Nevojat shtesë për financim të qeverisë, si rrjedhojë e performancës negative të buxhetit në tetë muajt e parë të vitit, pritet që të merren tërësisht nga tregu i brendshëm, duke rrezikuar të ushtrojnë presion mbi interesat e bonove të thesarit nga njëra anë dhe duke orientuar fondet e lira të bankave tek blerja e bonove të thesarit dhe jot e kreditimi i ekonomisë.
Në buxhetin e rishikuar është e pashmangshme një rritje e huamarrjes totale neto të brendshme me rreth 24.8 miliard Lekë mbi programimin fillestar, ndërkohë që ajo e huaj neto pritet të reduktohet me rreth 2.2 miliard. I shprehur si raport ndaj PBB, deficiti fiskal për vitin 2013 pritet të jetë rreth 6.2% e PBB, nga 4.3% i programuar në ligjin fillestar të buxhetit, duke përfshirë edhe përdorimin e të hyrave neto nga privatizimet prej rreth 0.9% të PBB. Rrjedhimisht, huamarrja totale neto në buxhetin e rishikuar pritet të jetë rreth 5.2% e PBB nga rreth 3.4% e programuar në ligjin fillestar të buxhetit 2013, sipas relacionit të projektbuxhetit 2013.
Stoku total i borxhit publik në fund të vitit 2013, i shprehur si raport ndaj vlerësimit të rishikuar të PBB për këtë vit, pritet të shkojë deri në 68.6%, nga rreth 63.8% e PBB që ishte parashikuar fillimisht. Kjo rritje prej 4.8 pikë përqindje e stokut total të borxhit është rezultante e një rritje prej 2.4 pikë përqindje vetëm si rrjedhojë e ndryshimit të akumuluar të PBB nominal për vitin 2013 për kundrejt parashikimit fillestar (e ndarë në 0.7 p.p prej ndryshimit te PBB nominal për vitin 2011; 0.7 p.p. për atë të vitit 2012 dhe 1 p.p. për ndryshimin e PBB nominal të vitit 2013) dhe 2.4 pikë përqindje të tjera janë rrjedhojë e rritjes së stokut total nominal të borxhit publik. Ky i fundit, ndahet respektivisht në 1.8 p.p. prej rritjes së huamarrjes totale neto të buxhetit të rishikuar dhe pjesa tjetër prej 0.6 p.p. vjen prej rritjes së stokut të borxhit publik jashtë buxhetit (kryesisht rritja e stokut të borxhit publik të garantuar).
Nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor, sipas relacionit, është propozuar edhe sistemimi i një veprimi në vlerën prej 465 milionë lekë, lidhur me privatizimin e katër Hidrocentraleve, rrjedhojë e mospagesës në kohë të detyrimit tatimor që i lind shitësit nga rritja e vlerës së kapitalit, duke sjellë një kosto shtesë, e cila duhet të ishte mbuluar nga të ardhurat e privatizimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.