Borxhi, Madhësia dhe Prodhimi i Brendshëm

18/05/2015 12:22 PM 0 komente

Nga

Arbër Lleshi

Bardhi Sejdarasi

 

Treguesi më i përdorur në botë për matjen dhe raportimin e borxhit është raporti i madhësisë së borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ka një dallim esencial ndërmjet madhësisë së borxhit dhe treguesit të borxhit. Treguesi i borxhit preferohet ndaj madhësisë së borxhit për arsye se:

  • Një ekonomi që rrit aktivitetin e saj më shpejt, mund t’i lejojë vetes një sasi borxhi më të madh.
  • Treguesi i borxhit, si tregues relativ, korrekton efektet inflacioniste, për të cilat nevojitet të korrektohet treguesi i madhësisë së borxhit.

Për sa i përket treguesit të borxhit tek ne, ai trajtohet me transparencë dhe i lexueshëm për gjithë publikun, në disa dokumente bazë: Kuadri Makroekonomik Fiskal[1] (ku përcaktohet edhe parashikimi i qeverisë për ecurinë e tij); Ligji i Buxhetit[2] (ku përcaktohet niveli i deficitit vjetor si tregues bazë që ndikon në madhësinë e borxhit); Strategjia afatmesme e menaxhimit të borxhit publik[3] (ku jepet edhe informacioni më i detajuar mbi borxhin sot dhe pritshmëritë për disa vite në vijim). Qeveria shqiptare është, gjithashtu, në një marrëveshje/program[4] me FMN, ku një nga pikat kryesore të tij është zhvillimi në vite i borxhit publik në raport me PBB-në.

Qeveria shqiptare në mbi dy dekadat e kaluara dhe për disa vite në vijim nuk është angazhuar në uljen e nivelit të madhësisë së borxhit, por siç është më e rëndësishmja, në uljen e treguesit të borxhit. Sipas Kuadrit Makroekonomik Fiskal, niveli i borxhit, i programuar nga qeveria, është:

monitor 680.indd

 

Cilët faktorë ndikojnë në ecurinë vjetore të borxhit publik?

Janë disa, ku më të rëndësishmit përmendim:

  • Deficiti buxhetor: nëse shpenzimet e qeverisë të një viti janë më të larta se sa të ardhurat, ato ndikojnë në rritjen e madhësisë së borxhit. Ndërsa treguesi i borxhit rritet kur rritja e madhësisë së borxhit (nga deficiti) është më e madhe se rritja e PBB-së. Kjo do të thotë që nëse deficiti është 3% e rritja ekonomike vetëm 2%, do të kemi rritje të treguesit të borxhit në atë vit me 1%.
  • Rritja nominale (rritja reale ekonomike plus inflacionin) e PBB-së ndikon në uljen e treguesit të borxhit.
  • Kursi i këmbimit: kursi i këmbimit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë me rivlerësimin e madhësisë së borxhit të marrë në valutë. Duke qenë se borxhi raportohet në pasqyrat zyrtare në monedhën vendase, nëse leku nënçmohet, borxhi në valutën e huaj përkatëse rritet në të njëjtën masë dhe e kundërta.

Zakonisht, për vendet që kanë rritje pozitive ekonomike (por jo vetëm), madhësia e borxhit vjen duke u rritur. Por si rregull, treguesi i borxhit mbahet nën kontroll. Nga ky aspekt në rastin e ekonomisë shqiptare, madhësia e borxhit do të vazhdojë të rritet edhe në aspektin afatmesëm, ndërkohë që treguesi i borxhit (grafiku më sipër) do të vijë në ulje.

monitor 680.indd

Masat që synojnë uljen edhe të madhësisë së borxhit, janë zakonisht ekstreme (sidomos në kushtet e një rritje pozitive ekonomike).

Cilësia e punës vjetore të qeverisë me borxhin publik, si rregull matet me raportin e deficitit ndaj PBB, pasi ndikimi i një vendi të vogël (me politikë kursi këmbimi të lirë si në rastin tonë) tek kursi i këmbimit është tejet i limituar. Nga grafiku më poshtë duket qartë përmirësimi:

monitor 680.indd

 

Treguesi i deficitit në vitin 2013

Me tregues të deficitit kuptojmë raportin e madhësisë së deficitit vjetor të buxhetit me PBB. Ky tregues shprehet në përqindje.

  • Në shtator të vitit 2013, kur qeveria e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” mori detyrën, situata fiskale ishte e tillë:
    • Në sistemin e Thesarit ishin rreth 10 mld lekë fatura që prisnin në radhë për t’u paguar, ndërsa kishte mungesë likuiditeti (llogaria e qeverisë ishte praktikisht rreth 0 lekë gjendje[5]).
    • Mosrealizim të ardhurash në raport me planin në masën 23.4 mld lekë (pra, pritshmëritë për të ardhura nga administrata fiskale që kalonin nevojat e shpenzimeve, deri në fund të vitit, praktikisht, jo-realiste).
    • Deficiti i planifikuar për të gjithë vitin 60.9 mld lekë. Deri në shtator 2013, deficiti ishte 58.5 mld lekë (pra hapësirë ligjore e re për të marrë hua në treg vetëm 2.4 mld lekë[6]). Në këtë moment, treguesi i deficitit (në % të PBB-së) kishte arritur në rreth 4.3%. Nëse do t’i shtonim treguesit të deficitit edhe rreth 10 mld lekë fatura të papaguara që prisnin në sistemin e thesarit, atëherë ky tregues shkon në rreth 5.0% (më i lartë se sa fundi i vitit 2013, i cili u mbyll me deficit rreth 66.9 mld lekë ose rreth 4.9%. Pra, qeveria e re, faktikisht, e ULI NIVELIN E DEFICITIT në 3 muajt e fundit të vitit 2013!).
  • Arsyet përse ishte kjo gjendje nga qeveria e mëparshme dhe hapat që janë marrë më pas nga shtatori 2013 deri në fund të vitit, janë përshkruar në detaje në paraqitjen e Buxhetit Faktik 2013.

Qeveria shqiptare pati një deficit më të lartë në vitin 2014 se sa në vitin 2013. Përse?

Faktori kryesor është njohja, evidentimi, regjistrimi dhe më pas shlyerja e detyrimeve të prapambetura[7]. Por është e rëndësishme për të ripërmendur se si u zhvillua një nga proceset më të rëndësishme të financave publike të vendit në vitin e fundit.

  1. Duke parë situatën e financave publike si edhe performancën e ekonomisë së vendit (dhe në përputhje me programin elektoral dhe qeverisës), qeveria zhvilloi bisedime me misionin e FMN në fund të shtatorit 2013[8]. Në dhjetor 2013 u ra dakord në nivel stafi për përfshirjen e vendit në një program ekonomik[9]. Në këtë program[10], aprovuar më 19 mars 2014 nga bordi ekzekutiv i FMN, shprehen qartë reformat e shumanshme që do të ndërmarrë qeveria për stabilizimin e ekonomisë së vendit dhe objektivi i parë i shprehur është ulja e treguesit të borxhit (edhe në program flitet për treguesin e borxhit dhe jo për madhësinë e borxhit!).
  2. Në tetor 2013 u kontraktua njëri prej 4 audituesve më të mëdhenj ndërkombëtarë[11], Deloitte, për një vlerësim të borxhit të fshehur. Pasi kreu auditimin e 150 detyrimeve më të mëdha të ministrive ndaj biznesit privat deri më datë 31 gusht 2013, konkluzioni i auditit ishte se vetëm për këto 150 detyrime, qeveria u detyrohej biznesit 24.6 mld lekë (kryesisht në sektorin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore). Më pas, së bashku me FMN, u vlerësua se detyrimet e prapambetura gjithsej rezultojnë në rreth 72 mld lekë.
  3. Në fund të vitit 2013[12] u paguan rreth 5 mld lekë detyrime të prapambetura te personat me aftësi të kufizuar dhe ata në ndihmë ekonomike (rreth 1.8 mld), si dhe për investime në infrastrukturë.
  4. Qeveria shqiptare në muajin shkurt 2014[13] miratoi Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura e të planit të veprimit ndaj biznesit dhe individëve. Kjo strategji është hartuar me mbështetjen dhe asistencën e FMN, BB dhe BE.
  5. Me buxhetin e vitit 2014, bazuar në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura, janë shlyer 33.84 mld lekë nga 35 mld të planifikuara.
  6. U miratua VKM[14] për netimin e borxheve të ndërsjella ndërmjet institucioneve shtetërore – shoqërive tregtare CEZ – KESH – dhe garancive /financimit shtetëror dhënë kompanisë KESH (me efekt rreth 4.5 mld lekë).
  7. Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, përveç auditimeve të brendshme dhe pjesëmarrjes së KLSH, është audituar edhe nga Erst & Young, e kontraktuar nga Komisioni Europian, dhe nga shoqëria BDO Albania dhe BDO Croatia.

Deficiti i vitit 2014 është rreth 72.1 mld lekë (rreth 5.1% e PBB-së), por në të përfshihen edhe 33.84 mld lekë detyrime të prapambetura tashmë të paguara. Nëse i heqim deficitit 2014 këto detyrime të prapambetura të shlyera në buxhetin 2014 (pasi, nëse ato nuk do të ishin fshehur, do të ishin paguar nga buxhetet e viteve të shkuara dhe do të kishin rritur deficitet e viteve të mëparshme!) ai do të ishte rreth 38.26 mld lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në qoftë se nuk do të llogarisnim detyrimet e prapambetura, shifrat e deficitit do të ishin si në grafikun e mëposhtëm:

monitor 680.indd

Deficiti i qeverisë për vitin 2014 në raport me PBB-në (pa përfshirë detyrimet e prapambetura) është më i ulëti që nga viti 1996. Në përputhje me programin qeverisës, në gjysmën e dytë të mandatit, deficiti buxhetor kap vlerat më të ulëta historike, deri në 1.3% të PBB-së, dhe është në këtë mënyrë që do të ulet edhe borxhi publik.

Është e kuptueshme që, nëse nuk do të ekzistonte borxhi i fshehur, atëherë edhe borxhi publik do të ishte në trajektore të ndryshme, dhe do të arrinte në rreth 61.4% të PBB-së që në vitin 2017.

 

Ku ka shkuar rritja e borxhit gjatë 2014-s, përveç shlyerjes së detyrimeve të prapambetura?

Një informacion i detajuar për ndryshimin e borxhit publik është i përfshirë në publikimin periodik të Ministrisë së Financave “Treguesit e Borxhit”[15]. Gjithsesi vlen të përmenden disa faktorë.

Madhësia e borxhit të shtuar në 2014, duke mos llogaritur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ishte rreth 58 mld lekë:

  • Rreth 38.2 mld lekë është rritja nga deficiti, pa detyrimet e prapambetura (kujtojmë që në vitin 2014 vetëm investimet publike ishin rreth 60.5 mld lekë, shumë më tepër se sa ky deficit).
  • Rreth 12.7 mld është shtuar si pasojë e ndryshimeve të kursit të këmbimit. Dollari amerikan në tregun ndërkombëtar e vendas, u mbivlerësua me rreth 30% në krahasim me dhjetorin 2013, dhe në mënyrë automatike borxhi i emërtuar në USD u rrit në vlerë (rreth 10.4% e borxhit është në USD).
  • Janë lëshuar tri garanci të reja për sektorin energjetik gjatë 2014-s me shumë rreth 6.7 mld lekë (për të shmangur vështirësitë financiare të ndërmarrjeve të sektorit të energjisë).

Siç shihet, vetëm këta tre faktorë përbëjnë rreth 57.6 mld lekë.

Pra, nëse rritja e borxhit nga aktiviteti i qeverisë ishte 38.2 mld lekë, investimet publike janë 60.5 mld lekë, ose rreth 58% më shumë sesa deficiti.

 

 

[1] http:// www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/kuadri-makroekonomik-dhe-fiskal

[2] http://www.financa.gov.al/al/raportime/buxheti/buxheti-ne-vite/buxheti-2015

[3] http://www.financa.gov.al/al/raportime/borxhi/strategjia-afatmesme-e-menaxhimit-te-borxhit-publik-2015-2017

[4] http://www.imf.org/external/pubs/ft/scr/2014/cr1478.pdf

[5] Operohej mbi bazën e mungesë likuiditeti në llogarinë e unifikuar të thesarit, sipas Udhëzimit Nr.2, Datë 06.02.2012, pikës 139

[6] Në buxhetin origjinal ishte planifikuar një deficit prej rreth 48.9 mld lekë, por kufiri i deficitit u rit edhe me të ardhurat e privatizimit të hidrocentraleve mbi Mat, duke u vendosur në nivelin 60.9 mld lekë (http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Buxheti/Buxheti_ne_vite/Viti_2013/Buxheti_2013_Fillestar/LIGJ_nr.119_dt_17.12.2012.doc )

[7] Detyrime të prapambetura janë afërsisht 72 mld lekë (apo 720 mln dollarë) punime e shërbime apo detyrime të tjera që qeveria shqiptare kishte përfituar prej vitesh, por nuk i kishte regjistruar në nivelin e borxhit e për më tepër as shlyer.

[8] http://www.imf.org/external/np/ms/2013/092713.htm

[9]http:// www.imf.org/external/np/sec/pr/2013/pr13520.htm

[10] http://www.imf.org/external/np/sec/pr/2014/pr14109.htm

[11] Ligj Nr. 162/2013

[12]http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Buxheti/Buxheti_ne_vite/Viti_2013/Akt_Normativ_nr7_date_14122013/Aktnormativ_i_KM_7_14.12.2013.doc

[13]Me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50, datë 05.02.2014

[14] VKM nr.198 datë 03.04.2014 “Për përcaktimin e shumave të shuarjes me kompensim të detyrimeve të energjisë”

[15] http://www.financa.gov.al/al/raportime/borxhi/treguesit-e-borxhit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of