John Gikas dhe Aris Papageorgakopoulos menaxhojnë fonde që kanë kthime në masën 100% gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave nga borxhi i Athinës. Menaxherët e fondit të bonove, me performancën më të mirë në botë, nuk janë në Londër, Nju Jork apo Kaliforni. Ata e kanë bazën në Athinë.
Panos Simosi i NBG Asset Management, Aris Papageorgakopoulos dhe John Gikas të Eurobank Asset Management menaxhojnë tre fonde bonosh, që kanë siguruar kthime në masën 100% gjatë vitit të kaluar. Asnjë tjetër fond, sipas kontrollit global të “Morningstar”, nuk ka ofruar kthime të tilla.
Të tre performuesit më të mirë kanë fituar shumë duke ndjekur të njëjtën skemë: duke blerë bono të qeverisë greke në kulmin e krizës së borxheve të Eurozonës dhe i mbajtën ato kur investitorët e tjerë po i “hiqnin qafe”.
Perceptimi i investitorëve për Greqinë ka ndryshuar ndjeshëm në muajt e fundit. Çmimet e disa bonove të qeverisë greke janë më shumë se katërfishuar nga niveli i tyre më i ulët i 2012-s, ndërkohë që frika për daljen e Greqisë nga Eurozona është zbehur. Disa kompani të mëdha greke kanë emetuar aksione në mënyrë të suksesshme dhe investitorët e mëdhenj janë kthyer te kapitalet greke. Mark Mobius, që menaxhon më shumë se 40 miliardë dollarë në asete në tregjet në zhvillim në Franklin Templeton, i tha “Wall Street Journal” se planifikon të blejë aksione në kompani greke për herë të parë në më shumë se një dekadë.
Kundrejt këtij ndryshimi në perceptimin për Greqinë, zotërinjtë Simos, Papageorgakopoulos dhe Gikas e gjejnë veten në vendin e duhur, në kohën e duhur.
“Bonot greke, në një fazë, ishin klasa më e urryer e aksioneve në botë dhe ne menduam se nuk kishte shumë se ç’të humbej tek fundi i tregut”, tha z. Papageorgakopoulos.
Fondi i bonove “Delos Domestic”, prej 83 milionë eurosh drejtuar nga z. Simos ka siguruar një kthim prej 108% në 12 muajt e fundit, duke e bërë atë fondin e bonove me performancën më të mirë në botë. Pas tij, me një diferencë të ngushtë prej 30 milionë eurosh, “Eurobank LF Government Bond Fund” dhe “Interamerican Fixed Income Domestic Bond Fund” prej 137 milionë eurosh, të dy të drejtuar nga z. Papageorgakopoulos dhe z. Gikas. Këto fonde kanë siguruar kthime prej 107% dhe 105%, respektivisht, për investitorët në 12 muajt e fundit, sipas të dhënave të “Morningstar”.
Për të qenë më të sigurt, këto janë fonde të vogla me mandate specifike për të investuar në borxhin grek. Megjithatë, performanca e tyre është shumë më lart performancës më të mirë të fondeve të bonove në dollarë, të cilët siguruan kthime në masën 34% nga investimet në aksione, ndërkohë që fondi me performancën më të mirë në tregjet në zhvillim siguroi një kthim prej 31%, raporton “Morningstar”.
Fondet greke nuk përdorin ndonjë strategji komplekse matematikore, si dhe nuk targetojnë individë shumë të pasur. Pjesa më e madhe e investitorëve janë klientë të zakonshëm retaili apo fonde pensioni të kompanive greke.
Me gjithë performancën e fortë të këtyre fondeve, menaxherët e tre fondeve nuk i përshtaten karakterit tipik të investitorëve “superstar”. Zotërinjtë Papageorgakopolous dhe Gikas thonë se ata zakonisht punojnë nga ora 9:00 – 18:00 dhe udhëtojnë në klasin ekonomik kur udhëtojnë për në punë. 44-vjeçari Papageorgakopolous, i cili ka një diplomë masteri nga University of Reading në Britaninë e Madhe dhe një MBA nga Cass Business School në Londër, nget një makinë “Audi” të vitit 2003 që e bleu të përdorur në 2006-n dhe jeton në të njëjtën shtëpi ku është rritur, në periferi të Athinës, Filothei.
Menaxherët e fondit nuk kanë qenë të paprekur nga ndikimi i masave shtrënguese të deklaruar nga qeveria greke. Z. Gikas, 44 vjeç, tha se atij iu desh të ulte shpenzimet pasi faturat e taksave u rritën, ndërkohë që z. Simos, 36 vjeç, tha se iu desh të shtynte planet për të blerë një shtëpi duke qëndruar në një shtëpi me qira, pasi bankat hoqën dorë nga kreditimi.
Z. Papageorgakopolous thotë se fati i mirë ka qenë një faktor kryesor në performancën e fondit të tij. Sipas rregullave të tyre, fondet duhet të investojnë 50% ose më shumë të aseteve të tyre në bono të qeverisë greke dhe mund të alokojnë të gjithë fondin për këto bono nëse kanë nevojë. Menaxherët e fondeve kanë vendosur 100% të portofolit të tyre në një aset të vetëm.
Në kontrast, shumë menaxherë të fondeve të tjera me bazë jashtë vendit u tërhoqën nga tregu grek.
Por, performanca e fondeve nuk është rrjedhojë e fatit të mirë vetëm. Fillimisht z. Papageorgakopoulos dhe z. Gika hoqën dorë nga bonot e qeverisë greke një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi në muajin maj 2012. Ata blenë bono të bankave greke, ndërkohë që po i tregtonin nën çmimin e tyre real, duke parashikuar se investitorët do të paguheshin plotësisht pas maturimit të bonove. Më pas, ata u përfshinë në bonot e qeverisë, duke alokuar të gjithë fondin e tyre tek borxhi i qeverisë greke pas raundit të dytë të zgjedhjeve në muajin qershor të të njëjtit vit.
Tre menaxherët e fondeve blenë bonot e qeverisë greke me një çmim mesatar me një vlerë sa 12 cent kundrejt euros. Çmimi aktual i bonove greke është rreth 53 cent kundrejt euros.