Bosnjë-Hercegovinë/ Pensionistët boshnjakë protestojnë për rritjen e pensioneve

12/11/2017 8:07 AM 0 komente

Mijëra pensionistë nga e gjithë Federata Boshnjako-Kroate e Bosnjës, shumica e të cilëve jetojnë në kushtet më ekstreme të varfërisë, kanë dalë në rrugët e Sarajevës, duke protestuar për rritje të pensioneve dhe një kujdes më të mirë social dhe shëndetësor.

Nga rreth 410,000 pensionistë që jetojnë në rajonin boshnjak, gati dy të tretat jetojnë me pagesa minimale prej 326 markash boshnjake (196 dollarë amerikanë) në muaj, ndërsa pensioni mesatar është 370 marka krahasuar me një pagë mesatare prej 870 marka.

Me pesë pensionistë për çdo gjashtë të punësuar në rajonin boshnjak, qeveria, e cila ende nuk ka dalë me një plan të përgjithshëm reformash për sistemin e pensioneve, po përpiqet t’i bëjë pagesat në kohën e caktuar dhe të mos krijojë vonesa. Disa zyrtarë të fondeve të pensioneve thonë se sistemi po mbijeton vetëm në sajë të pensioneve të ulëta, të cilat janë njëkohësisht edhe më të ulëtat në Ballkan.

Pensionistët, disa prej të cilëve mbajnë tabela që lexojnë “Stop Skllavërisë” dhe “Na Riktheni Dinjitetin Tonë”, kërkonin një rritje prej 10% të pagesave, të cilat nuk janë rritur që nga 2014.

“Pensionet janë të ulëta, ilaçet të shtrenjta dhe ne duhet paguajmë energji elektrike, ujë dhe telefon”, tha Alosman Halic nga qyteti verior Lukavac, i cili ka punuar për 45 vjet dhe merr 326 marka tani që ka dalë në pension.

“Pasi paguajmë faturat, neve nuk na mbetet më asgjë”, thotë më tej gruaja e tij Isura, duke shtuar se ata nuk do të mund të mbijetonin pa ndihmën e fëmijëve të tyre. Papunësia e të rinjve është e lartë, në më shumë se 60% dhe pjesa më e madhe e tyre detyrohen të emigrojnë në vende të tjera dhe larg vendlindjes, e cila ka mbetur e varfër nga lufta e viteve 1992-1995 dhe është përçarë si pasojë e ndarjeve politike dhe etnike.

Javën e kaluar, qeveria miratoi një ligj të ri të pensioneve, duke parashikuar një rritje prej 10% të pensioneve për disa kategori dhe 5% rritje për kategoritë e tjera. Ligji tani duhet të miratohet nga Parlamenti i rajonit, ku miratimi i ligjeve shpesh bllokohet për shkak të grindjeve politike.

Situata është e rëndë edhe në Republikën Serbe, rajonin tjetër autonom të Bosnjës, ku niveli i të punësuarve është pothuajse i barabartë me atë të pensionistëve. Më parë gjatë këtij muaji, qeveria vendosi të rrisë pensionin minimal në 360 marka.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz