankat thuajse kanë mbyllur rubinetin e kreditimit për ekonominë, të ardhurat nga emigrantët janë në rënie dhe hyrjet nga eksportet janë maturuar, investimet buxhetore janë kalorësi që mbajnë gjallë rritjen ekonomike në vend. Duke marrë në konsideratë këto kushte, ekspertët e ekonomisë kërkojnë zhdërvjelltësi më të madhe nga qeveria për të shpenzuar çdo qindarkë të çuar për investime. Qeveria kishte menduar që, krahas investimeve, të nxiste rritjen ekonomike nëpërmjet shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të programuara në nivelin e 350 milionë dollarëve këtë vit. Mirëpo edhe ky proces nuk ka ecur sipas parashikimeve, pasi shpërndarja e borxheve është pezulluar në përfundim të një auditi që do t’i bëhet procesit nga ndërkombëtarët.
Studimet shkencore të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një lidhje të ngushtë ndërmjet shpenzimeve të qeverisë për investime dhe rritjes ekonomike. Por gjithashtu financimi i investimeve kapitale të qeverisë, nëpërmjet mekanizmave të huamarrjes, ka stimuluar rritjen ekonomike, por kufiri i borxhit tashmë është sipër pragut të nxitjes së rritjes ekonomike.
Rajoni
Edhe në rajon, ecuria e investimeve publike është e ngjashme, por me specifika të veçanta. Vendet dolën me diferenca në infrastrukturë nga regjimet komuniste. Ish-republikat jugosllave, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova dolën me një infrastrukturë (rrugë dhe ujësjellës) shumë herë më të konsoliduar se Shqipëria. Por, pavarësisht kësaj, investimet publike në vlera neto janë më të larta se ato të Shqipërisë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Kosova ka nivelin më të lartë të investimeve me 10% të PBB. Si shteti më i ri në rajon, Kosova ende nuk i ka konsoliduar zërat e tjerë të shpenzimeve buxhetore, siç janë pensionet, duke i çuar një pjesë të madhe të të ardhurave për investime. Ndërsa Mali i Zi, investimet në raport me PBB i ka 2-3%, por në vlera neto, investimet publike janë më të larta se të Shqipërisë, pasivendi fqinj ka një buxhet më të madh se ai i yni. Edhe Maqedonia, tre vitet e fundit, ka një nivel shpenzimesh për investime në mbi 4% të PBB dhe me vlera neto vjetore400-500 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.