Borxhi është i qëndrueshëm

22/12/2012 8:03 AM 0 komente
Erasing Debt

debtFlet Sybi Hida, deputet i PD: Buxheti i 2013-s shmang problemet me kontraktorët publikë dhe mbështet privatët

Si e gjykoni buxhetin e 2013-s në kushtet e krizës europiane dhe botërore?

Buxheti i vitit 2013 është vazhdim i politikave të ndjekura nga kjo mazhorancë, qëkur mori votëbesimin e qytetarëve: qeverisje e vogël dhe forcimi i lirisë ekonomike. Kjo qeveri nuk i është fshehur asnjëherë realitetit. Buxheti i vitit 2013 është formuluar duke marrë parasysh si synimet e qeverisë, rritjen e mirëqenies, ashtu edhe përballjen me realitetin ku ndodhet ekonomia jonë dhe ekonomia globale. Ruajtja e investimeve publike në nivele të larta është dëshmi që kjo qeveri po përdor taksat e shqiptarëve për të rritur asetet publike dhe cilësinë e jetës.

 

Është parashikuar një borxh prej 62% në 2013-n. Është i përballueshëm në termat e këtij buxheti?

Në mendimin tim profesional, jam kundër qeverisjeve me borxhe të larta dhe të qeverive të mëdha; jam pro përballjes me realitetin dhe jo mendimeve futuriste. Mendoj që, duke u përpjekur për të rregulluar devijimet, është më efektive zgjidhja e problemit se sa qëndrimi korrekt ndaj disa kornizave të vendosura nga vetë njerëzit. Së pari, borxhi ynë është i qëndrueshëm, i vlerësuar së fundmi edhe nga “Moody’s”, si në strukturë, ashtu edhe në madhësi. Së dyti, struktura e buxhetit të vendit tonë është e shëndetshme, pasi mbi 20% e buxhetit shkon për investime publike krahasuar me 7% që është në vendet e BE-së. Pra, këto para nuk shkojnë për shpenzime, por për të rritur ekonominë e vendit. Qëndrimi fiks ndaj moskalimit të nivelit prej 60% do të thotë të shtosh goditjet ndaj ekonomisë në këtë situatë globale, aspak të shëndoshë.

 

A do të ketë frymëmarrje ekonomia e vendit në 2013-n me këtë buxhet?

Mendoj që buxheti i vitit 2013 përveçse do të eliminojë disa probleme të krijuara me kontraktorët publikë, do të shërbejë edhe si një mbështetës i sektorit privat. Me miratimin e këtij buxheti pritet të miratohen edhe disa projektligje mbi taksat që mbështesin investitorët privatë, duke ulur kostot e bërjes biznes. Gjithashtu dua të theksoj që edhe niveli i deficitit buxhetor në vitin 2013, edhe pse është hequr limiti i nivelit të borxhit, është parashikuar me një rritje të vogël krahasuar me vitin 2012, pra duke mos u bërë pengesë për kreditimin e ekonomisë private.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of