Dy njësitë më të mëdha të Bosnjës, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë formuar Parlamentin e ri, pothuajse katër muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, gjë që do të thotë se më në fund, vendi do të drejtohet nga një qeveri e re.
Muaj pas zgjedhjeve të tetorit 2018, njësia e Federatës së vendit përfundoi krijimin e Dhomës së Popujve, dhomën e sipërme të Parlamentit. Tani ajo ka 55 delegatë të emëruar nga një total prej 58. Tre të fundit do të emërohen në javët e ardhshme, pasi grupi i deputetëve serbë ende nuk ka rënë dakord për tre emrat e fundit.
Grupi i deputetëve boshnjakë dhe kroato-boshnjakë janë të formuar plotësisht, siç është formuar edhe grupi i Të tjerëve, të cilët nuk deklarohen si anëtarë të asnjë prej tre grupeve kryesore etnike në Bosnje. Në seancën e javës së kaluar, sipas rendit të ditës, Asambleja e Federatës duhet të miratonte buxhetin për 2019. Por pagat dhe përfitimet sociale janë aktualisht të papërcaktuara pa një buxhet të miratuar, raporton BIRN.
Asambleja e re duhet të emërojë edhe delegatët e saj në Dhomën e Popujve të nivelit shtetëror. Liderët e partive kryesore në Bosnjë, Partia Boshnjake për Veprimin Demokratik, SDA, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ dhe Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur, SNSD, kanë planifikuar zhvillimin e një sërë takimesh gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme.
Kjo rrit shpresën se në mars do të krijohet Këshilli i ri i Ministrave, një qeveri shtetërore de facto për Bosnjën.
Vonesat në këtë drejtim kanë qenë kryesisht për faktin se Bosnja hyri në zgjedhjet e tetorit me një ligj zgjedhor të shkatërruar; një ligj të cilit i mungonte mekanizmi për të zgjedhur Dhomën e Popujve të njësisë së Federatës.
Por nën presionin e ndërkombëtarëve, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, CIK, në dhjetor shmangu një bllokim të madh ligjor dhe politik duke miratuar një vendim që e rregulloi këtë problem.