Aeroporti Mostar ka njoftuar se linja ajrore italiane Meridiana do të aplikojë fluturime të drejtpërdrejta për në Milano nga prilli deri në shtator këtë vit, ndërsa “Mistral Air” do të riaktivizojë lidhjet e saj me Barin dhe Napolin dhe po përgatit gjithashtu të nisë fluturime drejt destinacioneve të tjera, duke përfshirë Romën.
Mostari shpreson të bëhet një qendër për udhëtarët, të cilët i drejtohen vendit fqinjë të pelegrinazhit katolik Medjugorje, që tërheq mbi një milion vizitorë çdo vit, edhe pse shumica e tyre aktualisht fluturojnë në aeroportet e qyteteve bregdetare kroate. “Aeroporti ka potencial por ka nevojë për investim”, tha Marko Djuzel i “Mostar Airport” për “Balkan Insight”.
Delegacioni i BE-së në Bosnjë tha se kishte nevojë për veprim të përbashkët në zhvillimin e një plani për të ardhmen, duke përmendur studimet e veta që sugjerojnë se aeroporti ka potencial për të tërhequr deri në 1.8 milionë pasagjerë në vit brenda një periudhe 30-vjeçare.
“Kjo rritje bazohet kryesisht në parashikimet për rritjen e turizmit në Medjugorje fqinje”, – deklaroi delegacioni i BE-së.
Delegacioni tha se zgjerimi i aeroportit, i cili aktualisht ka një kapacitet prej më pak se 100,000 pasagjerë në vit, do të përfitojë drejtpërsëdrejti restorante, hotele dhe vende të tjera turistike dhe do të ketë ndikim të thellë ndaj perspektivës socio-ekonomike të rajonit të Hercegovinës.
“Ekspertët vlerësojnë se rreth 2,000 vende të reja mund të krijohen në rajon, nëse realizohet ky zgjerim”, – thoshte deklarata.
“Ekspertët po ashtu vlerësojnë se në qoftë se Mostari nuk përpiqet të përfitojë nga ky shans brenda disa viteve të ardhshme, dritarja për një mundësi të tillë do të mbyllet, duke mundësuar aeroportet në vendet fqinje të përfitojnë nga suksesi i Medjugorje”, – shtoi ai.
Linja ajrore me kosto të ulëta “WizzAir” nisi fluturimet drejt Gotheburg, Malmo dhe Bazel nga Tuzla vitin e kaluar, ku rrugët për në Stokholm dhe Berlin pritet të aplikohen këtë vit.
Sarajeva ka fluturime të drejtpërdrejta në Vjenë, Stamboll, Mynih, Zyrih, Beograd, Zagreb dhe Lubjanë, ndërsa Banja Luka ka fluturime të drejtpërdrejta në Beograd.