Stoku i borxhit të jashtëm që është nënshkruar, por nuk është tërhequr i ka kaluar të 1.2 miliardë eurot në gjashtëmujorin e parë të 2017-s duke shënuar rekorde historike, sipas burimeve nga Ministria e Financave.
Disbursimi i këtyre detyrimeve do të çojë automatikisht detyrimet e Shqipërisë në 77 për qind të PBB.
Në analizat e mëparshme, Ministria e Financave ka referuar se, institucionet shqiptare ende nuk kanë kapacitetet e mjaftueshme teknike për të azhurnuar kreditë e huaja sipas kushteve të huadhënësve.
Muajin e kaluar, Banka Botërore e vlerësoi me risk të lartë kredinë 150 milionë dollarë për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare, Banka ka vlerësuar si rreziqe mjaft të larta kapacitetet teknike për zbatimin e projektit, ato të mbikëqyrjes dhe angazhimin e palëve të interesit. Për rrjedhojë janë disbursuar vetëm 13.7 milionë dollarë deri në fund të majit 2017, megjithëse kredia u bë efektive qysh në fillim të vitit 2015.
Nivelet e borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm në raport me totalin e Borxhit janë përkatësisht rreth 53% dhe 47%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar.
Gjatë pjesës së mbetur të vitit 2017, Ministria e Financave thotë se, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve të portofolit të borxhit (kryesisht portofolit të borxhit të brendshëm), si dhe ruajtjen e raporteve të qëndrueshme ndërmjet kostos dhe riskut.
Ministria e Financave parashikon që këtë vit huamarrja e huaj do të mbështetet në disbursimin e kredive për financimin e projekteve, si dhe kredive zhvillimore me terma të buta. Këto të fundit, përveç të tjerash, do të kontribuojnë në uljen e presionit për huamarrje në tregun e brendshëm, si dhe në sigurimin e valutës për shlyerjen e ripagesave, të cilat gjatë vitit 2017 vlerësohen me rreth 7 miliardë lekë rritje krahasuar me 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.