Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë arriti në 5.47 miliardë euro në fund të 9 mujorit 2013, duke shënuar një rritje me 4.4% me bazë vjetore, apo me rreth 230 milionë euro.
Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat e Bankës së Shqipërisë.
Financat janë treguar të kujdesshme që të rrisin borxhin e jashtëm me maturitet afatgjatë, i cili është shtuar me rreth 140 milionë euro në fund të shtatorit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tij është me kredi të buta, me interesa të leverdisshme.
Zëri tjetër që ka ndikuar në shtimin e borxhit të jashtëm është ai i “Detyrime borxhi ndaj investitorëve direkte”, që është shtuar me rreth 111 milionë euro për periudhën në fjalë.
Borxhi i jashtëm përbën rreth 40% të totalit të borxhit publik të vendit. Ky i fundit së fundmi po rritet me ritme galopantë, si rrjedhojë dhe e përfshirjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, teksa Banka Botërore ka planifikuar se borxhi në total mund të arrijë në mbi 76% të Prodhimit të brendshëm, në rast sen uk do të merren masa për menaxhimin e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.