Nëse do të jetë e nevojshme, ne do të shkojmë deri aty sa të japim jetën, vetëm e vetëm për të fituar të drejtat që na takojnë dhe na janë mohuar, u shpreh Jasmin Arific.
Çdo mëngjes, z. Arific dhe kolegët e tij të mëparshëm te ndërmarrja shtetërore e ndërtimit, Hidrogradnja, dalin përpara selisë së qeverisë në Sarajevë, ku protestojnë për të kërkuar pensionet e tyre. Hidrogradnja dikur ishte një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme në sektorin jugosllav të ndërtimit, e cila kishte punësuar deri në 4.000 punëtorë. Por, pas luftës së Bosnjës në vitet 1990, ky biznes ashtu si edhe ai në sektorë të tjerë pësoi rënie, për shkak të kalimit në një ekonomi tregu, për të cilin nuk ishin aspak të përgatitur. Në vitin 2016, Hidrogradnja, falimentoi përfundimisht.
Dy vjet pas falimentimit të saj, z. Arific së bashku me disa kolegë të tjerë, tetë prej të cilëve janë futur në një grevë urie që nga 29 janari, ende protestojnë për atë që kjo kompani u detyrohet.
Kontributet tona nuk na janë paguar që nga viti 2003, tha z. Arific për agjencinë e lajmeve AFP. Dhe përveç kësaj, ata nuk na kanë dhënë as pagat mujore tre vitet e fundit. Kemi 36 muaj pa marrë pagat që na takonin, tha më tej z. Arific, kryefamiljar dhe babai i tre fëmijëve, ku asnjëri prej të cilëve nuk është në marrëdhënie pune.
Ai tha se kompania Hidrogradnja i detyrohej atij 11,000 euro (13,580 dollarë amerikanë), një pasuri e vogël për një familje me pesë anëtarë, të cilët jetojnë vetëm me pagën prej 205 eurosh që merr gruaja e tij nga puna në një supermarket të vogël.
Për shkak të falimentimit të Hidrogradnjas, mbetën të papunë rreth 600 punëtorë. Rreth gjysma e atyre që kishin të drejtë për të dalë në pension u tronditën kur panë se nuk mund të merrnin pensionin që i takonte, pasi kompania nuk kishte bërë pagesën e caktuar në Fondin e Pensioneve Shtetërore.
Ky është një problem shumë i përhapur në Bosnjë
Sipas sindikatave të punës, 50.000 deri në 65.000 punonjës që dikur kanë punuar apo edhe që punojnë aktualisht në ndërmarrje kryesisht shtetërore, si spitale, miniera apo në transportin publik janë në të njëjtën situatë.
Sipas autoriteteve tatimore, kontributet sociale të papaguara arrijnë afërsisht në 2 miliardë euro, ose pothuajse gjysma e buxhetit vjetor kombëtar të Bosnjës, ku kompanitë shtetërore kryesojnë në këtë listë kontributesh të papaguara ndaj punonjësve të tyre.
Një prej kryetarëve të sindikatës së pavarur të punëtorëve (Independent Trade Union of Forestry, Wood Processing and Paper), Redzo Kuric, tha për agjencinë e lajmeve AFP, se 2 miliardë euro do të mbulonin pagesën për një vit të plotë pensionesh për rreth 670,000 pensionistë të vendit.
Më shumë punëtorë sesa realisht mund të duhen
Mospagimi i kontributeve të pensionit është i paligjshëm në Bosnjë, por në përgjithësi ai kalon pa iu kushtuar rëndësia e duhur nga organet kompetente.
Sipas analistit ekonomik, Zarko Papic, partitë politike në pushtet përdorin kompanitë shtetërore për të punësuar “punonjësit e tyre, aktivistët dhe votuesit që e kanë dhënë votën për ta”. Prandaj këto kompani janë të tejmbushura me punëtorë, më shumë sesa ato në të vërtetë kanë nevojë.
Kjo është një prej arsyeve se përse ata nuk paguajnë taksat dhe kontributet për pensionet, shpjegon më tej për AFP-në analisti ekonomik.
“Në një nga vendet më të varfra të Europës, me një popullsi rreth 3.5 milionë banorë, norma zyrtare e papunësisë ka shkuar në 40%.
Por një numër shumë i madh njerëzish punojnë edhe në të zezë. Dhe duke llogaritur edhe këta persona, niveli i papunësisë bie në 28%, por këtu nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe faktin se një e katërta e popullsisë boshnjake jeton nën kufirin minimal të varfërisë, që do të thotë se ata me vështirësi arrijnë edhe të gjejnë mjaftueshëm ushqim për të ngrënë, tha z. Papic.
Vetëvrasje dhe zemërim
Në dhjetor, një minator 55-vjeçar nga qyteti i Zenicës i dha fund jetës. Sipas disa prej kolegëve të tij, Sefik Sisic e kreu këtë akt pasi ai nuk mund të dilte në pension për shkak të kontributeve të papaguara të fondit të pensionit.
Në protestë, zemërimi i punëtorëve ka shkuar deri aty sa ata të kërcënojnë organet qeverisëse se do t’i vënë zjarrin vetes pranë minierës së qymyrit.
“Z. Sefik nuk u vetëvra, atë e vrau shteti”, – tha analisti i pavarur politik Dragan Bursac.
Kryeministri i gjysmës myslimano-kroate të Bosnjës, Fadil Novaliq, u ka bërë thirrje punëtorëve që të tregohen të durueshëm dhe jo gjaknxehtë, sepse ky është një problem shumë i madh dhe që ne nuk mund ta zgjidhim brenda ditës, prandaj kemi nevojë që ju të tregoheni sa më të durueshëm dhe të mirëkuptueshëm.
Luftë për të siguruar bukën e gojës së familjeve të tyre
Sipas autoriteteve tatimore, miniera e qymyrit Rudnik Zenica, e cila punëson rreth 1,500 njerëz, ka akumuluar më shumë se 50 milionë euro borxhe. Ajo nuk na ka paguar as kontributet për pension që prej vitit 2009, u shpreh Tevhid Svriko, një prej 40 minatorëve që duhet të kishin dalë tashmë në pension.
“Unë duhet të kisha marrë tetë muaj pension deri më tani, por ende nuk kam marrë asnjë muaj”, u shpreh z. Svriko. Duke qenë se disa prej tyre kanë disa ditë që janë futur në një grevë urie, u është premtuar se do t’u jepej një zgjidhje sa më e shpejtë këtij problemi.
Pas disa ditësh të mbikëqyrjes së një greve urie, minatorëve iu premtua se problemi do të zgjidhej. Menjëherë pas këtij premtimi, rreth 340 punonjës të një fabrike çeliku të Zenicës, e cila falimentoi muajin e kaluar, dolën në protestë duke bllokuar një prej rrugëve kryesore, sepse nuk i ishin paguar rreth 13 muaj pagë dhe 15 vite kontribute pensionale.
Shumë prej tyre thonë se po mbijetojnë me vështirësi. “Nëse ne arrijmë të sigurojmë vaktin e mëngjesit, ne i kursejmë vetes vaktin e drekës dhe nëse ne kemi arritur të sigurojnë drekën nuk hamë darkë”, u shpreh tha Fata Imamoviç, një grua 56-vjeçare e cila ka qenë e punësuar në këtë fabrikë.