Ndërsa udhëheqësit boshnjakë fajësojnë njëri-tjetrin për vonesat në sigurimin e një kredie të re të FMN-së, një ekspert tha se autoritetet janë duke përdorur vonesat e parave të FMN-së për të ndjekur hakmarrjet e tyre të brendshme.
Kryeministri i njësisë së dominuar nga serbët e Bosnjës, Zeljka Cvijanoviç, ka fajësuar për vonesat në kredi të reja të FMN-së vetë kryeministrin e vendit dhe qeveritë e njësive të Federatës, Denis Zvizdiç dhe Fadil Novaliç.
FMN njoftoi se kishte shtyrë miratimin e një programi prej 550 milionë eurosh për Bosnjë-Hercegovinën, pasi autoritetet e Bosnjës nuk mundën të nënshkruajnë një marrëveshje të arritur në maj.
Të dy udhëheqësit kanë kundërshtuar deklaratën e FMN-së, duke pretenduar se do të ishte e pamoralshme që të nënshkruajnë një dokument që premton të zbatojë reformat që kanë për qëllim sjelljen e Bosnjës më pranë BE-së, ndërsa një njësi e saj, Republika Srpska, refuzon të pranojë marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, MSA, e cila është pjesë e detyrimeve të Bosnjës ndaj BE-së.
Zoran Pavloviç, analist ekonomik me bazë në Banja Luka, i tha BIRN-it se politikanët boshnjakë po vazhdojnë ta turpërojnë vendin.
“Ne jemi dëshmitarë të skenarit më të keq të mundshëm. Bosnja po zgjidh marrëdhëniet e saj të brendshme politike dhe të tjera marrëdhënie duke përdorur institucionin më të rëndësishëm financiar në botë. Ky është një turp dhe shumë i papranueshëm”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Delegacionit të BE-së në Bosnjë, Zora Staniç, konfirmoi për BIRN-in se marrëveshja e re me FMN-në është një element i rëndësishëm i axhendës së reformave të Bosnjës dhe se vonesat mund të rrezikojnë progresin në të gjitha fushat.
“Një progres domethënës në zbatimin e axhendës së reformave është gjithashtu i nevojshëm për aplikimin e anëtarësimit të vendit, për t’u konsideruar i besueshëm nga BE-ja. Për të mbështetur drejtpërdrejt shpenzimet e këtyre reformave, BE dhe Institucionet Ndërkombëtare Financiare kanë premtuar rreth 2 miliardë euro gjatë tre-katër viteve në vazhdim”, thotë Staniç, duke shtuar se e gjithë kjo kushtëzohet nga fakti që Bosnja të jetë në një rrugë të qëndrueshme politike drejt Europës.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA tha për BIRN-in se është zhgënjyese të shohësh krerët e BiH të zgjerojnë më tej listën e çështjeve kryesore ku kanë dështuar për t’i përmbushur.
“Veprimi me këto çështje nuk duhet të përdoret si një këst për të kërkuar plotësimin e interesave nacionaliste. Është e rëndësishme që krerët e BiH të tregojnë gatishmëri për të pajtuar interesat personale dhe partiake, për të mirën e qytetarëve dhe të vendit”, tha zyra.
Cvijanoviç ka deklaruar se Republika Srpska mund të menaxhohet pa pagesat e FMN-së, 50 milionë euro nga të cilat priteshin në korrik. “Republika Srpska do të grumbullojë fonde nga burime të tjera”, shpjegoi ajo.
Ministria e Financave e Republikës Serbe tha për BIRN-in se kjo njësi ende shpreson se Novaliç dhe Zvizdiç të nënshkruajnë deri në shtator, ndërkohë që RS do të mbajë likuiditet nëpërmjet lëshimit të bonove në tregun e brendshëm.
Staniç u pajtua me faktin se autoritetet e Bosnjës duhet të bashkëpunojnë me FMN-në me një gravitet të shtuar. “Përpjekjet për reforma që kërkohen nga BE-ja dhe FMN-ja kërkojnë angazhim serioz për të marrë vendime të vështira në tejkalimin e mungesave të gjata në investime e reforma strukturore”, tha ajo.
Në maj, FMN-ja tha se do t’i japë Bosnjës mbi gjysmë miliard euro në kuadrin e një programi trevjeçar, por në të njëjtën kohë është e nevojshme të ulet borxhi i saj publik, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të siguruar stabilitetin e sektorit financiar.
FMN shtoi se programi kishte tre objektiva – të përmirësojë mjedisin e biznesit në mënyrë që të tërheqin investime, të reduktojë borxhin publik nëpërmjet konsolidimit fiskal gradual, të ruajë stabilitetin e sektorit financiar dhe të ringjallë rritjen e kreditimit.