Në strategjinë e tyre për të ulur peshën e borxhit afatshkurtër, financat ia kanë dalë të bëjnë hapa parë në pjesën e parë të këtij viti.
Sipas tabelave të publikuara nga Ministria e Financave, pjesa përbërëse e bonove të thesarit në totalin e borxhit të brendshëm është ulur nga 47.19% në fund të vitit 2013 në nivelin prej 47.14% në muajin qershor 2014, ndërkohë që instrumentat financiare me afat të gjatë maturimi kanë mbetur thuajse në të njëjtat nivele.
Prej mëse dy vitesh financat kanë ndjekur strategjinë e reduktimit të peshës së borxhit afatshkurtër, për shkak të rrezikut të lartë të riqarkullimit (rollover) që ai mbart, duke shtuar presionin mbi tregun e brendshëm dhe sidomos bankat, që janë blerëset kryesore të këtij borxhi.
Në fund të vitit 2011, pesha e bonove të thesarit në totalin e borxhit të brendshëm ishte 55%, ndërsa në fund të 6 mujorit të parë 2014 zbriti në 47.1%. Në të kundër, pesha e obligacioneve u rrit për të njëjtat periudha përkatëse nga 42.99%, në 48.97%.
Në fund të qershorit 2014 stoku i borxhit ndaj PBB vlerësohet në 917,6 miliard LEK, ose 64.99% (duke konsideruar PBB vjetore dhe pa përfshirë detyrimet e prapambetura) nga i cili 38.49% është borxh i brendshëm dhe 26.50% është borxh i jashtëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.