Komuna e Prizrenit vazhdon të sfidohet me grumbullimin e të hyrave nga taksat komunale për biznese.
Organet komunale vitin e kaluar kanë arkëtuar vetëm gjysmën e mjeteve nga ngarkesa e përgjithshme për firmat, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por, sipas raportit të punës për vitin 2017 të Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave, del se pushteti lokal i Prizrenit e kishte parashikuar afërisht këtë nivel të arkëtimit.
Në këtë raport shkruan se nga pagesa e taksës nga veprimtaritë afariste në periudhën janar-dhjetor 2017 janë arkëtuar 212 mijë euro, ndërkohë që shuma e përgjithshme e caktuar vjetore ka qenë 437 mijë euro.
Mirëpo Komuna e Prizrenit, që deri në dhjetor të 2017-s ishte udhëhequr nga Ramadan Muja, kishte planifikuar arkëtimin e 225 mijë eurove në këtë pozicion buxhetor dhe pas arkëtimit të 212 mijë eurove del se ka përmbushur 95 përqindëshin e parashikimit.
“Arkëtimi i taksës komunale nga veprimtaritë e biznesit është një sfidë që e përcjell me vite Komunën e Prizrenit dhe ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë drejtim, të cilët edhe janë trashëguar në mandatin tim”, ka thënë drejtori i DEF-it, Ertan Simitçi.
/KOHA DITORE/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.