Borxhi alarmon FMN dhe Bankën Botërore

12/03/2013 9:37 AM 0 komente

FMN dhe Banka Botërore zbarkojnë në Shqipëri që t’i “tërheqin veshin” qeverisë për rritjen e borxhit publik, në një kohë që është hequr dhe kufiri i tavanit publik. Qeveria premton ta mbajë atë nën kontroll dhe të shlyejë detyrimet që u ka sipërmarrjeve private për punët publike të papaguara

Shefat rajonalë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërritën në Shqipëri javën e kaluar për t’i “tërhequr veshin” qeverisë lidhur me borxhin e lartë publik dhe braktisjen e kufirit tavan të borxhit prej 60%, vendim që qeveria e ka marrë në fund të vitit të kaluar. Ndonëse në publik, deklaratat kanë qenë më të moderuara, Indermit Gill, kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore nuk ka ngurruar që në një takim informal me studentë të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, të krahasojë situatën që po kalon Shqipëria me atë të vendeve të Europës Jugore, si Greqia e Portugalia, që sot po vuajnë pasojat e krizës së borxheve.

Në takimin pa praninë e mediave të zhvilluar të premten, mësohet se qeveria është angazhuar që t’i përmbahet buxhetit të këtij viti dhe të ruajë një deficit buxhetor sipas objektivave, ndërkohë që ka pohuar se do të shlyejë shpejt faturat e prapambetura të borxhit nga kompanitë publike, duke përdorur dhe paratë që do të merren nga shitja e HEC-eve (“Kurum” ka blerë së fundmi HEC Bistrica 1 dhe 2 dhe Ulëz-Shkopet për rreth 110 milionë euro) dhe nuk do të lejojë më që situata me sipërmarrjet private të përkeqësohet deri në këtë pikë. Borxhi që qeveria u ka vetëm ndërtuesve llogaritet të jetë mbi 100 milionë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Ndërtuesve.

Në momentin që ekonomia do të rimëkëmbet, qeveria ka pranuar në takim që të rishikojë mundësinë e një rritjeje të taksave, ndërsa një shtrëngim i shpenzimeve buxhetore duket se është më i mundshëm pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

 

Gill përpara studentëve: Vendi të kryejë reformat ose rrezikon të përfundojë si Greqia

Në një prezantim përpara studentëve të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, Shqipëria dhe Bashkimi Europian, përfaqësuesi i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Indermit Gill, ka paralajmëruar dhe një herë qeverinë që të ulë nivelin e borxhit në raporte të qëndrueshme, që sipas tij, do të ishte shifra prej 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga mbi 60% që ka kapërcyer borxhin sot.

Nuk janë qeveritë ato që përcaktojnë nivelin e duhur të borxhit, por është tregu që e bën një gjë të tillë. “Nëse tregu të jep hua me interesa të ulëta ose për një afat të shkurtër, atëherë ky është një sinjal se borxhi duhet të konsiderohet i lartë”, tha Gill. Tregu shikon se sa është niveli i borxhit nga njëra anë dhe cila është perspektiva e rritjes së një vendi. “Ju duhet të përmirësoni perspektivën e rritjes”, rekomandon Gill.

Ai paralajmëroi që Shqipëria duhet të përmirësojë perspektivën e rritjes ekonomike dhe duhet të ndërmarrë reforma, për të zhvilluar vendin, në mënyrë që të mos qëndrojë në kahun e vendeve të Europës Jugore, që sot po vuajnë pasojat e krizës së borxheve kombëtare.

Europa Juglindore sot ka një nivel të ulët të eksporteve ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në rreth 33% (për Shqipërinë ky raport është dhe më i ulët), ndërkohë që vende si Çekia e kanë dyfish më të lartë këtë nivel, në 70% të PBB-së.

Shqipëria ka një renditje shumë poshtë në raportin “Të bësh biznes”, duke qenë e 85-ta, kur Maqedonia është ndër 30 të parat. Mjedisi i ulët për të bërë biznes çon dhe në një produktivitet të ulët, që është një nga shqetësimet e tjera të vendeve të Europës Juglindore, e cila vitet e fundit ka pasur një rritje negative të produktivitetit, sipas llogaritjeve të Bankës Botërore.

Borxhi i lartë publik është një tjetër problem i vendit. “Niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim është rreth 40% e PBB-së. Nuk është ide e mirë që kur e ke një kufi në ligj, ta tejkalosh atë e më pas ta hedhësh poshtë këtë ligj”, shtoi ai.

“Në këto pika, Shqipëria i ngjan vendeve të Jugut të Europës, që sot po vuajnë krizën e borxheve (Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja). “Klima është njëlloj si në Greqi e Portugali”, tha ai.

“Nuk ka arsye që Shqipëria të jetë në vendin e 85-të për të bërë biznes, kur Maqedonia është në 30 vendet e para. S’ka arsye pse duhet të jetë e vështirë të kesh energji, të marrësh leje ndërtimi, të paguash taksa, elementë ku Shqipëria është ndër vendet e fundit në renditje. Nëse nuk i rregulloni këto probleme, atëherë do të shikoni të njëjtat gjëra që ndodhën në Greqi”, paralajmëroi Gill.

Sipas tij, një tjetër problem që po kalon Europa janë shpenzimet e larta sociale, faktor që ka ndikim të ndjeshëm dhe në madhësinë e qeverive.

“Në Europë njerëzit sot po jetojnë më shumë dhe po punojnë më pak dhe qeveria, për të përballuar shtimin e shpenzimeve sociale rriti deficitin fiskal, që u shoqërua me një rritje të borxhit publik”, tha Gill. Nga ana e saj, Shqipëria ka borxhin më të lartë publik, pa pasur shpenzime të larta sociale dhe duhet të jetë e kujdesshme në zgjedhjen e modeleve të saj. Ai shtoi se qeveria nuk duhet të rrisë madhësinë e saj deri sa të bëhet më eficiente.

Ndonëse ka pranuar se Shqipëria ka një qeveri me madhësi të vogël, ai ka shtuar se ajo nuk është eficiente dhe e ka krahasuar mënyrën e funksionimit të qeverisë shqiptare me atë të vendeve të Europës Jugore, që sot po vuajnë pasojat e krizës së borxheve kombëtare. Jugu i Europës, Italia, Greqia, Portugalia dhe Spanja, të gjitha kanë një cilësi të ulët të mjedisit për të bërë biznesi, sipas raportit të Bankës Botërore, madje më të përkeqësuar dhe se Bullgaria e Rumania, të cilat kanë dhe avantazhin e pagave më të ulëta. “Kjo është një dobësi e madhe për vendet në këtë pjesë të botës”, tha Gill.

 

 

Rreziqet që mund të vijnë nga borxhi i lartë

Pyetjes se cili është niveli përshtatshëm i borxhit për një vend si Shqipëria, Bill i përgjigjet duke bërë një paralelizëm me atë që i ka thënë qeverisë polake, kur e pyeti për parakushtet që duheshin për të hyrë në euro.

Së pari, tha ai, u rekomandova që të jenë poshtë vendit të 40 në renditjen për të bërë biznes, pasi sipërmarrjet private janë ato që japin kontributin kryesor në rritjen ekonomike të një vendi. Së dyti, raporti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk duhet të jetë më i lartë se 40%. Mjafton një vit me ecuri të keqe ekonomike dhe me nivel të lartë borxhi dhe kjo do të çonte në një rritje të normave të interesit të shërbimit të tij. Së treti, mos shpenzoni më shumë se 10% të shpenzimeve buxhetore për sigurime sociale, sepse kështu do të detyroheni të kryeni më pak shpenzime kapitale.

Gill thotë se Shqipëria është në anën e gabuar të të gjithë këtyre elementëve. Së fundmi, pohon ai, shpenzimet për sigurimet shoqërore kanë kaluar mbi 10% të buxhetit, ndërkohë që ato për rrugë (shpenzimet kapitale) po bien me shpejtësi.

 

 

Dhe si të ulet ai

Ndërsa nuk mund të pretendohet një ulje e menjëhershme e borxhit, në të ardhmen, tha Gill për mediat, qeveria duhet të mendojë se si të ulë me shpejtësi borxhin, ku tre janë rrugët më kryesore për reduktimin e tij:

–       Së pari, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto

–       Së dyti, një vlerësim i monedhës vendase do të bënte të mundur që të ulej pjesa e borxhit në valutë

–       Së treti, duke kaluar në suficite buxhetore, çka do të thotë që të shpenzohet më pak.

Gjithsesi Gill ka vlerësuar Shqipërinë si një nga vendet e pakta të Europës që ka arritur të shmangë recesionin dhe ka ruajtur ritme pozitive rritjeje, megjithëse ato janë ngadalësuar vitin e kaluar.

“Është mirë që Shqipëria të ketë një kufi për performancën publike, – tha ai, – por meqë hoqi tavanin e borxhit duhet të ketë një kufi tjetër”. Gill rekomandon që vendi duhet t’i përmbahet tashmë objektivit të vendosur për deficitin fiskal, në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe t’i përmbahet atij për 2013-n.

 

 

Duket politikë e shëndoshë fiskale për të mbështetur rritjen

Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit.

Në një tryezë të rrumbullakët që u mbajt  në Tiranë në fund të javës së kaluar u diskutuan sfidat dhe përparësitë e politikës fiskale të Shqipërisë në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, thuhet në një njoftim të përbashkët për shtyp të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Ministrisë së Financave. Qëllimi i kësaj veprimtarie, të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ishte ripohimi i rëndësisë së konsolidimit fiskal për të arritur rritje të qëndrueshme dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik, si dhe për të diskutuar hapat specifikë drejt këtyre qëllimeve.

Pjesëmarrësit përfshinin Ministrin e Financave Ridvan Bode, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Kryeekonomistin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Indermit Gill, Shefin e Misionit të FMN për Shqipërinë Nadeem Ilahi, staf drejtues nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Kryeministria, si dhe staf nga Banka Botërore, FMN, dhe delegacioni i Bashkimit Evropian.

Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL). Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen. Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit.

Tryeza e rrumbullakët diskutoi gjithashtu nevojën për fillimin e konsolidimit fiskal në afat të shkurtër, në një kohë kur ekonomia operon nën potencialin e vet.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë të FMN.

Në këtë kontekst, është shumë e nevojshme ndërmarrja e masave të prekshme, të cilat përforcojnë politikën e matur fiskale për t’i dërguar tregjeve një sinjale të besueshme.

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike. Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta,” vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën  Botërore.

Pjesëmarrësit në Tryezën e Rrumbullakët diskutuan rëndësinë e uljes së borxhit publik në një periudhë afatmesme për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të arritur rritje të qëndrueshme. Ata shkëmbyen këndvështrime mbi rolin dhe projektimin e një rregullimi të qëndrueshëm fiskal dhe reforma strukturore për të ulur borxhin në një periudhë afatmesme, duke mundësuar ndërkohë që ekonomia të rimarrë veten nga dobësia e saj e tanishme.

“Ndërkohë që mbështetja e ekonomisë nëpërmjet instrumenteve efektivë të politikave makroekonomike është me rëndësi kritike në këtë kohë të vështirë, deri në momentin që kërkesa merr veten dhe ekonomia rifiton forcën e saj, stabilizimi dhe ulja graduale e borxhit publik në kohë, mbetet një përparësi kryesore e qeverisë,” theksoi Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode. “Ishte shumë i rëndësishëm ky debat me ekspertët ndërkombëtarë sot rreth masave konkrete që mund të merren për të forcuar përpjekjet e konsolidimit fiskal.”

Me synim nga e ardhmja, u diskutuan disa alternative të mundshme mbi mënyrën se si të sigurohet përgjegjshmëria fiskale, siç është miratimi i një rregulli fiskal. Ndërkohë që disa nga masat e propozuara do të kishin nevojë për konsensus të gjerë politik, fillimi i punës përgatitore në këtë drejtim, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare dhe institucionet e pavarura, do të sinjalizonin një angazhim drejt politikës së shëndoshë fiskale dhe reformave në të ardhmen, përfundon njoftimi për shtyp.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of