Nëse qeveria serbe nuk merr masat e nevojshme, borxhet e qeverive vendore, të cilat arrijnë në 4% të PBB-së, do të fundosin financat publike, ka paralajmëruar Këshilli Fiskal.
Ndër qytetet më të mëdha, Novi Sad ka financat më të qëndrueshme, ndërsa Kragujevac është në prag të falimentimit.
Qytetet dhe qeveritë lokale në Serbi kanë borxh afërsisht 1 miliard euro dhe kanë mbetur mbrapa në pagimin e më shumë se 300 milionë eurove detyrime të maturuara. Gjatë prezantimit të “Financave publike vendore, problemeve, rreziqeve dhe rekomandimeve”, Presidenti i Këshillit Fiskal, Pavel Petrović, theksoi se problemet fiskale të qyteteve dhe qeverive lokale po rrezikonin financat publike të shtetit dhe po pengonin rritjen ekonomike.
Sipas kësaj analize, struktura e shpenzimeve të qeverive vendore është e keqe, sepse një vlerë e konsiderueshme shpenzohet për subvencione dhe shumë pak për shpenzimet kapitale. Qeveritë lokale të Serbisë caktojnë rreth 1% të PBB-së ose 330 milionë euro për investime, në krahasim me mesataren e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore me 2% të PBB-së. Në vitet e fundit, krahasimi është bërë edhe më i pafavorshëm – 0.8% e PBB-së në Serbi në krahasim me 2.5% të PBB-së në Europën Qendrore dhe Lindore.
Këshilli Fiskal beson se investimet në nivel lokal duhet të rriten me të paktën 250 milionë euro dhe se më shumë se gjysma e fondeve mund të sigurohen nëpërmjet reformimit të kompanive shtetërore vendase.
Përgjegjësia më e madhe për gjendjen e varfër të financave publike është e vetë qeverive lokale, por qeveria qendrore gjithashtu e ka përkeqësuar më shumë këtë problem nëpërmjet politikave të saj të këqija, duke paralajmëruar organin e pavarur shtetëror që ka për detyrë të vlerësojë kredibilitetin e politikës fiskale nga aspekti i respektimit të rregullave fiskale të përcaktuara.
Sipas Këshillit, pas miratimit të Ligjit për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale në vitin 2007, një vendim ‘ad hoc’ i nxjerrë nga qeveria qendrore në vitin 2009 u hoqi qeverive lokale një vlerë prej 15 miliardë dinarësh. Për shkak të presionit politik, në vitin 2011 u miratua një ligj i ri, i cili në mënyrë të pajustifikueshme ndau 40 miliardë dinarë të buxhetit të republikës te qeveritë lokale.
Kjo lëvizje rezultoi në shkatërrimin e financave publike shtetërore dhe u pasua nga dy rishikime, në vitin 2013 dhe 2016, në favor të rritjes së buxhetit të shtetit dhe të uljes së të ardhurave të qyteteve dhe komunave. Republika, sipas mendimit të ekspertëve të Këshillit Fiskal, është gjithashtu përgjegjëse, sepse nuk është përpjekur të ulë rritjen e problemeve të qeverive vendore gjatë 10 viteve të fundit.
Ndonëse qeveritë lokale gëzojnë autonomi të garantuar me Kushtetutë, ekzistojnë mekanizma përmes të cilëve qeveria qendrore mund të kishte parandaluar përkeqësimin e problemit. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë reagim.
Këshilli Fiskal gjithashtu analizoi tërësisht buxhetet e katër qyteteve më të mëdha në Serbi, atë të Beogradit, Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevacit.
Novi Sadi i qëndrueshëm, Kragujevaci po përballet me falimentimin
Aktualisht, kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, ka të ardhura dhe shpenzime buxhetore të balancuara dhe nuk ka vonesa në pagesat e detyrimeve, por një parakusht për shëndetin e përhershëm të financave të qytetit është zgjidhja e problemeve që ekzistojnë në sistemin e transportit publik.
15% e shpenzimeve vjetore, ose më shumë se 100 milionë euro të Beogradit, shkojnë për mbulimin e humbjeve të transportit publik, prandaj qytetit nuk i kanë mbetur më fonde të mjaftueshme për investime. Këshilli Fiskal tha se gjatë tre viteve të fundit, vetëm 80 milionë euro u shpenzuan për investime, ndërsa shuma e saktë që duhej të ishte shpenzuar në fushën e investimeve duhej të kishte qenë sa dyfishi i saj.
Kryeqyteti i Provincës Autonome të Vojvodinës, Novi Sad, ka financa më të qëndrueshme se Beogradi, por i mungojnë paratë për investime. Qyteti ka aktualisht një buxhet mjaft të balancuar dhe po arrin që t’i paguajë detyrimet në kohë. Megjithatë, Novi Sad duhet të reformojë financat publike, në mënyrë që të parandalojë rreziqet potenciale fiskale dhe të financojë një rritje të planifikuar të investimeve në vitet e ardhshme.
Qyteti i Nishit, në jug të Serbisë, është në vështirësi serioze fiskale. Mënyra e vetme nga e cila ai mund të dalë nga kjo gjendje është vetëm në rast se ndryshon mënyrën e menaxhimit të financave publike.
Këshilli Fiskal rekomandon që qyteti duhet të harmonizojë të ardhurat e buxhetit me shpenzimet, por gjithashtu të arrijë të grumbullojë një tepricë prej rreth 15% të buxhetit për të paguar borxhet e vjetra, me një rritje graduale të investimeve. Kragujevaci, një qytet në Serbinë Qendrore, po përballet me vështirësi shumë të mëdha fiskale, me një borxh në fund të vitit 2015 që pothuajse kishte të njëjtën vlerë me buxhetin vjetor
Në mënyrë që të rregullojë gjendjen e financave publike, Kragujevci për sa u përket të ardhurave duhet të rrisë mbledhjen e taksave të pronës, ndërsa një burim tjetër i rëndësishëm duhet të jetë kontributi për përmirësimin e rregulloreve në lidhje me tokën që jepet për ndërtim dhe mbledhjen e borxheve të vjetra tatimore.
Në rastin e shpenzimeve, fuqia punëtore e sektorit buxhetor duhet të zvogëlohet dhe investimi publik të rritet, duhet të ndërmerren masa për të shkurtuar shpenzimet e shpronësimit dhe ristrukturimin e kompanive publike problematike.
Këshilli Fiskal gjithashtu mendon se një reformë e kompanive publike lokale do të reduktonte shpenzimet e mëdha të qeverive lokale dhe do të përmirësonte cilësinë e shërbimeve të tyre. Problemet më të mëdha, me të cilat përballen kompanitë publike lokale, janë numri i madh i punonjësve, mbledhja shumë e ulët e borxheve, humbjet teknike dhe çmimet konkurruese./EURACTIV.rs