Në fund të qershorit 2014 stoku i borxhit ndaj PBB (prodhimit të brendshëm bruto) vlerësohet në 917,6 miliard LEK, ose 64.99% (duke konsideruar PBB vjetore dhe pa përfshirë detyrimet e prapambetura) nga i cili 38.49% është borxh i brendshëm dhe 26.50% është borxh i jashtëm, sipas burimeve nga Ministria e Financave.
Për sa i perket shërbimit të borxhit, vërehet që shërbimi i borxhit ka ardhur duke u rritur gradualisht dhe kjo kryesisht për shkak të shtesës në stokun e borxhit.
Përsa i përket kompozimit të portofolit të borxhit të brendshëm sipas llojit të titujve, ajo qe vihet re është se pjesa përbërëse e bonove të thesarit në totalin e borxhit të brendshëm është ulur nga 47.19% në fund të vitit 2013 në nivelin prej 47.14% në muajin qershor 2014, ndërkohë që instrumentat financiare me afat të gjatë maturimi kanë mbetur thuajse në të njëjtat nivele.
Në dhjetor të vitit 2013 stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në 363.9 milard LEK, ndërkohë në 6 mujorin e parë të vitit 2014 stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në rreth 374.2 miliard LEK ose 26.50% në raport me prodhimin e brendshëm bruto, ku krahasuar me fundin e vitit 2013 borxhi i jashtëm ka pësuar një rritje nominale prej 10.3 miliard LEK. Efekti i shtesës në stok nga disbursimet është 8 miliard LEK ose 2.2% e totalit të fundit të vitit 2013, ndërsa shtesa e cila vjen si rezultat i luhatjeve të kurseve të këmbimit është 2.3 miliard LEK ose 0.62%.
Garancitë në tregun e brendshëm kanë pësuar një rritje e cila vjen si rezultat i mbështetjes së sektorit të energjisë. Gjatë 8 mujorit 2014 ka vazhduar tendenca e uljes së normave të interesit e cila ka nisur që prej mesit të vitit të kaluar. Emetimet me norma të ulta gjatë vitit të kaluar si edhe gjatë këtij viti kanë dhënë një efekt të konsiderueshëm pozitiv në uljen e shërbimit të borxhit të brendshëm. Rënia e normave reflektohet edhe tek yieldi mesatar i ponderuar (YMP), i cili në gjashtë mujorin te parë të vitit 2014 vlerësohet në 5.82%, duke u ulur me 91 pikë bazë krahasuar me fundin e vitit 2013.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.