Bomba e PPP-ve në të ardhmen mund të sjellë rritje taksash

10/11/2018 10:09 PM 0 komente

Qeveria duhet të dëgjojë ekspertët dhe partnerët financiarë si FMN dhe BE dhe të heqë dorë nga praktika e shumëkritikuar e PPP-ve. Ekonomia anemike shqiptare nuk do të përballonte e gjallë as 1/100 e dallgës që përballoi ekonomia greke, do të vdiste që në kontaktin e parë me të.

 

Nga Panajot Soko*

 

Pikë së pari, dua ta nis me të ardhurat, ku gjykoj që projektbuxheti i paraqitur nuk është realist në projeksionin që i bëhet bazës së llogaritjes së të ardhurave dhe posaçërisht, nivelit të parashikuar të rritjes ekonomike. Niveli i parashikuar i rritjes prej 4.3% është totalisht jo realist. Vitin tjetër, dy investimet e mëdha, Devolli Hydropower dhe TAP, furnizuesit kryesorë të rritjes deri më sot, nuk do të jenë më, kështu që parashikoj një rënie krahasuar me sivjet, diku në nivelin e 3.6-3.7%, përafërsisht sa ç’është parashikuar dhe nga FMN në publikimin e tetorit të Pasqyrës Ekonomike Globale.

Nëse i referohemi Relacionit të Buxhetit, duket se qeveria ka krijuar iluzionin e një spirale lumturie, ku konsumi do të rritet, sepse papritur do të rritet besimi i konsumatorëve, që më pas do të përkthehet në më shumë konsum, i cili do të rrisë më shumë besimin e kështu me radhë. Vetëm pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë publikoi raportin për tremujorin e tretë, ku Treguesi i Ndjesisë Ekonomike kishte rënë me -4.0 pikë (duke reflektuar rënie në të gjithë treguesit) dhe kryesorja që besimi i konsumatorit kishte rënë për të tretin tremujor radhazi, këtë radhë me -0.7 pikë.

Kjo më shtyn të besoj që projeksioni i performancës makroekonomike nuk është realist dhe është i fryrë artificialisht. E kjo fryrje artificiale, më pas është reflektuar dhe te projeksionet e rritjes së zërave kryesorë të të ardhurave fiskale, ku të gjitha zërat e të ardhurave nga tatimet dhe doganat rriten mesatarisht me 6-7%, çka nuk mendoj se është realiste.

Qeveritë në Shqipëri e kanë bërë zakon tashmë projektimin e fryrë në fillimviti, kur vëmendja e publikut është e gjitha tek buxheti dhe pastaj në mes të vitit, në heshtje, me amendime ligji apo akte normative kthehen dhe e korrektojnë euforinë. Duket se as ky vit nuk i ka shpëtuar traditës, aq më tepër që ky që vjen do të jetë një vit elektoral dhe të gjithë e dimë që euforia në të tilla vite është në zenit.
E keqja është se askush nuk mban përgjegjësi për gjithë këtë patologji endemike.

Për mua kjo traditë e parashikimit euforik me shifra të fryra në fillim të vitit dhe korrigjimi më vonë në mes viti, nuk është thjesht mungesë etike profesionale. Kjo traditë është papërgjegjshmëri institucionale që tregon mungesë të theksuar serioziteti dhe respekti ndaj përgjegjësisë publike, me të cilën je ngarkuar nga taksapaguesit.

 

Rreziku i PPP-ve

E me gjithë ato që përmendëm më lart, problemet që buxheti mbart në parashikimin e të ardhurave janë tërësisht të papërfillshme, krahasuar me bombën që ai prezanton në zërin e shpenzimeve dhe detyrimeve. Dhe posaçërisht në të famshmet PPP. Në një vlerësim strategjik besoj se qeverisë po i del nga kontrolli situata me PPP-të. Pavarësisht thirrjeve të të gjithë partnerëve ekonomikë si FMN, BE etj., duket se qeveria jonë është nisur e vendosur drejt humnerës financiare.

Bazuar në projeksionet buxhetore dhe raportimet e fundit duket se niveli i kontratave të Partneritetit Publik Privat për këtë vit do të kapë nivelin e 262 miliardë lekëve, ose rreth 15% të PBB. Në total, vlera prej rreth 410 miliardë lekësh që ky lloj koncesionimi do të arrijë në fund të 2019-s, është një thes i mbushur me dinamit në kurrizin e kërrusur të shtetit. Sepse nëse bashkojmë borxhin e njohur publik prej rreth 70% me vlerën e garantuar të kontratave PPP, rreth 24% e PBB, që janë në fakt një borxh, atëherë borxhi aktual publik në total është rreth 93-94%. Dhe kjo është e frikshme! Problemet që kjo masë tumorale që i është ngjitur buxhetit, sjell në financat publike, në periudha afatshkurtra dhe afatmesme, janë të shumëllojshme.

Së pari, ato janë projekte totalisht të pastudiuara dhe pa një analizë kosto-përfitim. Po piketohen akse rrugore që nuk dihet sesa vlerë do të shtojnë në ekonomi, apo më saktë a do të shtojnë a nuk do të shtojnë vlerë në ekonomi. Po kontraktohen shërbime shëndetësore që dobishmërinë e kanë shumë të ulët, apo që edhe nuk ka nevojë fare, në krahasim me kostot e shpenzuara.

Së dyti, kostot me të cilat po realizohen këto projekte janë “të çmendura”. Pra jo thjesht janë jashtë normativave, por janë tamam të çmendura. Po pranohen projekte rrugësh me kosto 20 milionë USD për kilometër, kur normativa për autostrada me 4 korsi është maksimumi 3 milionë USD në terren fushor; po pranohen projekte shkollash me kosto ndërtimi 2000 USD/m² ndërtim (pa vlerë toke, se toka është e shtetit), kur normativat e ndërtimit nuk shkojnë më shumë se 300 USD/m² kur ndërton në tokë me vlerë zero.

Së treti, po pranohen kontrata me risk zero për investitorin, ku shteti mbulon edhe fitimin e munguar në qarkullim me kompensim nga buxheti i shtetit. Dhe kjo është absurde, sepse ai nuk është më biznes, ai është një kalim i sigurt fitimi nga xhepi i shtetit te xhepi i investitorit me transfertë bankare.

Dhe i fundit, por jo për nga rëndësia, është masa e madhe në vlerë e këtyre kontratave, pagesat e të cilave, si një masë tumorale që vetëm rritet e rritet duke ngrënë pjesë e duke nxjerrë jashtë funksionit organet e shëndetshme të trupit, do të rriten e do të rriten derisa do të vijë një ditë që do t’iu hyjnë në hisè pjesëve të shëndetshme të buxhetit, duke hequr fonde nga programet e shëndetshme të buxhetit për të shlyer detyrimet ndaj PPP-ve.

Duket se askush nuk e sheh, por unë dalloj një ngjashmëri mes asaj që po ndodh tek ne dhe asaj që ndodhi në fillimvitet 2000 në Greqi, që çoi më pas në krizën e madhe greke. Në thelb të krizës greke qëndronte shpërdorimi pa kriter e masë i parasë publike që merrej borxh, në projekte pa vlerë, me kosto shumë të lartë prej korrupsionit dhe me kontrata ndëshkuese për shtetin. Dhe kriza plasi në momentin kur pagesat e këtyre borxheve që kishin marrë u bënë të papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe shtetit grek i duhej të prekte fondet e pensioneve dhe të pagave për të paguar detyrimet, pasi çdo gjë tjetër ishte gllabëruar ndërkohë. Drejt kësaj po shkohet dhe në Shqipëri.

 

Rregullimet akrobatike ligjore, që mund të sjellin rritje taksash

Rregullimi me tavan buxhetor, që gjoja nuk do të lejojë që pagesat në drejtim të PPP-ve të kalojnë 5% të të ardhurave buxhetore në një vit kalendarik, është një akrobaci juridike, që krijon thjesht iluzionin e pragut.

Sepse ligji vërtet thotë që pagesat në drejtim të PPP-ve brenda një viti fiskal nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave, por thotë që, nëse në një vit kalendarik ndodh që ato të tejkalojnë tavanin prej 5%, qeveria merr masa që të rregullojë zërin e të ardhurave për vitet në vijim, me qëllim që pagesat të kthehen sërish në raportin e 5%.

Pra, në momentin kur në një vit, pagesat për PPP-të shkojnë më shumë se 5% (le të themi shkojnë 6-7% apo më shumë), qeveria nuk duhet të reduktojë pagesën ndaj PPP-ve, siç do të ishte logjika e konceptit të “tavanit buxhetor”, duke rishpërndarë pagesën e kësteve ndaj kontraktorëve, por jo, ajo duhet të rrisë taksat në vitin që vjen (apo vitet që vijnë), me qëllim që të ardhurat e krijuara pas rritjes t’i mbulojnë 20-fish shpenzimet e PPP-ve, pra këto të fundit të futen brenda pragut 5%.

Kjo do të thotë që shumë shpejt, Shqipëria do të përballet me të mirënjohurat masa shtrënguese fiskale, si në Greqi (austerity measures) ku do të na duhet të gjithëve të shtrëngojmë rripin dhe të paguajmë më shumë taksa për të paguar borxhet ndaj PPP-ve që po kontrakton sot qeveria.
Por ky është vetëm fillimi. Nëse kësaj i veshim faktin që skema e pensioneve po thellon çdo vit e më shumë deficitin, me një popullsi në plakje të pandalshme, me të rinj e të reja (kontributorë potencialë të nesërm në skemë) që po largohen nga Shqipëria, atëherë do të vijë një ditë kur buxhetit të shtetit do t’i jetë mbledhur një lak i madh në fyt – laku i pensioneve, borxhit publik dhe PPP-ve, të cilat së bashku mund edhe ta çojnë në kolaps financiar vendin.

Qeveria duhet të dëgjojë ekspertët dhe partnerët financiarë si FMN dhe BE dhe të heqë dorë nga praktika e shumëkritikuar e PPP-ve. Ekonomia anemike shqiptare nuk do të përballonte e gjallë as 1/100 e dallgës që përballoi ekonomia greke, do të vdiste që në kontaktin e parë me të.

*Ish-drejtor i programimit në Ministrinë e Financave/Mendimet janë personale të autorit

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of